Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumenti zyrtar në Tiranë, pse SHBA ka “çelësat” e NATO-s

Xhon Kerri

Kuvendi i Shqipërisë do të nisë gjatë kësaj jave procedurën e shqyrtimit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Një vendim tashmë i marrë nga Aleanca, por që duhet të ndjekë rrugën procedurale për miratimin e dokumenteve përkatës. Pikërisht në këto dokumente zbulohet se qeveria amerikane mban “çelësat” e NATO-s, aleancës më të fuqishme ushtarako-politike sot në botë, jo thjesht si anëtari më i fuqishëm i saj.

Traktati i Atlantikut të Veriut, si dokumenti kryesor themelues i NATO-s, në nenin 10 të tij parashikon mënyrën e anëtarësimit të vendeve të reja në këtë Aleancë. Ky nen parashikon në mënyrë të qartë se, vendimi për anëtarësimin e shteteve të reja merret me unanimitet, nga ana e shteteve anëtare. Për këtë qëllim zyra ligjore e NATO-s hartoi protokollin mbi anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, i cili, u nënshkrua nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s me datë 19 maj 2016, në kuadër të Ministerialit të Jashtëm të Aleancës. Protokollet e anëtarësimit, nga pikëpamja ligjore, konsiderohen protokolle shtesë të Traktatit të Atlantikut të Veriut (Traktat i Uashingtonit, 4 prill 1949). Nënshkrimi i këtij protokollit dhe ratifikimi nga parlamentet e 28 vendeve anëtare të NATO-s, si dhe i Parlamentit të Malit të Zi, do të mundësojë pranimin e Malit të Zi në Traktatin e Atlantikut të Veriut, duke e bërë kështu Malin e Zi anëtarin e 29-të të NATO-s.

Pikërisht në protokollin e anëtarësimit të Malit të Zi theksohet se, “në përputhje me nenin 10 të Traktatit, Mali i Zi bëhet Palë në datën kur depoziton instrumentin e saj të aderimit tek Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Gjithashtu, “ky Protokoll hyn në fuqi kur secila nga Palët e Traktatit të Atlantikut Verior ka njoftuar Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin e saj”. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës informon Palët e Traktatit të Atlantikut Verior mbi datën e marrjes së këtij njoftimi, si dhe datën e hyrjes në fuqi të këtij Protokolli”, vijon më tej dokumenti. Sipas nenit 3 të tij, “ky Protokoll, ku tekstet në gjuhën angleze dhe frënge janë njëlloj autentike, depozitohet në Arkivat e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. “Kopjet e njësuara me Protokollin dërgohen nga Qeveria e SHBA-ve tek Qeveritë e të gjitha Palëve të Traktatit të Atlantikut Verior”, thekson dokumenti.

Në këtë mënyrë, qeveria amerikane dhe Departamenti i Shtetit “komandojnë” të gjithë rrugën e shtimit të anëtarëve të rinj të NATO-s.

Please follow and like us: