Albspirit

Media/News/Publishing

Ema Andrea shpërthen ndaj Ramës e Berishës

Ema Andrea shpërthen ndaj Ramës e Berishës (Interviste/Foto)

Për Edi Ramën e Sali Berishën. Për Teatrin Kombëtar dhe Akademinë e Arteve. Për ligjin e teatrit, artistët, shoqërinë dhe për politikat që përdhosin fjalën e lire.

Për gjithçka që e ka revoltuar qysh kur ishte adoleshente e studente e deri sot, kur me shumë mund ka fituar statusin e artistes së pavarur. Për gjithçka që ka reaguar publikisht, me zë të lartë, duke marrë përsipër dhe rrisqe të mëdha. E sigurisht duke ndjerë dhe frikëra të mëdha. Por a do të vazhdojë përherë kështu? Ema Andrea përgjigjet…

Në të njëjtën ditë (23 prill), me rreth një orë e gjysmë diferencë, ajo hodhi dy statuse në faqen e saj në Facebook. I pari, “Dje kalova në qendër, përbri Bankës së Shqipërisë… E keni parasysh…. njerëz që shesin telefona mbi tavolina të improvizuara ,kërkojnë të shesin karta telefoni etj., etj… U trishtova vetëm kur kuptova që nuk më bëri përshtypje. U trishtova kur kuptova që kjo qendër e Tiranës ka qenë kështu që prej ’91-shit e deri sot!”, edhe pse jo pak i hidhur, nuk shkaktoi zhurmë. Ashtu siç nuk kishte shkaktuar debat as statusi i para tri ditëve, për zgjedhjet në Akademinë e Arteve: “Në këtë vend, ku ka vetëm një universitet shtetëror arti, vetëm një departament apo njësi aktrimi, nuk e di pse kam një demek parandienje që disa kanë nevojë për art e të tjerë më shumë akoma për psikologë… Rroftë Shekspiri!”. E ashtu siç nuk kishin shkaktuar asnjë rrëmujë mediatike as gjithë statuset e saj, thujase të përditshëm, ngacmues, kritikë, që prej asaj here kur troç fare, me indinjatë e ironi therëse, ajo iu drejtua kryeministrit, Edi Ramës: “Në Natën e Bardhë, Ministria e Kulturës më lajmëron se Portat e të Madhnishmes Kryeministri do të jenë të hapura në orën 9:00 për artistët, jo për ndonjë takim, por për të parë mobiliet dhe korridoret! Më erdhi të qesh, në fillim, me këtë prepotencë prej provinciali, që të fton të shohësh kolltuqet e reja. Pastaj më erdhi keq për veten, për kolegët, për sakrificat. Më vonë mora vesh se rreth së njëjtës orë, Kryeministri pinte një gotë verë me artistët që jetojnë jashtë… Bukur, shumë bukur, Zoti i Shtëpisë! Ata munden me të nderu me ardhjen e tyre, jo vetëm se kanë ecur me talentin dhe punën e tyre, por edhe sepse kanë para për të blerë një biletë avioni. Unë, i dashur Zoti i Shtëpisë, nuk kam mundësi të blej biletwn e avionit, përsa arritjet e mia nuk shpërblehen financiarisht (dhe këtë ju e dini shumë mirë), e kështu s’mundem me qenë në tryeza mikpritjesh, por ftohem për me pa karrika dhe mure bosh. Kam punuar në këtë vend, pa drita, pa ujë, zhgënjyer dhe gënjyer nga të gjitha politikat kulturore shqiptare. Kam nderuar këtë vend kudo kam shkelur, në skena e auditore ballkanike dhe evropiane… dhe jam kthyer sërish këtu… në tokën time, të cilën e jetoj edhe në të keqen të vet. Kështu kam zgjedhur, por kjo s’më bën më pak të talentuar e aq më pak nuk më vë në rreshtin e lypsarëve, që i ftoni të habiten me muret dhe me kolltukët tuaj. Të bardhë e pacc mendjen, sicc ke mosmirënjohjen dhe fyerjen, i dashur Zoti i Shtëpisë, që… ani… unë t’kam zgjedh, e tash duhet me të durue!!! Edhe Ty…

Do të duhej ai statusi i dytë, i hedhur po më 23 prill, drejtuar ish-kryeministrit Berisha, “Turp të kesh, o Sali Berisha! Po, po, ky është mendimi im. Uroj të ketë një ligj që të të dënojë për këtë thirrje dhe jo me 10 ditë pa të drejtë rroge, siç bëhet gjithmonë! Meriton një tallje masive! Fashist!”, që Ema Andrea ta turbullonte përsëri botën mediatike, këtë herë ndoshta edhe më fort se me statusin drejtuar Edi Ramës.

Ndërsa bota ziente, komentonte, të përgëzonte por edhe të fyente, a u pendove qoftë edhe në një çast të vetëm pse i hodhe ato mendime në Facebook, për Ramën e për Berishën?

Pas zhurmës së madhe e kam kuptuar ndryshe Facebook-un. Në rastin e parë u luhata dhe u pendova, kur kuptova se kisha ngarkuar mbi vete një barrë, të cilën, mesa dukej, duhet ta tërhiqja vetëm, në të mirë e në të keq. Në këtë protestë, artistët, edhe pse më përgëzuan, nuk e përqafuan ftesën për të hapur një dialog me qeverinë mbi dinjitetin dhe profesionalizmin e artistit. Me pak fjalë, më lanë vetëm dhe dihet që një qenie e vetme nuk mund të tërheqë një kauzë e një protestë, që ta çojë më përpara. Një zë i vetëm, madje, nuk merr as përgjigje. Një zë i vetëm është lehtësisht i paragjykuar dhe i ndëshkueshëm.

Në rastin e dytë, kam qenë totalisht e papërgatitur, pasi ajo deklaratë kish ditë që përflitej dhe unë isha një nga shumë qytetarët që reaguan. U gjenda nën një lumë sharjesh. Nuk u ndjeva e fyer, sepse nuk mund të më fyejë ky nivel komunikimi. U ndjeva thjesht “e paarmatosur”, pasi nuk disponoj në kulturën time asnjë mjet vulgar apo banal për t’u përgjigjur, për të argumentuar idetë e mia apo për të bindur opinionin për vlerat e mia si njeri, artiste, grua apo nënë.

Natyrisht, që për asnjërin nga rastet kur jam shprehur hapur publikisht, nuk jam bërë pishman. Nuk mund të bëhem pishman pse marr frymë. Por, duke parë gjithë atë agresivitet, nuk e mohoj që kam pasur pak frikë. 

Pate frikë?!  

Ndjesia më e keqe është kur pranoj se kam frikë. Sepse frika më sjell nga pas edhe pasigurinë, jo vetëm për ç’ka kam bërë, por mbi të gjitha për çfarë do të bëj. Në të tilla raste pasiguria më shtyn drejt reflektimit mbi mënyrën se si kam zgjedhur të jetoj në këtë vend, më lëkund besimin në vendimet, ëndrrat dhe idealet e mia… e kjo, besoj, është ndjesia më e hidhur e më e rrezikshme. Por s’kam pse ta mohoj, se e rritur në një shoqëri që e ka thuajse absolut ligjin e ndëshkimit dhe që përdor pak institucionin e tolerancës e dialogut, e pohoj, unë pata frikë. Tek e fundit kush do të më mbronte nëse do të ndëshkohesha?! 

Në fakt, a u ndëshkove?

Për fat, përveç paragjykimeve dhe lënies vetëm, nuk kam ndjerë asnjë ndëshkim. Mbase injorimi ndaj protestës sime mund të quhet “ndëshkimi” i kohëve moderne në Shqipëri.

Çfarë ndjeve tjetër, veç frikës?

Më lëndoi pak mendimi i disa personave, që nuk më njohin mesa duket, të cilët e kanë quajtur “lëvizje për të rënë në sy”. Nuk është e lehtë të përballesh me mijëra sy e komente që merren me ty dhe emrin tënd, ndonëse, në fakt, me këtë lloj përballjeje jam ndeshur që në kohën kur në vend të rrjeteve dhe portaleve ishin thashethemet e kafeneve, të cilave figura ime u ka shërbyer me ekzistencen e vet J! Kam ndjerë zhurmën e primitivizmit përballë qetësisë së qytetarit. Më ka ardhur keq për mjetet e ulëta që kanë shpikur meshkujt e dobët për të sulmuar femrat, për t’u ndjerë burra të fortë. Kam ndjerë zhgënjim pse idealet e fillimdemokracisë vetë brezi i sakrifikuar nuk i ka më. Trishtim për frikën që ka individi. Krenari që fjala e lirë (edhe imja) nuk ka vdekur ende dhe ka efekte “shqetësuese” për rehatinë e atyre që kujtojnë se bashkë me pushtetin zotërojnë edhe jetët e njerëzve apo mendimet e tyre. Ndjeva që qenkam e fortë për gjërat që besoj.

Duke të të njohur, them se ti nuk do të tërhiqesh, se do të ndodhë prapë e prapë që të revoltohesh e të shkaktosh polemika, që mund të kenë dhe kosto mbi ty… A s’ka qenë kështu gjithmonë? A s’do të jetë gjithmonë kështu?

Kështu ka qenë e besoj e kam “paguar” shumë shtenjtë haraçin e pavarësisë sime. A do të jetë prapë kështu, nuk e di… Sepse nuk e di sa do të më mbajnë fuqitë që të paguaj ende për çdo fjalë apo gjest qytetarie. Ja edhe kjo intervistë ca polemika ndoshta do t’i shkaktojë, por ky nuk është absolutisht qëllimi im. Unë do të revoltohem për sa kohë nuk do të pranoj që ëndrrat më kanë vdekur. Do të hesht së revoltuari atëherë kur të mos besoj më në vlerat njerëzore. Do të ndal së foluri kur të mos kem më ideale dhe as besë e besim. Do të ndalem kur të filloj të jetoj me parimin “pas portës sime nuk më intereson asgjë”. 

A e kujton dot kur ka nisur revolta jote e parë ndaj dikujt, ndonjë fenomeni a ndaj realitetit?

Boh… nuk e di a mund të quhet revoltë, kur unë lëshoja flokët dhe vishesha ndryshe, me të zeza, sepse s’doja të dukesha normale duke u veshur njësoj me të tjerët, apo kur diskutonim në shkollë mbi lirinë dhe barazinë e femrës e për tabunë e virgjërisë… Nuk e di sa mund të quhet revoltë kur kundërshtoja mësueset apo braktisja ndonjë orë mësimi e shëtisja vetëm nëpër Tiranë. Apo kur shkuam tek Ministria e Arsimit për të kërkuar kthimin e mësueses së baletit (e donim aq shumë), që e kishin larguan nga shkolla jonë me vendim të ministrisë. Këtë betejë nuk e fituam dhe unë në shenjë revolte e braktisa, ndoshta për një muaj, shkollën e baletit, derisa një ditë ish-mësuesja jonë (Vera Fida) erdhi të na takojë. Më dha një mësim të fortë, shumë të fortë, që t’i rikthehesha punës.

Pastaj erdhi koha e studimeve në Institutin e Lartë të Arteve. Ishin vitet 90’- 94’, kohë të trazuara, ku vështirë se mund të kesh gjetur rehat…..

Natyrisht që nuk kanë qenë kohë të lehta. Në institut fitova natyrën sfiduese. Më shumë se revolta, reagimet e para kanë qenë sfida. Punova në Teatrin Kombëtar që në vit të parë (atëherë kjo ishte një gjë e rrallë, ndoshta mund të kem qenë e vetmja studente e vitit të parë që kam luajtur në skenë në ato vite). Nuk ishte meritë e imja por e regjisorit Edmond Budina, i cili rebelohej për realitetin me “Natë me hënë”, të Kadaresë. Ai më zgjodhi mua e kjo solli presion të fortë xhelozie të hapur, të cilës iu kundërpërgjigja me sfidë po aq të hapur, duke punuar shumë, e mbajtur kokën lart, duke qeshur fort, duke u veshur si të doja, herë me pizhame e herë me minifundJ. Kam qenë pjesë e protestave të studentëve, por nuk isha lider. Ato vite ishin të tmerrshme për të gjithë. Ishte thuajse e rrezikshme të shkoje në shkollë, ku mësimi bëhej në të shumtën e kohës nën tmerrin se dikush mund të hapte derën e të dhunonte këdo, pa asnjë arsye. Në fakt, pedagogët na lejonin, e na kërkonin madje, të mos shkonim në mësim. 

Por ti, sigurisht, që do të bëje të kundërtën…

Epo unë s’mund të pranoja që disa kafshë dhunuese të më kushtëzonin jetën, ndaj vazhdova të shkoja në fakultet rregullisht dhe jo rrallë herë jam përballur e kam sfiduar të fortët me pistoleta nëpër korridoret e institutit apo në rrugë. Një Zot e di ku e gjeja forcën dhe qetësinë për t’i përballur! Më pas kujtoj një episod, kur studentët u ngritën kundër pedagogëve. Sikur të mos mjaftonin sfidat dhe rebelimet e mia të vogla për fjalët apo fyerjet, atje në mbledhjen e madhe, ku pedagogët ishin nën akuzat e studentëve, unë u ngrita (ndoshta ky mund të ish rebelimi im i parë hapur kundër shumicës) dhe mbrojta idenë se nuk kishim asnjë të drejtë të hidhnim poshtë djersën e atyre që na mësonin e mbi të gjitha se ata ishin prindër që mbanin familje. Më kujtohet që mbarova fjalën, u ngrita ashtu si isha, e veshur me një super minifund, dhe ika.

Ndërsa më pas, në vit të tretë, isha shtatzënë, ndaj, të them të drejtën, as që më binte më ndër mend të rebelohesha apo të sfidoja ndokënd. Isha shumë e lumtur me veten time dhe ndryshimin e madh.

Siç edhe the pak më lart, e ke shkelur që kur ishte studente skenën e Teatrit Kombëtar. A e gjete të shtruar me lule apo me gjemba?

Hahahahaha…po ç’lule moj?! Pasi linda Sarën, lexoja shumë për teatrin, sepse ndjeja që doja diçka më shumë dhe çfarë kisha mësuar nuk mjaftonte. Kam shkuar në worshop-e e kurse për të zhvilluar veten. Kam punuar në ato vite me regjisorë të rinj, të cilët vinin shfaqje në sallën e Akademise së Arteve. E megjithatë, me sa kam marrë vesh më vonë, emrin tim në Teatrin Kombëtar nuk e kishin shumë qejf. Ndodhte që edhe kur më kërkonin regjisorët, emri im zëvendësohej me tjetër emër, duke u përfolur sikur unë e kisha braktisur teatrin pasi isha bërë nënë, ç’ka do të thoshte mundësi gjithnjë e më të vogla deri dhe në mbyllje dere.

Fakti që edhe sot e kësaj dite dukesh si e përjashtuar apo më mirë të them e padëshiruar atje, më bën të mendoj se do të kesh bërë ndonjë nga “proçkat” e tua, që s’ta harrojnë dot lehtë…

Proçkën, që thua ti, s’e bëra unë, por ma bëri teatri i pari mua. Unë thjesht nuk pranova që jeta ime artistike të varej nga kapriçot e vogla të dikujt apo disave, me të cilët nuk ndaja dhe nuk ndaj të njëjtin koncept për artin dhe teatrin

Pra proçka që kam bërë është e thjeshtë fare… kam sharë me zë të lartë vipllëkun e asaj kohe, që kërkoi të më bënte të sillesha si ata, sepse ndryshe nuk më pranonin. Ndodhi në një prej atyre rasteve kur roli që më jepej zëvendësohej me dikë tjetër, që të reagoja hapur, siç di unë. U nisa drejt mbledhjes në TK, pasi u kujdesa shumë për look-un tim atë ditë (ruhuni kur jam e trukuar ditën dhe eci ngadalë J), u ula në tryezë dhe kërkova fjalën para se të nisnin provat. Ua këputa me zë të lartë: Jeta ime nuk varet nga askush. Ju nuk më ofroni dot rolin e jetës! Ju dhjefsha vipat! 

Dhe çfarë ndodhi pas kësaj?

Ohhh, e shumëpritshmja! Të vetmet dyer të mundshme për të gjetur skenën u blinduan. E vetmja alternativë që ishte për ne aktorët, për mua nuk ishte më. As atëherë e as sot, në Teatrin Kombëtar nuk ka pasur femra të moshës sime, por mesa duket kjo nuk u konsiderua kurrë si problem. S’u bë problem as për mua. Unë fillova rrugën time si aktore dhe më vonë si regjisore e pavarur në një kohë kur mungonte sistemi për një artist të pavarur, sistem që mungon edhe sot e kësaj dite.

E pavarur nga asnjë institucion shtetëror, e palidhur pas asnjë interesi, ndjeheshe më rehat apo kishte ende gjëra që të revoltonin? Jeta ishte më e lehtë apo më e vështirë?

Natyrisht që jeta u bë një sfidë e madhe dhe e vërtetë. Mësova të përballem me shprehjet refren: “Po ti shko e kërko role!”. “Dil njëherë andej nga Teatri!”. “Je aktore e mirë por ke karakter m…”. Apo dhe me shprehjen që më bënte shumë për të qeshur: “Ema është aktore formaliste…”. Nejse… Në mes të gjithë mundimeve kam arritur të bëj gjysmën e krijimtarisë që mundem realisht të bëj, pasi pika e vetme e referimit për çdo krijues që kërkonte aktorë ishte Teatri Kombëtar.

Më është dashur të krijoj e të mbijetoj në të njëjtën kohë, duke u përballur edhe me moralin e padukshëm të shumë mendjeve amorfe që shiteshin e quhen sot si mendjet e hapura të artit. Kur Vladimir Milcin më takoi në festivalin e Elbasanit dhe më përgëzoi profesionalisht për regjinë dhe aktrimin tim, nuk më besohej që po e dëgjoja këtë në tokën time. Më pas, kur më tha se ishte përpjekur vite më parë të më kontaktonte nëpërmjet TK-së për bashkëpunim e s’më kishte kontaktuar dot, u trishtova dhe kuptova atë që s’kisha dashur ta besoja- se flitej në emrin tim- Ema e ka lënë teatrin e nuk e gjejmë dot. Nejse, unë bëra regjitë e mia, studimet e mia, jetën time, ekperimentova me kurajë në artin tim dhe besoj krijova shembullin e artistes së pavarur. Të tjerat nuk kanë më rëndësi.

Për pak kohë ke punuar në Ministrinë e Kulturës, ku gjithashtu nuk mbijetove dot gjatë. Rebelimi i radhës?

Nuk pranova të shkoja në fushatën përkatëse. Thjesht u përgjigja: Nuk vij. Unë jam artiste dhe nuk bëj fushata.

Dhe…?

Dhe të hënën në të gdhirë u pushova nga puna. Nuk më pëlqente ajo punë, kështu që më mirë që ndodhi ashtu. Do të isha larguar gjithsesi.

Artistja e pavarur ka ngulur rrënjë prej ca vitesh në një tjetër institucion shtetëror, në Akademinë e Arteve. A shkon gjithçka mirë atje apo ke bërë pakt me djallin, që të paktën aty të mos ia heqësh bukën nga goja vetes, siç ke rriskuar gjithmonë?

Hahahahaha, jo, nuk jam rehat gjithmonë. Rebelohem edhe aty shpesh. Të paktën them atë që mendoj. Kush më njeh, e di se unë do ta rrezikoja edhe bukën e gojës nëse nuk ndihem mirë me parimet dhe shpirtin tim. Por nuk kam probleme të tilla. Në Akademi funksionon sistemi i studios, ku ashtu si çdo pedagog, kam edhe unë përgjegjësinë e ndërtimit të orës. Kur shoh ecurinë e studentëve, natyrisht që harroj çdo vogëlsirë. Akademia nuk është thjesht një vend pune për mua. Aty zhvilloj kërkime dhe përpiqem të ndikoj sa mundem me profesionalizmin tim tek kolegët e ardhshëm.

Para zgjedhjeve e hodhe në FB pak nga ai “helmi” yt, duke u shprehur se disa kanë nevojë për art e të tjerë më shumë akoma për psikologë…

U përpoqa të jem në një post ku mund të aplikoja idetë e mia mbi frymën e krijimtarisë dhe disiplinës tek studentët, por shumica e kolegëve të mi nuk patën besim tek unë, ndaj këtë kontribut nuk e jap dot. Nuk u nervozova aspak. Unë respektoj zgjedhjet e çdokujt. Madje jam krenare që thuajse gjysma e kolegëve më votuan. E vërteta është që nuk më erdhi mirë kur kuptova atë që thashë. Midis pedagoges së lëndës psikologji dhe meje, u zgjodh vizioni i parë. E sheh? Kam thënë të vërtetën. Unë natyrisht do të vazhdoj të punoj me dhe pranë studentëve, me tendencën për të ndikuar tek ata lirinë e krijimtarisë dhe kurajën qytetare.

Le të gërricemi pak me qeverinë e me Ramën, të cilin, siç edhe je shprehur publikisht, e ke votuar. Zemërimi yt ka mbetur me aq, tek ajo Nata e Bardhë, tekprepotenca prej provinciali, që të ftoi të shohësh kolltuqet e reja, tek nderimi që iu bëri artistëve shqiptarë që jetojnë jashtë, duke harruar ata që bëjnë art çdo ditë këtu… apo ke prapë për të thënë diçka?

Hahahaha… Ndoshta sepse shpresova shumë tek ndryshimi, tani jam e zhgënjyer, por ky është totalisht gabimi im, që erdhi prej iluzioneve të mia. Personalisht nuk kam asnjë kompleks gjeografik dhe as komplekse superioriteti apo inferioriteti dhe nuk i mas vlerat e artit gjeografikisht. Unë besoj në të qenit unik, në identitetin e artit tonë, por, mesa duket, për qeverinë është ndryshe. Ky raporti i theksuar – artisti evropian dhe ai shqiptar, arti evropian në Shqipëri apo artisti shqiptar që po shkon jashtë kufijve – ka larguar vëmendjen nga zhvillimi i artit shqiptar. 

Do të doja të ktheheshim edhe një herë tek Teatri Kombëtar. Nëse do të duhej të bëje tani një status për gjithçka ndodh atje, çfarë do të shkruaje?

Reforma në teatër ishte një ide shumë e mirë, por, me sa duket, është e vështirë apo e pamundur të realizohet. Aktorët nuk janë të punësuar me projekte por me kontrata, kohëzgjatja e të cilave ndryshon sipas sasisë së roleve. Çfarë po ndodh? Aktorët, thuajse të njëjtët, pavarësisht karrierës dhe arritjeve, punojnë me një pagesë që është thuajse qesharake, krahasuar me mundin e tyre. Nuk mund të paguhet një artist me rrogën që është në kufijtë e mbijetesës. Nuk mund të jemi as kërkues e as produktivw përballë këtij tensioni financiar. Duhet gjetur formula e pagesës së artistëve! Kjo do ta bënte artistin më dinjitoz e mbi të gjitha një zë në kapitullin shoqëror. Një artist i varfër mbetet i varur. Një artist i varur nuk mund të ketë liri krijimtarie. Ndërsa përsa i përket prurjeve artistike të këtij sezoni, kam dyshimet e mia për një pjesë të tyre.

Ç’do të shkruaje për ligjin e teatrit?

Duhet të rishihet e të zbatohet! Duhet që në radhë të parë artistët të shqetësohen për këtë. 

Po për artistët?

Një herë në jetë të superojnë sedrën dhe egon personale dhe të bashkohen për parimet dhe sistemin që do ta bënte më dinjitoze figurën e artistit në shoqëri! Të kenë më shumë kurajë, që të jetojnë si artistë!

Po për shoqërinë shqiptare?

Të mësojë të buzëqeshë! 

Kujtoj që në ditën ndërkombëtare të nënës ke postuar një status të gjatë, që më shumë se urim dukej si një lloj kuje për mentalitetin shqiptar… E, që, në fakt, s’ishte i nënshkruar prej teje por prej një L. Hylli. A po fshihesh pas atij emri?

Jooo… Nuk fshihem aspak. Lavdie Hyllit ia pëlqejnë krijimtarinë pa asnjë prapamendim apo adhurim. Duhet të pyes krijimet përse zgjodhën atë si autore J.

Please follow and like us: