Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Shehu, e vërteta e bunkerëve

Mehmet Shehu, e vërteta e bunkerëve

Maliq Sadushi, ish zv.ministri i Mbrojtjes nën Mehmet Shehun, edhe pas viteve 90-të ka qenë mjaft diskret në prononcimet për mediat, lidhur me periudhën e punës së tij me kryeministrin më jetëgjatë në historinë e vendit. Pas fundit të hidhur të Shehut, ai u degradua po nuk u burgos. Por me mikun e tij Eqerem Osmënaj, ish drejtor i Zbulimit të Ushtrisë, Sadushi që ndërroi jetë në vitin 2010, ka zhvilluar biseda të gjata lidhur me ngjarjet e diktaturës dhe mjaft momente të errëta të asaj periudhe. Këto shënime vijnë pikërisht si hedhje në letër e atyre bisedave dhe kujtimeve.

Në këtë pjesë të katërt dhe të fundit të kujtimeve të Maliq Sadushit, që po botojmë ekskluzivisht në ‘DITA’, përshkruhet njohja që Sadushi kishte me Mehmet Shehun si një nga udhëheqësit kryesorë të luftës antifashiste, si Kryeministër e mandej edhe si ministër i Mbrojtjes.

****

Nga Eqerem Osmënaj

Mehmet Shehu ka pasur një jetë tejet intensive, dallgë-dallgë, por ai shkëlqeu si një nga udhëheqësit kryesorë të këtij vendi. Fakti që ai ishte kryeministër për afër 28 vjet e bën të papërsëritshëm në historinë e shtetit shqiptar. Ai ishte njeriu më i besuar i Enverit dhe krahu i djathtë i tij. Çarja që ndodhi mids Enverit dhe Mehmetit ishte fatkeqësi jo vetëm për ata të dy, por për vetë shtetin… Po të tregoj se si e kam njohur Mehmetin që nga koha e luftës e deri sa dha shpirt në 18 dhjetor 1981.

Ja si ka rrjedhur jeta e tij:

 

Komandant i madh në luftë

Mehmet Shehu ishte një njeri mjaft i shkathët dhe me energji të pashtershme. Janë të njohura kontributet e tij si Komandant i Brigadës së Parë Sulmuese dhe betejat që ka zhvilluar. Unë nuk do flas për to, por po tregoj një episod nga Vlora ku kam qenë dëshmitar vetë.

Më kujtohet kur në fillim të dhjetorit të vitit 1942 u krijua një situatë tepër e tensionuar në disa krahina të Vlorës, në fshatrat e Grykës së Shushicës, fshatrat e Bregut, ato të Kudhësit, që nga Sevasteri deri në Gorisht e Mavrovë. Qeveria fashiste e Mustafa Merlikës e shpalli Vlorën zonë e trazirave dhe për të shuar rezistencën e fshatarësisë dërgoi forca milicësh “vullnetarë” që në të vërtetë ishin mercenarë të ardhur nga Dibra, nën komandën e Halil Alisë dhe  Selim Kaloshit me mbështetjen dhe me ndihmen e komandës fashiste italiane për të asgjësuar e shuar forcat partizane. Sulmi qe parashikuar të bëhej i befasishëm nga disa drejtime. Komanda e Qarkut me të zbuluar planin fashisto- kuisling mori masa për ta ndaluar këtë masakër. Hysni Kapua menjëherë njoftoi Mehmet Shehun në Mallakastër për t’u takuar e biseduar për situatën.

Mehmet Shehu sa mori njoftimin me grupin e tij të shoqërimit kaloi Lumin e Vjosës dhe merr kontakt me Hysni Kapon, Manush Myftiun, Ymer Veshin në Brataj ku diskutuan planin për përballimin e situatës. Mehmet Shehu së bashku me Hysni Kapon shtruan çështjen: “T’i bëhej thirrje Prefektit të Vlorës, fashistit Lele Koçi, të ndërhynte në komandën italiane dhe të Halil Alisë  dhe në marrëveshje me Qazim Koculin, komisar i jashtëzakonshëm i Qeverisë “Kruja”, që të organizohej një takim urgjent midis përfaqësuesve të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe Halil Alisë me qëllim evitimin e luftës  mes shqiptarëve. Ky variant nuk u pranua. Me që ky variant nuk u pranua, u ra dakord me marrëveshje që të dy palët- një në emër të popullit të Vlorës dhe -tjetra në emër të mercenarëve të takoheshin në shtëpinë e një “shehu”.

Nga ana e popullit u caktua një Komision antifashist prej tre vetësh të përfaqësuar nga Vehbi Hoxha-kryetar, Et’hem Gjinushi e Osman Xhemali anëtarë. Krerët mercenarë në fillim nuk pranuan të takoheshin me këta “fëmijë” se nuk ua mbushin syrin, por të detyruar nga situata e rëndë pranuan takimin. Takimi zgjati 3 orë.

Halil Alia i zënë ngushtë nga kërkesat e delegacionit tonë, sepse Vehbi Hoxhës i “priste gjuha brisk”, dhe i mbështetur nga “gjaknxehti” Et’hem Gjinushi u largua disa herë gjatë bisedimeve për të biseduar me Mustafa Krujën. Halil Alia nuk pranoi tërheqjen. Komisioni ynë e paralajmëroi se ata do të ishin përgjegjës historikë për gjakderdhjen që do të shkaktohej.

Komisioni u kthye dhe i raportoi Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos. Komiteti Qarkor menjëherë lëshoi thirrjen drejtuar popullit të Vlorës dhe njëkohësisht vuri në gatishmëri çetat partizane për të pritur me pushkë “mysafirët” nga Dibra. Mehmet Shehu shkoi në Mesaplik dhe atje bëri sqarimin e situatës, përcaktoi detyrat dhe përgjegjësinë e mercenarëve për pasojat, dhe lexoi thirrjen e Qarkorit drejtuar popullit të Vlorës. U vunë detyrat e veçanta për ruajtjen e rrugës automobilistike dhe bashkëveprimin midis çetave. U caktua sinjali për Kushtrim: “Pesë pushkë dhe një bombë”!

Më 31 dhjetor 1942 trupat fashiste filluan sulmin. Menjëherë u dha sinjali dhe forcat partizane ku bënin pjesë Çeta e Mallakastrës dhe ajo e Vlorës, si dhe populli i armatosur rrëmbyen armët dhe pas dy ditë luftimesh operacioni fashist dështoi. Mehmet Shehu dhe Hysni Kapua në krye të Çetës Plakë të Vlorës dhe Mallakastrës kanë kryer disa veprime luftarake të përbashkëta dhe ata ishin kurdoherë në ballë sulmit. Mehmet Shehu qëndrimin në ballë të luftës e kërkonte edhe në luftën moderne!

Mehmeti ishte kundër vëllavrasjes dhe pro vëllazërimit të shqiptarëve. Kulmi arriti në Poçem në korrik 1943 ku organizoi një mbledhje e cila u quajt “Besëlidhja e Poçemit”. Kjo besëlidhje u organizua pikërisht aty ku një shekull më parë Rrapo Hekali kishte organizuar një mbledhje historike po në Poçem.

Mehmeti e çoi luftën deri në fitore…

 

Si u ngjit Mehmeti deri në majat më të larta të pushtetit

Është fakt se pas lufte Mehmeti nuk ka qenë në majat e pushtetit dhe kjo e kishte një domethënie. Për kontributin e tij në luftë atij i takonte të ishte në majë të pushtetit të ri që ishte vendosur. Por ai mënjanohej me kujdes…

Në vitet e para të çlirimit, deri në fillim të vitit 1948 Mehmet Shehu bashkë me Nako Spirun, iu kundërvunë politikës jugosllave për çështjet ekonomike dhe të ushtrisë. Pra ishin kundër robërimit të Shqipërisë nga Jugosllavia. Në ato vitet e para ishte shumë e vështirë të dilje hapur kundër jugosllavëve, se Enveri nuk e lejonte një gjë të tillë dhe pas tij vinte Koçi Xoxe, sekretar organizativ i KQ të PKSH dhe ministër i Brendshëm. Të dy u dënuan, Mehmeti dhe Nakua, për antijugosllavizëm. Nakua vrau veten,1ndërsa Mehmeti e përballoi dënimin me kurajo dhe njëkohësisht mori masa për t’u ruajtur sepse Koçi Xoxja dhe jugosllavët kishin menduar ta eleminonin fizikisht. Mehmeti u mbijetoi shumë rreziqeve. Fakt është se nga ajo situatë tepër e vështirë Mehmetin e shpëtoi Enveri. Vetë Enver Hoxha pa pyetur as Plenumin e as jugosllavët, e emëroi Mehmetin në fillim Ministër të Komunikacionit.

Me kthesën që bëri Partia pas dënimit të PK të Jugosllavisë nga Informbyroja, Mehmeti u ngarkua me detyrën e Ministrit të Brendshëm dhe kjo detyrë zgjati deri më 1954. Në të njëjtën kohë ai mbante dhe detyrën e zëvendëskryeministrit.

Mehmet Shehu siç cilësohej ishte Njeri i hekurt, njeri i mirë, burrë shteti, e shikonte të vërtetën në sy, i papërkulur,  i papërlyer, që nuk mund të korruptohej, e donte populli dhe populli i këndoi këngë që në gjallje…

 

Arkitekti i fortifikimit

Maliq Sadushi vlerësonte në mënyrë të veçantë kontributin e Mehmet Shehut si ushtarak dhe punën që ka bërë për modernizimin e ushtrisë shqiptare. Ai tregonte:

Nuk mundet të mohohet ajo punë titanike, plot sakrifica e popullit tonë po edhe e udhëheqjes së tij, ajo kohë kur të gjithë populli dhe udhëheqësit luftuan me vështirësitë e kohës, ngritën ekonominë në nivele të larta, futën vëndin në radhët e vendeve të përparuara, ndërtuan mbrojtjen e vendit e ushtrinë, garantuan paprekshmërinë e Shqipërisë.

Duhet pranuar në veçanti se hopi cilësor në zhvillim kanë qenë vitet 1950-1980, kur Kryeministër ishte Mehmet Shehu. Qeveria dhe personalisht Mehmet Shehu nën udhëheqjen e Enver Hoxhës në të gjitha kohët, realizoi me plot vendosmëri të gjitha detyrat e mbrojtjes. Një nga fushat ku është shtrirë jo pak propaganda e partive politike pas vitit 1990 ka qenë lufta kundër të kaluarës, kundër “gogolit” komunist, ku bëhet fjalë për çështjen e mbrojtjes, ushtrisë,  boreve të popullit të armatosur, bunkereve, pikave të hapjes, ushtrisë së madhe, e të tjera.

Është një fakt i pamohueshëm: Mehmet Shehu ishte Arkitekt i fortifikimit dhe bunkerizimit të vendit!

Bashkë me Veli Dedin, që ishte shef i xhenios së ushtrisë hartoi planin se si do të mbroheshim, sidomos nga një sulm grek… Sot kur njerëzit udhëtojnë nëpër Shqipëri dhe kudo u zë syri bunkerë betonarme, në kodra dhe fusha, në fshatra dhe qytete, thonë: “Sa budallenj kanë qënë ushtarakët dhe qeveria e Mehmet Shehut! Pse i kanë bërë tërë këto harxhime, kanë shëmtuar edhe vëndin”. Po të shohin edhe tunelet gjigande të vëndkomandave, depove të teknikës luftarake, madje edhe flota detare ka qënë e vendosur në tunele ku deti futet në male, apo avionët të tërë në tunele, kudo edhe sot në qytete gjen strehime nëntokësore për popullsinë!

Mirëpo, për të kuptuar domethënien e tyre duhet të vendosemi në atë kohë, në kushtet e rrethimit dhe izolimit që ndodhej vendi. Në fund të fundit, fortifikata të tilla kanë edhe vendet e tjera kapitaliste dhe askush nuk ua merr për budallallëk.

Unë kam punuar disa vjet si zëvendësministër i Mbrojtjes, kur Mehmeti u bë ministër pas goditjes së gjeneralëve. Më duhet të them me bindjen time të plotë, me ndjenjat e një ushtaraku atdhetar shqiptar se Mehmet Shehu, mbetet fortifikatori më i madh i të gjitha kohrave në Shqipëri, ai ishte ideatori i fortifikimeve… Dëshmitar i punës krijuese plot pasion të kreut të qeverisë dhe njëkohesisht, ministër i mbrojtjes, janë: Veli Llakaj, Nazar Berberi, Llambi Gegprifti, Sulejman Domi, Kiço Mustaqi, Qamil Poda, Myfit Bardhi, Xhenet Mujaj, Simon Ballabani, Neim Muho, Novruz Dervishi, Sotir Budina, Ramiz Feçorri edhe xhenierët e talentuar Mendu Backa, Alfred Moisiu, Josif Zegali.

Mehmet Shehu dinte me hollësi çdo detyrë operativo-luftarake të ushtrisë, gëzonte simpati shumë të madhe te kuadrot e ushtrisë… Veçanërisht Petrit Dumja e kishte Mehmetin si një idhull të tij dhe ishte i mbushur me plot besim e respekt për të.

Mehmet Shehu deklaronte: “Shteti është i fortë e i qëndrueshëm, vetëm atëhere kur të ketë një ushtri të fortë, të përgatitur mirë, në gatishmëri të lartë, e garante të sigurtë për ruajtjen e pushtetit dhe shtetit”.

Struktura e ushtrisë pësoi rritje të ndjeshme sasiore me një efektiv prej 400.000 forcash të organizuara në 9 korpuse 3 regjimente aviacioni, flota luftarako-detare me 4 regjimente anijesh mbrojtëse ujore, brigada e nëndetëseve, forcat e mbrojtjes kundërajrore dhe dhjetëra regjimente të  tjerë të kalibrave të ndryshëm. Gjithë rinia shkollore dhe universitare ishin forcat rezerve të ushtrisë.

Si ushtarak dhe bashkëkohës më takon të them,se tërë atë punë kolosale që është bërë në ushtrinë tonë është vepër e aftësive të jashtëzakonshme të një strategu ushtarak siç ka qënë Mehmet Shehu.

 

Çfarë ndodhi pas vdekjes së Mehmetit?

Pas vdekjes se Mehmetit, kandidat  i vetëm për të marrë pushtetin ishte Ramiz Alia. Dhe kështu ndodhi. Pas vdekjes së Enver Hoxhës erdhi në pushtet Ramiz Alia. Mirëpo në atë kohë, pra në vitet ’80 në përjetuam një tatëpjetë të pandalshme për shumë arsye. Ja, po radhis disa prej tyre:

Në radhë të parë kemi keqësimin e gjëndjes ekonomike në Shqipëri. Kjo ndodhi se politika që po ndiqte PPSH në atë kohë mund të përmblidhej në këto fjalë: Ajo as shihte e as digjonte! Ndërsa në të njëjtën kohë, vetë udhëheqja nuk ishte në gjendje për të udhëhequr sepse situata i doli jashtë kontrollit gjë që çoi në anarki. Me  sa duket zhvillimi duke u mbështetur kryesisht ne forcat e veta nuk dha rezultate të duhura dhe ju dha prioritet politikës mbi ekonominë!

Në këto kushte e rrethana Ramiz Alia deklaroi në një mbledhje të Byrosë Politike: “Sistemi socialist ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji. Kjo strategji do të synojë në dy drejtime: 1) Në respektimin e të drejtave të njeriut. 2) Në krijimin e pluralizmit demokratik”.

Ky qëndrim i pasardhësit të Enver Hoxhës është thuajse i njëjtë me atë programin politik që kishte hartuar Mehmet Shehu qysh në vitin 1942 dhe që iu quajt pas vdekjes si akt antikomunist dhe tradhtar…

Pas vitit 1990 ne që hiqeshim aq antikapitalistë dhe prokomunistë po shfaqemi tani në të kundërtën tonë!…

 

A duhet rivlerësuar Mehmet Shehu?

Padyshim. Atij për shumë vite iu numëruan vetëm gabimet, por iu mohuan kategorikisht meritat si të luftës ashtu dhe të punës për ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit. Por ai ka një vend nderi në panteonin e historisë së Shqipërisë moderne.

Sot thonë e ç’nuk thonë! Kur duan të luftojnë Enverin dhe Partinë e Punës, vlerësojnë si nën zë Mehmet Shehun, kur duan të mallkojnë socializmin, pushtetin popullor, diktaturën dhe “krimet” në luftë e pas lufte, mallkojnë Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun e të tjerë.

Politika shqiptare pas vitit 1990 i trëmbet vlerësimit të Mehmet Shehut. Ata nuk e pranojnë antifashizmin e tij si luftëtar i brigadave internacionaliste në Spanjë, nuk e pranojnë antifashizmin e tij si luftëtar i Luftës së Dytë Botërore, ata mohojnë tërë përpjekjet e Mehmet Shehut për pastrimin e maleve nga bandat e diversioniste në 1948-1953, ata mohojnë hidrocentralet, shkollat, pallatet e kulturës, stadiumet… Por çuditërisht i duan diplomat, titujt shkencorë, gradat që kanë patur nën qeverisjen e Kryeministrit Mehmet Shehut!

***

Ja edhe në këtë bisedë duke folur për të kaluarën ne kujtojmë Mehmet Shehun e “tmerrshëm”-si Kryeministër dhe ushtarak që u rrethua me shumë respekt e dashuri në tërë kohës sa ishte gjallë! Ai ishte i egër se kërkonte llogari sepse ja kërkonte detyra. Në punën e ushtarakut kërkonte korrektësi, kërkesë të lartë, urrente dhe dënonte gënjeshtrën, frikën dhe prirjen për t’ua lënë fajin të tjerëve! Ai theksonte se: Kush nuk i trembet përgjegjësisë sot në kohë paqeje, edhe nesër në kohë lufte do të dijë si të veprojë!

Këto i kam vënë re unë që kam punuar me Mehmet Shehun…/Dita

Please follow and like us: