Ministri i Jashtëm grek: E vërteta e 100 mijë çamëve të vrarë
Athina zyrtare vazhdon reagimet pasi në ndeshjen Shqipëri-Zvicër u shpalos një banderolë që akuzonte Greqinë për genocid kundër çamëve. “Greqia është fajtore. Kujtoni genocidin në Çamëri, 100.000 viktima shqiptare”, – shkruhej në anglisht, në banderolën që u mbajt për disa minuta para fillimit të ndeshjes.
Ministria e jashtme greke do të kërkojë shpjegime nga Ambasadori shqiptar në Athinë Dashnor Dervishi, si dhe homologu i tij francez, Christophe Chanetpy (Kristof Shantepi). Ndërkohë, qeveria greke ka protestuar edhe ndaj UEFA-s, me një letër të firmosur nga ministri i sporteve.
“Presim nga ana e UEFA-s ndëshimin e qartë të këtij akti, zbatimin me rreptësi të sanksioneve që parashikohen nga rregullorja për përgjegjësit dhe sidomos marrjen e masave nga ju si organizatorë me qëllim që të evitohen akte provokative të ngjashme kundër Greqisë”, thuhet në letrën e qeverisë greke.
Por edhe federata Greke e Futbollit bëri të ditur se ka komunikuar ne homologen e saj shqiptare (FSHF), nga e cila ka kërkuar që të dënojë aktin, ndërsa e ka vënë në dijeni se pala greke do të avancojë në veprime të tjera në kuadër të UEFA-s dhe të FIFA-s, lidhur me këtë ngjarje.
Ndërkaq, ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka thënë se shpalosja e banderolës është nxitur nga “disa qarqe që duan të minojnë përpjekjet për një afrim të ri midis Greqisë dhe Shqipërisë”. Duke folur në televizionin Mega Channel, ministri Kotzias i është referuar edhe numrit prej 100.000 viktimash që përmendej te banderola.
“Çamët në zonën e Epirit, gjatë luftës së dytë botërore, ishin 18.000. Rrjedhimisht, edhe sikur të ishim kaq të këqij, siç shkruhej në banderolë, 100.000 nuk ekziston si numër. E dyta është se sigurisht nuk pati genocid ndaj çamëve, përkundrazi, udhëheqësit e çamëve bashkëpunuan me okupatorin nazist”.
Përkundër kritikave të shumta ndaj tij, që u intensifikuan në fundjavë, me shkas incidentin në stadiumin e Lensit, ministri i jashtëm grek ka insistuar se qeveria shqiptare nuk i përkrah kërkesat e çamëve.
“Gjatë vizitës time në Tiranë (javën e kaluar), 4 herë ministri i jashtëm shqiptar përsëriti se Shqipëria i qëndron besnike marrëveshjes së Helsinkit, pranon kufijtë që përshkruhen në atë marrëveshje dhe se kërkesat për Çamërinë janë të paligjshme”, ka thënë ministri i jashtëm grek, i intervistuar nga televizioni Mega Channel./abcnews/