Albspirit

Media/News/Publishing

Piktura dhe muzeu ynë imagjinar

Në një galeri, një muze apo atelierin e ndonjë miku, shpesh na ndodh të jemi përballë një tabloje e të qëndrojmë gjatë. Vështrojmë veprën, ngjyrat, kompozicionin, karakterin e personazhit dhe menjëherë habitemi, pasi krijimi, subjekti, karakteri na shfaqet me një lloj të papriture, në një gjetje interesante dhe vlerë bukurie. Pa dyshim që e bukura nuk është një vlerë absolute, edhe pse aty-këtu duket e tillë kur është fjala për pikturat e qytetërimeve të vjetra, të shpellave si në Lascaux, afreskeve bizantine apo tablove mitike të Rilindjes europiane.

E megjithatë, e bukura ka pasur evolucionin e vet si perceptim, koncept filozofik e vlerash. Dhe kjo që në mënyrën sesi artisti e ka parë natyrën dhe si ai e ka përcjellë atë në telajo, si është dhënë vetë natyra njerëzore. Poeti Baudelaire që e vëzhgonte thellësisht natyrën, shikonte me imtësi blunë e qiellit, jeshilen e gjelbërimit, lulëkuqet në një fushë të gjelbër etj.; pikaste ndryshimin e ngjyrave gjatë një dite në raport me dritën, diellin, hijet e hapësirave blu, duke kërkuar tonet okër apo rozë.

Ai shkruante se simfonia e madhe e ditës, ky variacion apo himn i komplikuar, quhet ngjyrë». «Me ngjyrë, – thoshte ai, – ne gjejmë harmoninë, melodinë, kontrastin…» Pra ngjyra për të është një akord midis dy tonesh, tonet e ngrohta dhe të ftohta. Harmonia është kështu baza e teorisë së ngjyrave. Ja pra magjia e artit, krijimi i artit, krijimi në ethe për të ngjizur shëmbëlltyrën, atë që është alkimi apo e përngjashme, që s’ka asgjë të njeriut por që është veç ngjyrë e formë, e megjithatë na transmeton një emocion të jashtëzakonshëm, pasi neve na ngjan se personazhi që na shfaqet përpara është prej mishi e gjaku, se ai pulson ndjenjë, se ai ka histori, se ai vjen nga diku për të na thënë diçka për jetën, luftën, botën e mbi të gjitha për dashurinë.

Sigurisht, siç thotë dhe Renoir, «paleta e ngjyrave të një piktori s’ka ndonjë domethënie në vetvete, pasi është syri i tij ai që bën gjithçka». Është pra syri i tij që krijon harmoninë e figurës, brenda saj apo në raport me mjedisin dhe njerëzit e tjerë, me natyrën. Ky është krijimi i së bukurës, të cilës Umberto Eco, në mënyrë pasionante, duke na risjellë nga arkivat e kohës dhe muzeumeve imazhet e pikturës botërore, i kushtoi një libër: e bukura në art. Por le t’i drejtohemi piktorit të shquar francez Delacroix rreth të bukurës.

Ç’është ajo për të? «Ndjenja e së bukurës, – shkruante ai në ditarin e tij më 1854, – është ajo që na tërheq kur shohim një tablo të Raffaello-s apo të Rembrandt, një skenë të Shakespeare apo Corneille e ku ne themi: «Sa bukur! Tabloja e Silene (e Rubens) është e bukur, Fauve, gjithashtu, dhe tabloja Sokrati është e bukur, ajo kokë plot hire megjithëse ka atë hundë të vogël, të çuditshme, gojën me buzë të trasha dhe sy të vegjël. Portreti vërtetë që nuk shkëlqen për nga simetria dhe proporcionet e tipareve, por ajo është e gjallëruar nga refleksi i mendimit dhe një ngritje e brendshme shpirtërore…».

Pra, secili nga ne ka muzeun e tij imagjinar, ka preferencat e tij ndaj pikturës, figurative apo abstrakte, ka autorët e tij të preferuar: vallë ai preferon më shumë autorët e Renesancës italiane me treshen e famshme Da Vinci, Michelangelo e Raffaello, piktorët flamandë me Rembrandt, Brughel apo Vermeer, ata spanjollë me Goya, El Greco apo Velasquez apo francezët dhe shkollën pikturale të quajtur «Ecole de Paris», ku shkëlqejnë Chagall, Modigliani, Kandisnky, Marguerite, Picasso e shumë të tjerë… E kisha dashur pikturën që në rininë e hershme, edhe pse nuk dija të vizatoja apo të bëja një portret, një peizazh. E megjithatë, kur isha student, muret e dhomës time ishin plot me riprodhime piktura të mjeshtërve botërorë, edhe pse disa prej tyre ishin të ndaluar. Kështu, më vonë, miqtë e mi piktorë, kush më jepte ndonjë peizazh, kush një riprodhim nga Van Gogh, Cezanne apo Renoir. Kisha shumë miq piktorë. Jetoja midis poezisë dhe pikturës. Por ajo që më përkundi plotësisht në artin e pikturës ishte ardhja time në Paris.

Tashmë ishte rasti të shikoja jo katalogët e ekspozitave, por tablotë origjinale të tyre në Louvre, në Musée d’Orsay, në Muzeun e Artit Modern etj., si dhe në galeritë e mëdha, ku pata rastin të mrekullohesha pas piktorëve të «Ecole de Paris», si Chagall, Modigliani, Kandinsky, e më pas, në muzeumet e Amsterdamit, Bruges, Bruksel, të shikoja Brueghel, Vermeer, apo Caravaggio etj., në «El Prado» të shikoja El Greco, Velasquez, Goya apo Zurbaran, e në Firencen e famshme në «Gallerie degli Uffici», krijimet e madhërishme të gjenive nga «quatrocento» në «seicento». Ishin impresione tronditëse dhe kështu unë fillova të shkruaja për ata, për ekspozitat e tyre retrospektive në «Grand Palais» apo «Petit Palais», në «Jeu de Pomme», «Marmottan» etj., ekspozitat e koleksionistëve të mëdhenj, veçanërisht atyre amerikanë, të cilët kishin blerë një pjesë të madhe të pikturës europiane. Ky ishte për mua zbulimi i vërtetë i artit të pikturës.

Kështu, unë fillova të krijoj muzeun tim imagjinar me ato ç’kisha parë. Shikoja paletat e tyre, ngulja sytë në ato ngjizje bojërash dhe adhuroja tonet e ndryshme dhe variacionet e tyre, variacionet rreth të kuqes, ekarlat, vermeij, «cramoisi», e kuqe «veneciane» etj., dhe po kështu variacionet e jeshiles, okrës, të zezës… Dhe përsëri i rikthehesha të kuqes që më tërhiqte pa masë.

Ndoshta pse ajo ishte më e ngrohtë, më vitale. E kuqe gjak, çka më kujton sot mikun tim Omer Kaleshi, i cili kur ishte student në Stamboll në «Akademinë e Arteve të Bukura», për të gjetur variacionet e së kuqes, si ngjyrë e përzgjedhur e tij, kishte marrë në thertoret e qytetit një bidon me gjak. Që në kohën e Antikitetit Platoni kishte shkruar se «e kuqja, e përzier me të zezë dhe të bardhë jep ngjyrën e purpurt; se okra krijohet nga e bardha me ngjyrën e arit; se e kuqërremta e përzier me të zezën jep jeshilen…».

E KUQJA
Lexoja Platonin mbi ngjyrat dhe më shfaqeshin prostitutat romake në lupanarët e Pompeut të dikurshëm që s’ka një shekull që na janë shfaqur, duke dalë nga hiri i Vezuvit me një bukuri të përjetshme. Pastaj Gëte më bënte leksionin sipas librit që kishte shkruar dy shekuj më parë «Traktati i ngjyrave». U dhashë shumë pas ngjyrave, aq sa dhe në një roman që shkrova rreth një tabloje të Courbet, «Origjina e botës», kapitujt i ndaja në ditë dhe ditët në ngjyrat e mia të preferuara… Vështroja tablotë me të kuqe dhe spikasja se e kuqja kishte në një seri nuancash të pafundme: edhe e kuqja “kardinal” apo “karmin”, edhe e kuqja e “Andrinopojës” apo e “Pompeut”, e kuqja “Ticiani” apo “Karpaçio”, e purpurta, “cadmium”… Po, e kuqja ishte ngjyra e dashurisë dhe e pasionit, e zjarrit, gjakut, erotizmit.

A nuk flitet për të në tekstet e shenjta hebraike, egjiptiane apo kristiane? A nuk e gjejmë atë në liturgjitë e vjetra romane, në petkun e priftit për ditën e festës së Jezu Krishtit?… Përse vallë diktaturat moderne e kishin bërë të kuqen ngjyrën e tyre të preferuar? E kuqja m’u bë e afërt gjithashtu kur shkruaja librin për Durazzo-t, dozhët e purpurt të Republikës së Gjenovas. Dozhët prej shekujsh vishnin një petk të purpurt, gjithë shkëlqim. Po kështu më pëlqen veluri i kuq në një kafene apo në ndonjë hotel, çka më kujton atë frazë të këndshme të Sonia Rikiel që shkruante: “E kuqe… si ngjyra në ekstrem, kënaqësia pa kufi, provokacioni pa kufij, çmenduria e një fushe me lulëkuqe, kristalizimi i dashurisë së çmendur…”

Diku kisha lexuar se irlandezët në Mesjetë e mbanin ngjyrën e gjelbër si ngjyrën e gëzimit. Në kohët antike, e gjelbra mendohej se ishte ngjyra e planetit Venus dhe në liturgjitë katolike romane, në ceremonitë e zakonshme, prifti vishej me rroba jeshile. Të gjelbrën, Gëte e kishte ngjyrën e tij të preferuar. Madje në një shkrim të tij, ai rekomandonte që muret e dhomave të gjumit të lyheshin me të gjelbër. Por jeshilja lidhej dhe me tragjiken.

Ditën e fundit të jetës së tij, Molieri luante në skenë veshur me një rrobë jeshile. Po atë mbrëmje kishte vdekur. Që atëherë, aktorët nuk pranonin të vishnin rrobe jeshile kur luanin teatër. Kjo ngjyrë u ndillte keq. Kur isha në gjimnaz kisha dëgjuar profesoreshën e vizatimit se “Roza është bastarde e së kuqes”. Më vonë lexova vargje të Verlenit që i këndonte trëndafilave rozë. Pastaj mësova legjendën e Afërditës, hyjnisë së dashurisë, që sipas mitologjisë ishte simboli i ngjyrës rozë. Ishte ngjyra e saj. Në antikitet, trëndafilat ishin vetëm të bardhë. Legjenda thoshte se një ditë, kur donte të ndihmonte Adonisin nga Marsi xheloz, padashur këmba e saj shkeli gjembin e një trëndafili, dhe gjaku i saj e ktheu trëndafilin në ngjyrë rozë. Shumë më vonë dëgjova dhe këngën e Edit Piaff, La vie en rose (Jeta në ngjyrë rozë).

E VERDHA
Në botën kromatike, e verdha në antikitet ka qenë simbol i diellit, dritës, gëzimit dhe ngrohtësisë. Në tekstet e vjetra shkruhej për «të verdhën e Napolit», që aq shumë e preferonin piktorët flamandë të shekullit XVII. Më vonë, unë zbulova të verdhën e fushave me grurë të Van Gogh-ut, lulet e diellit, «les Tournesols», të pikturuara prej tij. Por në Mesjetë, të verdhën nuk e pëlqenin dhe aq, edhe pse në martesat mbretërore preferohej rroba e verdhë.

Shumë më vonë shijova ngjyrën e zezë, një ngjyrë popullore, tepër e përdorshme, aq sa nuk mund ta konceptosh jetën apo botën kromatike pa të zezë. Ajo ka qenë gjithnjë e pranishme në rrobën qytetare të salloneve mondane si dhe në rrobën e grave të veja nga veriu dhe deri në jug të vendit. Në Paris, të zezën e ndeshja shpesh te miku im Kaleshi. Koka e tij me flokët e bardha, qëndronte shumë bukur në atë siluetë të zezë. Ai vishej gjithnjë në të zeza. I pëlqente shumë e zeza, kjo ngjyrë mistike. Madje dhe në pikturat e tij kishte shumë tablo të «dramës Ballkanike» në sfonde të errëta.

Sfonde tragjike, të luftës dhe dhembjes njerëzore… Një të zezë të tillë ai e kishte pikasur në «pikturën e errët» të Françisko Gojas, siç e cilësonin kritikët e artit, apo «descente aux enfers» (Zbritje në ferr), periudhën e fundit të jetës së tij, ku ai krijoi ciklin e tij në shapelën e San Antonio dela Florida. Disa mendojnë se e zeza është një simbol i ankthit dhe i revoltës. Njerëzit dikur thoshin shpesh “magjia e zezë”, “seria e zezë”, “tregu i zi” apo “filmi i zi”, i quajtur ndryshe “film noir”. Pesëdhjetë vjet më parë, Matisse kishte deklaruar plot zhurmë: “E zeza është një ngjyrë”. «Le noir est une couleur!» (E zeza është një ngjyrë»)…

Sigurisht, s’kishte si të mos ishte ndryshe. Dhe ai, bashkë me Braque dhe Bonnard, në galerinë e famshme «Maeght» në Paris, kishin hapur ekspozitën me titullin «E zeza është një ngjyrë». Ndërsa bluja për mua ka qenë gjithnjë një ngjyrë disi e ftohtë edhe pse ishte ngjyra e preferuar e piktorit Paolo Ucello. Por ajo ishte gjithashtu dhe ngjyra e mbretërve francezë të quajtur “capetiens”. Nga ata kishte mbetur dhe shprehja “me gjak blu”, pra me gjak mbretëror. Në blu kishte qenë dhe hyjnia Krishna, e popujve hindu. Bluja ishte simbol i freskisë dhe pastërtisë…

Sidoqoftë, përmes ngjyrës, linjës, formës, detajit, krijimi i një vepre arti ngërthen shumë mistere. Ajo që më parë ishte shumë e rëndësishme nuk është dhe aq sot. Është fjala për sytë, që për piktorët modernë pak rëndësi ka pasqyrimi i tyre, siç e shohim p.sh. te Marguerit apo shumë të tjerë. Por Van Gogh thoshte se «më shumë parapëlqej të pikturoj sytë, sesa katedralet, sepse tek sytë», pohonte ai, “ka diçka që nuk e gjen te katedralet, edhe nëse ato janë madhështore dhe na sugjestionojnë…” Dhe padyshim ka të drejtë, sytë janë shprehia e një portreti, e një figure, edhe pse një figurë mund ta shprehësh dhe me sy flu.

Arti i pikturës ka qenë dhe mbetet padyshim një nga më të parapëlqyerit, krahas artit të fjalës së shkruar apo muzikës, edhe pse Da Vinci i jep prioritet artit piktural ndaj fjalës poetike. Dhe të ngjan se mundësitë e secilit prej arteve janë të pakufishme, çka e kanë treguar dhe e tregojnë shkollat e ndryshme artistike të krijuara që nga arti primitiv e këtej, deri në shekullin e sotëm të teknologjive të reja. E megjithatë, vështrimi ynë mbetet disi pas, pasi çdo ekspozitë e piktorëve te mëdhenj të shekujve pararendës ngjan me një zbulim të ri për ne, duke krijuar një emocion të veçantë. Për pikturën është shkruar dhe do të shkruhet shumë edhe në të ardhmen. Zbulimi i çdo tabloje të re është më shumë se kënaqësi, pasi të kundrosh një tablo ngërthen diçka më shumë se kaq. Ajo është një dëshmi, një impresion, një kujtesë apo tronditje për një ngjarje historike, një ngazëllim apo prehje për një portret të dashur, që është ngjizur aty me shumë mund, ethe e dashuri. Kështu, pikturat arrijnë të flasin dhe të na frymëzojnë. Ato na bëjnë gjithnjë të udhëtojmë për diku…

Na ndodh shpesh të qëndrojmë para tablosë dhe pyesim: ç’përfaqëson ajo? Vallë thjesht një ushtrim mjeshtëror të ngjyrës, linjës, figurës, sfondit, detajit, natyrës, të një drame njerëzore e historike, apo diçka më shumë, diçka të shtresuar në të, atë çka duket me vështirësi dhe që është fshehur brenda tablosë, figurës, ngjyrës. Por ne e kuptojmë shpejt se aty ka gjithashtu diçka tjetër, dhe mbi të gjitha, një gjendje ekstaze, vuajtje, habie të vetë artistit, apo një ndjesi ngazëlluese në kulminacion. Shohim portretet e Tiziano-s dhe mrekullohemi me forcën e portreteve të tij, me ato telajo të mëdha apo të formatit të zakonshëm, ku në teksturën e telajos, gishtat (dhe jo penelat) e piktorit kanë ngjeshur ngjyrën, njollë mbi njollë për të krijuar atë lloj pikture («pittura di macchia») që do t’i sillte aq shumë ngazëllim njerëzimit.

PIKTORËT
E habitshme por vazhdimisht kam menduar më shumë për vuajtjen sesa për ngazëllimin e krijuesve. Përse? Sepse Botticelli kërkoi të varrosej në fundin e jetës së tij tek këmbët e varrit ku ishte varrosur modeli i tij, e bukura Simonetta; sepse Goya përfundoi në pleqërinë e tij me serinë e «pikturave të zeza» dhe se koka e tij kur u zhvarros, nuk u gjet më; sepse Van Gogh u vetëvra pranë kavaletit të tij nën një qiell blu e plot korba; se Picasso, dy ditë para fundit të ekzistencës së vet i tregonte mikut të tij, kritikut Pierre Daix, portretin e një njeriu me ankthin e tmerrshëm të vdekjes dhe i thoshte se «ai jam unë». E tmerrshme kjo sfilitje dhe përkushtim për artin.

Një pyetje që vështirë t’i përgjigjesh. Edhe Rembrandt e përjetoi mjerimin: përjetoi gjendjen e privimit të njeriut nga gjithçka. I mbytur në borxhe në kohën e luftës së Holandës me Anglinë, njeriu që më parë jetonte si fisnik, një ditë të vitit 1657, pa të trokisnin në portën e tij huadhënësit, të cilët do t’i merrnin gjithçka: pikturat dhe koleksionet e tij, e madje dhe orenditë e shtëpisë. I mjeri Rembrandt. Imagjinoni një çast artistin e madh, të mbetur vetëm me një foshnje, në një shtëpi të bastisur ku i kishte mbetur tashmë vetëm kavaleti dhe ngjyrat e tij si dhe një shtrat për të fjetur. E megjithatë, piktori do të gjente forca të krijonte.

Ai kishte besim në artin e tij. Në shtëpinë e bastisur, ai do të punojë i vetmuar, duke harruar të hante dhe i veshur keq, aq sa më 1681, më shumë se një dhjetëvjeçar pas vdekjes së tij, Filippo Baldinucci, do ta përshkruante Rembrandt-in në atelierin e tij, duke punuar: «Portreti i atij të mjeri shoqërohej nga rrobet e pista që mbante veshur. Kështu ishte mësuar të rrinte ai, duke i fshirë furçat mbi veshjen e tij. Kur punonte, ai nuk pranonte të priste as monarkun më të madh të botës…». Dhe përsëri ne i rikthehemi artistit, tablove, krijimit, mundit artistik, talentit, gjenisë. Gjithçka ngjizet aty, mbi telajo. Drama dhe ngazëllimi i artistit është një botë më vete, ajo e nëndheshmja, ku pulson jeta dhe historia njerëzore, e cila na rikthehet në mënyrë metafizike përmes ngjyrës, formës, abstraksionit, dinamikës së brendshme të një pikture. Ja pse Leonardo Da Vinci thoshte me forcë: “Pitura é una cosa mentale”.

Please follow and like us: