Albspirit

Media/News/Publishing

Reagimi i opozitës për reformën në drejtësi, pas komenteve të kryeministrit Rama

  • Ilirian Agolli

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në një konferencë shtypi se opozita po bën detyrën e saj për mos-kapjen e drejtësisë nga qeveria.

Zoti Basha tha se vendet e rezervuara, të rekomanduara nga komisionin e Venecias, janë garancia për mos-kapjen e drejtësisë, sepse drejtësia e kapur politikisht do të mbrojë korrupsionin qeveritar dhe krimin.

Ai shtoi se kryeministri Rama pranoi rekomandimin për dy institucione, por jo për dy të tjera.

“Kjo është një përpjekje serioze për t’u dhënë shqiptarëve garanci për reformën. Parimi është ai i vendeve të rezervuara. PD e ka pranuar paragrafin nr. 88. Edi Rama s’do të përjashtojë nga sistemi prokurorët e korruptuar, gjyqtarët që ndjekin lidhjet kriminale të kësaj qeverie etj. Jam këtu për t’u garantuar shqiptarëve një sistem të pakapur politikisht. Kërkoj nga Rama të pranojë paragrafin 88 edhe për dy institucione të tjera” – tha zoti Basha.

Kryetari i opozitës tha se Partia Demokratike e ka pranuar parimin e vendeve të rezervuara për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe atë të Prokurorisë.

“Zoti Rama pranoi se ishte ai pengesa deri sot një reformën në drejtësi që ndëshkon krimin në nivele të larta. Tregoi se nuk heq dorë nga kapja politike, tregoi se dëshiron të kapë politikisht këto dy organe. Modeli i vendeve të rezervuara është rruga e konsensusit politik për dy institucione që Rama i ka pranuar por dhe për dy të tjera që nuk i ka pranuar. Rruga është e hapur. Rama t’i bindet plotësisht komisionit të Venecias”, tha zoti Basha.

Kryetari i PD-së, tha se kryeministri Rama e mendon këtë proces si fitore të qeverisë dhe humbje të opozitës.

Zoti Basha tha se opozita kurrë nuk ka kërkuar 2/3, por qeveria me këtë mekanizëm synon të kapë drejtësinë.

Ai tha se armiku më i madh i drejtësisë është kapja nga politika, por ndërkombëtarët kërkojnë të ndiqet rruga e konsensusit politik mes palëve.

Zoti Basha u shpreh se kryeministri Rama duhet të ndajë mendjen nëse është për një drejtësi të reformuar e të pakapur politikisht.

Sipas tij, opozita ka vetëm një synim; që drejtësia të mos kapet nga politika dhe emërimet në institucionet e drejtësisë të mos jenë ushtarë të partive politike.

Please follow and like us: