Albspirit

Media/News/Publishing

Terrorizmit do t’i përgjigjemi me dashuri për njëri-tjetrin

Fjalimi i Presidentit Barack Obama mbi Vrasjen Masive në Orlando (12 qershor, 2016)

PRESIDENTI: Sot, si amerikanë, ne vajtojmë vrasjen brutale –  një masakër e tmerrshme – të shumë njerëzve të pafajshëm.  Ne lutemi për familjarët e tyre, të cilët kërkojnë përgjigje me zemra të thyera.  Ne qëndrojmë në krah të njerëzve të Orlandos, të cilët përjetuan një sulm të tmerrshëm në qytetin e tyre.  Edhe pse hetimi është ende në fillim, ne dimë mjaftueshëm për të thënë se ky ishte një veprim terrorizmi dhe një veprim urrejtjeje.  Dhe si amerikanë, ne jemi të bashkuar në vajtim, në dhimbje, dhe në vendimin për të mbrojtur njerëzit tanë.

Unë sapo përfundova një mbledhje me Drejtorin e FBI-së Komei, si dhe këshilltarët e mi për sigurinë në vend dhe sigurinë kombëtare.  FBI-ja është në vendin e ngjarjes dhe po drejton hetimet në bashkëpunim me forcat lokale të rendit.  Kam urdhëruar që të gjitha burimet e qeverisë federale të vendosen në dispozicion të këtij hetimi.

Ne jemi ende duke marrë informacion.  Ky është një hetim i hapur.  Ne nuk kemi arritur në asnjë përfundim të saktë mbi motivet e vrasësit.  FBI-ja po e heton këtë ngjarje si një akt terrorizmi.  Dhe unë kam urdhëruar që të mos kursejmë asnjë përpjekje për të përcaktuar nëse vrasësi është frymëzuar apo ka pasur lidhje me grupet terroriste – nëse ka pasur.  Ajo çfarë kemi të qartë tani është se ky ishte një individ i mbushur me urrjetje.  Gjatë ditëve në vijim, ne do të zbulojmë se përse dhe si ndodhi e gjithë kjo, dhe do të shkojmë pas fakteve kudo që ato të na drejtojnë.

Këtë mëngjes fola me mikun tim të mirë, kryetarin e bashkisë së Orlandos, Badi Dajer, dhe i përcolla atij ngushëllimet e të gjithë popullit amerikan.  Kjo ngjarje mund të kishte ndodhur në çdo komunitet tonin.  Prandaj dhe i thashë kryebashkiakut Dajer se do t’u jepet çfarëdolloj ndihme për të cilën ai dhe njerëzit e Orlandos kanë nevojë.  Si komb, ne do të jemi aty për njerëzit e Orlandos sot, nesër dhe përgjatë gjithë ditëve në vijim.

Ne i shprehim gjithashtu mirënjohjen më të thellë të gjithë policëve dhe ndihmës së parë që vrapuan drejt rrezikut.  Kurajo dhe profesionalizmi i tyre shpëtoi jetë, dhe ndihmoi që kjo masakër të mos shkonte më tej.  Kjo është ajo lloj sakrifice që forcat e rendit bëjnë çdo ditë për ne, dhe ne asnjëherë nuk mund t’i falenderojmë mjaftueshëm.

Kjo ditë është veçantërisht e dhimbshme për të gjithë miqtë tanë – për bashkombësit tanë amerikanë – të cilët janë lezbike, gei, biseksualë apo transgjinorë.  Vrasësi vuri në shënjestër një klub ku njerëzit mblidheshin për të ndenjur me miqtë, për të kërcyer dhe kënduar, dhe për të jetuar.  Vendi që ai sulmoi është më shumë sesa një klub – është një vend solidariteti dhe mbështetje, ku njerëzit mblidheshin së bashku për të rritur ndërgjegjësimin, për të thënë mendimin e tyre, për të mbrojtur të drejtat e tyre civile.

Prandaj dhe kjo është një përkujtesë e dhimbshme që sulmi ndaj çdo amerikani – pavarësisht racës, etnisë, besimit fetar apo orientimit seksual – është një sulm ndaj të gjithëve ne, dhe ndaj vlerave themelore të drejtësisë dhe dinjitetit që na përcaktojnë ne si shtet.  Dhe asnjë veprim urrejtjeje apo terrorizmi nuk do arrijë dot kurrë që të ndryshojë atë që ne jemi apo vlerat që na bëjnë ne amerikanë.

Dita e sotme shënon vrasjen masive më të përgjakshme në historinë amerikane.  Thuhet se vrasësi ishte i armatosur me një pistoletë dhe një pushkë të fuqishme sulmi.  Prandaj dhe kjo masakër është edhe një kujtesë e mëtejshme se sa e lehtë është për dikë që të marrë në dorë armë dhe të gjuajë njerëz në shkollë, në një vend besimi, në një kinema, apo në një klub nate.  Dhe ne duhet të vendosim nëse është ky vendi që duam.  Dhe të mos bëjmë asgjë për këtë është gjithashtu një vendim.  Gjatë ditëve në vijim, do të mësojmë më shumë për viktimat e kësaj tragjedie.  Emrat e tyre.  Fytyrat e tyre.  Kush ishin ata.  Gëzimet që ata kanë sjellë për familjet dhe miqtë e tyre, dhe ndryshimet që kanë sjellë në këtë botë.  Thoni një lutje për ta dhe thoni një lutje për familjet e tyre – që Zoti t’u japë atyre forcën për të përballuar të papërballueshmen.  Dhe që Ai të na japë ne fuqinë për të qenë pranë tyre, dhe forcën e kurajon për të ndryshuar.  Duhet të tregojmë se ne – si komb – na përcakton mënyra se si ata jetuan jetën e tyre dhe jo urrejtja e një njeriu që i mori ata prej nesh.

Ndërsa qëndrojmë të bashkuar, le të frymëzohemi nga veprimet heroike dhe altruiste – miqtë që ndihmuan miqtë, që u kujdesën për njëri – tjetrin dhe shpëtuan jetë.  Terrorizmit dhe dhunës, do t’i përgjigjemi me dashuri për njëri-tjetrin. Ne nuk do t’i jepemi frikës dhe as nuk do të kthehemi kundër njëri-tjetrit. Përkundrazi, do të qëndrojmë të bashkuar, si amerikanë, për të mbrojtur njerëzit tanë, vendin tonë, dhe për të vepruar ndaj atyre që na kërcënojnë.

Zoti i bekoftë amerikanët që humbëm këtë mëngjes.  I lutemi Atij që t’i ngushëllojë familjet e tyre.  I lutemi Zotit që të vazhdojë të mbrojë këtë vend që ne duam.  Faleminderit.

Please follow and like us: