“Virgjëresha e fundit e përbetuar” në Mal të Zi [video]
Një praktikë e pazakontë i ka mbijetuar kohës me kokëfortësi në fshatrat e Ballkanit që nga koha e mesjetës.
The Guardian i ka kushtuar një artikull “virgjëreshave të përbetuara” të Ballkanit, traditë kjo mjaft e njohur edhe në trojet shqiptare. “Tradicionalisht, nëse kreu i një familjeje në këtë shoqëri patriarkale do të vdiste pa lënë trashëgimtar një burrë, atëherë një nga bijat e tij mund të zgjidhet që të ‘bëhej burrë’”, shkruan The Guardian. Ajo do të vishej si burrë, do të kishte lejen për të pirë duhan dhe do të shoqërohej me burrat në kafenetë e fshatit, madje do të mbante edhe armë, transmeton Koha.net. Por, të gjitha këto privilegje kishin çmimin e vet, ajo duhej të bëhej “virgjëreshë e përbetuar”. Kushti i saj i beqarisë dhe premtimi i saj për t’u përkujdesur për nënën, motrat dhe pronat e familjes do të bëhen synimi kryesor i jetës. Në shumë raste, shkruan The Guardian, kjo ishte mënyra e vetme që një grua mund të trashëgonte pasurinë e familjes së saj. E fundit “virgjëreshë e përbetuar” në Mal të Zi, në maj ishte larguar nga fshati Savnik për t’u rikthyer në shtëpinë e saj të mëparshme në Risan, për shkak të përkeqësimit të shëndetit. Kjo është Stana Ceroviq, e cila kishte lindur më 1936, fëmija më i ri në familjen e pesë femrave dhe dy meshkujve, dhe që të dy kishin vdekur të rinj. Që kur ishte fëmijë ajo i kishte premtuar babait të saj se nuk do të martohej asnjëherë, dhe në vend të kësaj do të përkujdesej për familjen.
Gjatë tërë jetës së saj ajo ishte shoqëruar me burra. Në moshën pesë vjeçare kishte filluar të pinte duhan, ndërsa në moshën shtatë vjeçare kishte filluar të punonte në fushat e babait të saj. Babai e kishte mësuar edhe si të shtinte me armë. “Ajo mendonte për veten si burrë, dhe motrat e saj e vizitojnë sikur të ishte vëllai i tyre”, ka thënë kushërira e saj Mara Ceroviq. Ceroviq asnjëherë nuk ishte veshur si grua. Detyrat e gruas gjithmonë ishin kryer nga motrat e saj, si larja dhe pastrimi. Ajo gjithmonë ka qenë “burri i familjes”. Kjo traditë e “virgjëreshave të përbetuara” ka qenë traditë shumë shekullore në Ballkan. Por, në moshën 80 vjeçare, Ceroviq është lodhur mjaft shumë, në vitin e kaluar ishte detyruar t’i shesë shumicën e gjedheve, pasi njëra prej tyre ishte lënduar. Tani edhe Mali i Zi ka filluar përkujdesjen për të, duke e dërguar në një shtëpi pleqsh. “Është detyra jonë që të përkujdesemi për Stanan”, ka thënë një punëtor social i Savnikit. The Guardian shkruan më tutje se këto rregulla arkaike e kanë origjinën në fshatrat malore të Malit të Zi, Kosovës Jugore, dhe Veriut të Shqipërisë nga shekulli i 15-të. Edhe disa ishuj të Dalmacisë e kanë praktikuar këtë traditë. Gratë i kanë prerë flokët, janë veshur si burra, dhe shpesh i kanë ndërruar edhe emrat. Shumë prej tyre kanë kopjuar edhe gjestet e burrave. Më 2012 fotografi amerikan Jill Peteres kishte udhëtuar në veri të Shqipërisë dhe kishte mbledhur një koleksion unik të portreteve të “virgjëreshave të përbetuara”, në mënyrë që të dokumentojë këtë fenomen që po vdes.
Në foto shqiptarja, Zhire, e cila e ka ndërruar emrin në Sokol Zmajli, 80 vjeç
Ky zakon ka mbijetuar në Shqipëri, por ka vdekur tashmë në Dalmaci dhe Bosnje, dhe është në ditët e fundit të saj në Mal të Zi. Regjisorja italiane Laura Bispuri më 2015 ka bërë një film në bazë të novelës së shkrimtares shqiptare Elvira Dones, “Virgjëresha e përbetuar”, të cilën e ka shkruar në vitin 2007.
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=IQAEWKQ-7oc]
Për dallim nga heroina e novelës së Dones, Ceroviq nuk i ka rënë pishman për atë që ka bërë. Dëshira e saj e fundit është që të kujtohet në varrezat e familjes si biri i vetëm i mbijetuar i babait të saj.