Albspirit

Media/News/Publishing

18 vite pas luftës, Besarta, e mbijetuara e Jasharëve

Sytë e saj panë shumë. Ishin sytë e një 10-vjeçareje e cila mbajti mbi supe peshën e rëndë të një lufte plotë ideale.

Sot 28-vjeçe, Besarta Jashari, vajza e Hamzës dhe mbesa e Ademit, dy luftëtarëve legjendarë të luftës së Kosovës. Rikthimin në Kulën e Jasharëve në Prekaz të Drenicës nuk e ka të lehtë. 18 vite më parë ajo ishte e vetmja e mbijetuar nga sulmi 3 ditor i forcave serbe.

Pas një lufte të ashpër me burrat e familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars 1998 mbetën të vrarë edhe gratë e pjesa më e madhe e fëmijëve, vetëm Besarta mbijetoi.

Në këto vize çdo gjurmë mbart nga një copëz historie. Rrëfimi i momenteve të vrasjeve ja shpeshton frymëmarrjen Besartës e megjithatë forca nuk i ka shteruar.

“Kemi qëndruar 3 ditë dhe më 7 mars ka qenë koha kur shkijet janë afruar. Pasi është vrarë gjyshi, baba jem dhe Ademi, më pas shkijet janë afruar në drejtim tonin dhe kanë filluar të gjuajnë nga shtëpia. Të gjithë kanë vdekur, shpëtuam unë me motrën e vogël dhe dy kushërinjtë. Pastaj serbët qëlluan sërish në drejtimin tonë dhe u vranë. Këtu ka qenë i vrarë Ademi, k’tu nusja e tij dhe këtu kam bërë unë si e vrarë”, shprehet Besarta Jashari.

Nga marsi i 18 viteve më parë, Besarta e ka ende një peng, që do t’i rrahë si çekan në kokë përgjatë gjithë jetës.

“Kanë prek rënd trupat a janë të vdekur. Më ka ngelur peng motra e vogël”.

Edhe pse atëherë ishte vetëm një fëmijë, rezistenca e saj për të mos folur as para presionit të ushtarëve serbë, ka triumfuar.

“Ata kanë bërë shumë pyetje, por nuk u kam treguar. Më pas më kanë lënë të lirë dhe erdhi gjyshi të më merrte”, tregon Besarta.

Të vetmen grimcë buzëqeshjeje brenda mureve të kësaj shtëpie, ja jep nostalgjia.

“Sa herë të vij këtu më kujtohet kur mami na ushqente dhe këngët e babit për mëmëdhenë”.

Sot, Besarta shijon familjen e saj të vogël. Të birin e ka quajtur me pseudonimin e të atit: “Dyl”. Së bashku me të shoqin, ata të tre vijnë çdo fundjavë në Prekaz, aty ku jeton vëllai tashmë i vetëm, Bekimi.

Besarta dhe Bekimi janë të vetmit trashëgimtarë nga nëntë fëmijët që kishte Hamëz Jashari. Ajo, e vetmja e mbijetuar e marsit 1998, ndërsa ai, i dërguar qëllimisht nga i ati në Gjermani gjatë viteve të luftës, sikur ta kishte parashikuar fatin e të tjerëve. Kujtimi i ritakimit me të motrën, qershorin e po atij viti, i përlot sytë.

“Aq sa ishte e dhimbshme ishte dhe krenare. U përqafuam gjatë. Por u ndezën disa shkëndija për një jetë të re për mua dhe motrën”, shprehet Bekimi.

Edhe Bekimi ka pengjet e tij.

“Nuk shkon ditë që s’ja them vetes, të paktën dy herë, se pse nuk isha me babain tim dhe familjen time”.

Rituali i përhershëm i tyre është vizita tek varret e 56 të vrarëve të atyre tre ditëve, 20 prej të cilëve nga familja Jashari. Në rrugën mes shtëpisë dhe memorialit që i lidh vija simbolike e gjakut  të derdhur për liri, ecin me kokën lart.

Edhe pse e  kaluara i ka lënë një vragë të pashlyer në zemër, e ardhmja e Besartës është plot dritë.

Please follow and like us: