Albspirit

Media/News/Publishing

Arrestim pa përshëndetje…

Arrestimi i kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, hyn tek arrestimet e nivelit të lartë, pasi kemi të bëjmë me të zgjedhur dhe një person të preferuar e të afërt me kryeministrin. Ndërkohë që ka shumë spekullime nëse kjo goditje është e ndershme në raport me ligjin e dekriminalizimit, pra nëse ky ligj po zbatohet me një standard për të gjithë apo jo, fakt është se Roshi është akuzuar rëndë dhe imazhi i tij ishte dëmtuar. E kaluara e tij, pavarësisht sesi do të rezultojë në fund të procesit gjyqësor, peshon moralisht mbi zgjedhjet që bëhen nga politika, por edhe në raport me një standard të së ardhmes. Është domethënëse që politika është e ndarë për arrestimin e Roshit, duke dëshmuar kështu për një qasje krejtësisht bipartizane ndaj sistemit të drejtësisë.

Në raste të mëparëshme këto qasje janë asistuar nga arbitrimi i selive diplomatike. P.sh, ambasada amerikane në Tiranë ka dalë të paktën tre herë me deklarata mbështetëse për arrestime personash të zgjedhur. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret vendimin e deputetit Arben Ndoka për t’u dorëhequr nga parlamenti dhe vendimin për të lejuar arrestimin e deputetit Armando Prenga. Këto vendime përfaqësojnë përparim të mirëfilltë për Shqipërinë drejt krijimit të një sistemi politik me drejtues të standardeve më të larta etike”, thuhet në një njoftim të muajve më parë.

 Një tjetër pak më i hershëm është edhe më i drejtpërdrejtë: “Ambasada e SHBA mirëpret veprimin e Prokurorisë së Përgjithshme për të kërkuar miratimin e Parlamentit për të arrestuar dy deputetë. Kjo është një mundësi e rëndësishme për të demonstruar se asnjë individ nuk qëndron mbi ligjin. Ritheksojmë thirrjen tonë për Prokurorinë e Përgjithshme, Parlamentin dhe institucionet gjyqësore, që të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të siguruar proces ligjor të rregullt në përputhje me ligjin”.

Asgjë e ngjashme në rastin e tanishëm. Diçka ka ndodhur ose Roshi është vërtet një viktimë ekskluzivisht e pafajshme e luftës politike. Mbetet për t’u parë.

Please follow and like us: