Dosja e Europol që “fundosi” Elvis Rroshin
Agjencia e zbatimit të ligjit të Bashkimit Europian e njohur si EUROPOL, është institucioni që ka zbuluar të kaluarën kriminale të Elvis Roshit, kreut të Bashkisë së Kavajës.
Informacionet që EUROPOLI ia ka dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme, kanë bindur këtë të fundit se kreu i Bashkisë së Kavajës Roshi ka konsumuar veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”. Vepër kjo e kryer pas plotësimit dhe dorëzimit të formularit të “dekriminalizimit” pranë komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“ABC News” ka siguruar një kopje të vendimit të gjyqtarit të masës Dritan Caka, i cili ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke i caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Roshin.
Në këtë vendim, thuhet se kreu i bashkisë ka falsifikuar formularin e dekriminlizimit, pasi nuk ka deklaruar 5 emrat e ndryshëm që ka përdorur ndër vite në Europë. Nuk ka pasqyruar në formular, arrestimet, dëbimet dhe dënimet e marr nga drejtësia Italiane dhe ajo e Zvicrës.
Sipas provave të sjell nga EUROPOLI, kreu i bashkisë së Kavajës njihet me 5 emra, si Elvis Rroshi, Ervin dhe Enver Rroshi, Bashkim Hallulli dhe me emrin Enver Proshi. Të pesë këto emra, kreu i bashkisë i ka përdorur në vende të ndryshme të Evropës, emra për të cilët edhe është proceduar penalisht.
Sipas vendimit, e kaluara e tij kriminale ka nisur në prill të vititi 1993 kur Roshi ka hyrë ilegal në Zvicër, duke kërkuar azil. Vetëm pak ditë më pas, konkretisht më 14 maj 1993 është arrestuar nga autoritet zviceriane me drogë.
4 muaj pas arrestimit, më 24 shtator të 1993 Roshi rezulton se është dëbuar me vendim të gjykatës zviceriane, duke mos e dënuar për drogën, pasi dyshohet se mund ta kishte për konsum. Për të vazhduar më pas në vitin 1995 është arrestuar në Itali për përdhunim në grup në një kamp emigrantësh të paligjshëm.
Ditën e arrestimit ndaj tij është dhënë vendim dëbimi për tu larguar nga Italia. Në korrik të vitit 1997 me gjeneralitete të ndryshuar Roshi ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme në Zvicër, duek kërkuar azil. Por një muaj më pas është arrestuar dhe është dëbuar përsëri nga shteti zvicerian.
Po në vitin 1997 rezulton se është ndaluar nga policia italiane në Milano dhe është pyetur për akuzën e përdhunimit, ku Rroshi rezulton se ka bërë deklaratë të rremë pasi kishte ndryshuar edhe gjeneralitetet. Po për të njejtin fakt, Roshi është kontrolluar edhe në vitin 2000 për akuzën e vitit 1993 dhe më pas është lënë i lirë.
Sipas prokurorisë, të gjitha këto të dhëna, si emrat e përdorurua, arrestimet, dëbimet dhe dënimet Elvis Rroshi nuk i ka pasqyruar në formularin e deklarimit,për të cilën do të mbaj edhe përgjegjësi penale./abcnews/