Enada At’Nikolla: Foto sa njëmijë fjalë
Përshëndetje miq!
Besoj e kam rradhën për të folur unë. Nuk kam shumë qejf për cic-mice, dua të them që ajo që shoh dhe konstatoj, nuk ka gjasa të jetë e kundërta. E bëj shumë rrallë, por duhet ta kisha bërë më shpesh.
Unë ju drejtohem hapur, kush nga ju e bëri, Endrit Mërtiri apo Bora Kokëdhima?
Jam një vëzhguese e kujdesshme për gjërat që ndodhin në fushën e modës në Shqipëri, dhe konstatoj që nga koleksioni i fundit i Bora Kokëdhimës kalimi nga sfilata në editorialin e modës ka një ndryshueshmëri të modelit nga paraqitja ne sfilatë.
Kur kalimi nga sfilata në editorial, kalon në kopje, një stilist duhej të shqetësohej!
Dhe kjo për faj të kujt?!
Dje u publikuan këto foto. Unë shihja ngjashmëri, gjë që vazhdoj ta shoh dhe sot!
Dhe për të qenë më korrekt me ju, m’u desh të pyesja miq dhe njerëz që më rrethojnë, nëse ka ngjashmëri, apo vetëm unë e shoh kështu?!
E pyetur dje nga e vetmja media anabel.al në një intervistë telefonike u shpreha se “Lulet nuk janë shpikur nga asnjëri nga ne. Po të kërkosh në internet kupton që revista në të gjithë botën i kanë përdorur ato kahera nëpër kopertinat e tyre. Thelbi është tek editoriali, i cili është përsëritur”.
Pati zëra pranë meje që më thanë përse e ngrite deri në këtë nivel. Dua t’ju them, se kapelet lule të krijuara nga unë janë në përshtatje përfekte me secilën nga veshjet, të ndryshme midis tyre. Në këtë rast po flasim vetëm për kopjimin e një kapele-lule, shumë herë më modeste në paraqitje, sesa të editorialit të firmosur prej meje për BORDO. Dhe pyes kush e bëri këtë, Endriti apo Bora? Sepse pas çdo editoriali mode qëndron firma e stilistit.
Por, duke njohur nga afër fotografin, i cili punoi me editorialin që po flasim, natyrshëm mendoj që është ide e ofruar prej tij. I drejtohem atij sepse është një zë i rëndësishëm, ashtu si dhe unë, në fushën në të cilën ne operojme, në të kundërt nuk do të isha marrë me këtë gjë, si shumë herë të tjera.
E bëj këtë për t’i dhënë notat dhe respektin e duhur fushës të cilës i takojmë!
Kam ndjekur me shumë vëmendje, madje mora kohë për t’ju përgjigjur të gjithëve. Edhe për një arsye tjetër, që sot në përgjigjen time të jem më e saktë dhe e drejtpërdrejtë.
Për të gjithë ju që nuk ju vjen mirë për ekzistencën e BORDO, më vjen shumë keq, tashmë BORDO ekziston. Madje, shumë e zënë këto ditë për numrin e gjashtë, finalizimin e një viti pune.
Për të gjithë ata që aludojnë dhe shqetësohen, është momenti ta mësoni se nën pronësinë e kujt është BORDO. Revista është nën pronësinë e Enada At’Nikolla dhe Ilda Lumani. Drejtore imazhi Enada At’ Nikolla dhe drejtore ekzekutive Ilda Lumani.
Jam shumë kurioze për takimin e rradhës timin me të gjithë ju. Çfarë do të zgjidhni për të më thënë…, që shpesh është e kundërta e asaj që shkruani në rrjetet sociale.
Më vjen keq, pasi po të kishit sy më vëzhgues dhe kritik, do të kishit bërë një punë më të mirë për revistat për të cilat punoni. Dhe duke qenë realë do t’i çonit ato më përpara, me më shumë dinjitet dhe seriozitet.
Për ata miq që keni afër, ndonjëherë mik i mirë është ai që thotë të vërtetën, megjithëse e vërteta nuk është se pritet gjithmonë mirë, edhe kur e thotë një mik.
Më vjen shumë keq për mesazhet e shkruar në mënyrë private në BORDO.
Endrit, këndi yt i vështrimi është më i shkurtër se ai që mendoja për ty. Mund të flasësh me përpuzje për BORDO, mund t’ja thuash atë kujtdo, por jo mua, që e di shumë mirë dëshirën tënde për të qenë pjesë e saj.
BORDO ekziston! Sepse kopertinat e saj janë të menduara për të ofruar diçka të re dhe koherente, dhe jo të ofruara për para apo për të bërë ndere!
Endrit, mund të kishe shkruar, “ngjajnë, por nuk janë njësoj!”. Dhe për këtë do të kishe të drejtë. E ngjashme pa fjalë kopertina, por pa fjalë ngjashmëria me fustanin dhe kapelen ngjyrë pjepër!
Më akuzon se të kam kopjuar ty, me foton që ke bërë në 2014-ën. Por, në fakt po të them që për këtë rast, ti ke kopjuar foton e VOGUE UK 1992. (Fotograf: Patrick Demarchelier, Modele: Christy Turlington). Atëherë kur kjo foto është bërë (1992) ti sapo ishe lindur (1991) dhe mosha më bën të mendoj që nuk kishe prekur ende aparat me dorë!
Nëse do të kisha kohë mund të dilnim edhe në foto të tjera të kopjuara pastër nga ti, por përqëndrohemi te tema!
Kapelet lule nga unë janë krijuar në përshtatje perfekte me veshjet, të paraqitura në editorialin e parë për BORDO, dhe sot e kësaj dite janë ende kopje unike në të gjithë botën!
Gjithë editoriali është i ngritur mbi një koncept i disa prej luleve pjesë e fragrancës “Prive” nga Enada At’Nikolla, si kapele lule; Orkide, Lule Gojë Ujku, Lule Kumbulle, Trëndafil, Lule Dele, Zambak Uji dhe Lule Qershia, – e preferuara ime!
Të gjithë këto janë ekspozuar në atelie, gjatë asaj kohe, të njohura nga të gjithë vizitorët e ateliesë. Tre prej tyre janë njohur gjerësisht.
Ato janë kopje unike, dhe ti Endrit, e di sesa më je lutur për t’i marrë dhe fotografuar!!!
Edhe diçka! Zyrat juridike operojnë edhe pranë bizneseve tona!
Faleminderit për kohën!
Nga Enada At’Nikolla