Albspirit

Media/News/Publishing

Erzen Shkololli, kurator në “Hannah Ryggen Triennale” të Norvegjisë

Erzen Shkololli  kurator në “Hannah Ryggen Triennale” të Norvegjisë

Drejtori i fondacionit “Unë e du Kosovën” Erzen Shkololli u caktua të jetë kurator i Hannah Ryggen Triennale që do mbahet nga Shtatori 22 deri në Nëntor 2016 në Trondheim në Norvegji, dhe gjithashtu është caktuar të jetë këshilltar kuratorial për documenta 14 që do të mbahet në 2017 në Kassel, Gjermani dhe në Athinë, Greqi.

Më poshtë komunikata e lëshuar për Hannah Rrrygen Triennnale

Trienali i dytë e Hannah Ryggen-it

Ne jetojmë mbi një yll

22 shtator – 20 nëntor 2016

Edicioni i dytë i Trienalit të Hannah Ryggen-it ka emëruar Erzen Shkolollin si kurator të trienalit. Trienali Hannah Ryggen do të mbahet nga 22 shtatori deri më 20 nëntor 2016 në Ørland dhe në Nordenfjeldske Kunstindustrimuseum, Muzeut Kombëtar të Arteve Dekorative në Trondheim, Norvegji.

Erzen Shkololli është artist dhe kurator. Është drejtor i Fondacionit ‘Unë e du Kosovën’ në Prishtinë, Kosovë. Ai gjithashtu është këshilltar kuratorial për documenta 14.

Ka qenë drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës nga viti 2011 deri më 2015. Në vitin 2013, Shkololli ishte komisioner i prezantimit të parë të Republikës së Kosovës në edicionin e 55-të të Bienalit të Venedikut. Nga viti 2003 deri më 2007 mbajti pozitën e drejtorit artistik në Institutin e Artit Bashkëkohor EXIT në Pejë, që ishte një iniciativë e shkëmbimit në Kosovë dhe e cila transformoi skenën vendore kulturore.

Praktika e tij artistike përdor ritualet dhe folklorin vendor për të tërhequr vëmendjen tek situata specifike socio-politike dhe është ekspozuar ndërkombëtarisht në muze siç janë Van Abbemuseum, Eindhoven; Centre Pompidou, Paris; dhe Fridericianum, Kassel.

Shkololli organizoi Ekspozitën e Kontakt Art të titulluar ‘Thirty One’ (Tridhjetë e një) dhe kuruar nga Hans Ulrich Obrist e Petrit Halilaj në Galerinë Kombëtare të Kosovës (2015).; Ishte kurator i “Thirty Years After: Šejla Kamerić” (2015), ‘Sokol Beqiri: Retrospektivë’ (2014), ‘Simon Shiroka: Retrospektivë’ në Galerinë Kombëtare në Tiranë (2014) dhe në Galerinë Kombëtare të Kosovës (2013); Ishte bashkë-kurator i ekspozitës ‘Engjëll Berisha – Befre: Retrospektivë’ (2013) dhe ‘Grafika’ nga koleksioni i GKK-së (2013).

Nga viti 2008 deri më 2009 ishte përfitues i Bursës së DAAD-së për Artistët në Rezidencë. Nga viti 2003 është anëtar i Parlamentit Evropian të Kulturës. Jeton dhe punon në Prishtinë.

Rreth Hannah Ryggen dhe Trienalit Hannah Ryggen Hannah Ryggen (1894 – 1970) ishte një artiste Norvegjeze e tekstilit, e lindur në Suedi. Si autodidakte, punoi në avlëmend të ndërtuar nga bashkëshorti i saj, piktori Hans Ryggen. U shpërngul në Norvegji në vitin 1924 dhe filloi të endte në avlëmendin e mbaruar nga burri i saj. Ishte pacifiste që përcillte revista Skandinave feministe dhe të majta dhe ishte aktive në Partinë Komuniste të Norvegjisë si dhe në lëvizje të ndryshme ndërkombëtare të punëtorëve. E ndiqte me vëmendje rritjen e fashizmit në Evropë dhe shpesh punët e saj ishin reagime të drejtpërdrejta ndaj këtyre ngjarjeve. Tapiceria e saj ‘Etiopia’ (Ethipoia, 1935) u inspirua nga pushtimi i Etiopisë nga Musolini.  Atëkohë u ekspozua në Panairin Botëror në Paris në vitin 1937, pranë Guernica-s së Pikasos. Në vitin 1936 endi një tapiceri të quajtur ‘Hitlerteppet’ (Qilimi i Hitlerit), që paraqet dy figura të gjunjëzuara para një kryqi që rri pezull, si dhe një tapiceri që quhet  ‘Drømmedød’ (Vdekja e ëndrrave) që paraqet të burgosurit dhe Nazistët vrastarë në një kamp përqendrimi. Ryggen krijoi diku rreth 100 qilima të përmasave të mëdha gjatë jetës së saj dhe Nordenfjeldske Kunstindustrimuseum posedon koleksionin më të madh të tapicerive të saj.

Trienali do ta prezantojë një program të shumëllojshëm të ligjëratave të artistëve dhe punëtorive gjatë 8 javëve të kohëzgjatjes së trienalit./Gazeta Express/

Foto: Majlinda Hoxha

Please follow and like us: