Albspirit

Media/News/Publishing

Europianët e shohin IS-in si kërcënimin kryesor


Evropianët në përgjithësi e shohin Shtetin Islamik si kërcënimin më të madh për vendet e tyre, pohon Qendra Kërkimore Pew me seli në Washington

Sipas një studimi të ri të kësaj qendre, ndryshimet klimatike janë shqetësimi i dytë i evropianëve që radhitet para shqetësimit mbi valën e madhe të refugjatëve nga Iraku dhe Siria.

Vetëm 17 për qind e të anketuarve në dhjetë vende evropiane, mendojnë se Shteti Islamik është një kërcënim i vogël, dhe vetëm 3 për qind vlerësojnë se ai nuk përbën fare kërcënim për vendin e tyre.

Sulmet terroriste që ndodhën gjatë vitit të fundit në Paris dhe Bruksel, kanë vënë terrorizmin në krye të listës së shqetësimeve të evropianëve, ndërsa masat e sigurisë mbeten të shtuara në gjithë kontinentin.

Sipas studimit, shumica e evropianëve, megjithatë, nuk ndiejnë se ka nevojë për rritjen e shpenzimeve ushtarake, me drojën se shtimi i forcave ushtarake për të luftuar terrorizmin, vetëm se do të çonte në nxitjen e një urrejtjeje më të madhe, e cila do të rriste dhunën.

Brukseli ishte shënjestër e sulmeve terroriste të grupit Shteti Islamik në muajin mars që lanë 32 të vrarë në shpërthimet që goditën aeroportin dhe metronë e qytetit. Shteti Islamik sulmoi gjithashtu Parisin në nëntor të vitit të kaluar duke lënë 130 të vrarë.

Studimi vuri gjithashtu në pah se shumica e evropianëve duan që Bashkimi Evropian të luajë një rol më të madh në botë. Por, kjo duket të jetë në kundërshtim me rritjen e mospajtimeve me BE-në dhe paraqet një kritikë në linjë me ankesat për menaxhimin jo të duhur nga ana e BE-së të krizës së refugjatëve dhe problemeve ekonomike në kontinent.

Të anketuarit janë të ndarë pothuajse 50 me 50 për qind lidhur me marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Rusisë.

Edhe pse një varg studimesh, përfshirë një të publikuar javën që shkoi nga Qendra Kërkimore Pew, tregojnë se shumë evropianë mund ta dëshirojnë ndjekjen e shembullit të Britanisë për ta braktisur BE-në ose për t’u dhënë shteteve anëtare të paktën më shumë fuqi individuale, ky studim vë në pah se mesatarja e 74 për qind të evropianëve mendojnë se BE-ja duhet ta marrë një rol më ndikues në arenën ndërkombëtare.

Madje edhe në Mbretërinë e Bashkuar, e cila javën e ardhshme do të votojë në një referendum lidhur me mbetjen apo braktisjen e BE-së, 55 për qind e të anketuarve thanë se BE-ja duhet të marrë një rol më aktiv në arenën ndërkombëtare në vitet e ardhshme.

Please follow and like us: