Hakmarrja e Tahirit me gjyqtarin, policia nis hetimet për një vilë të Aliajt
Sektori Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit ka nisur prej disa ditësh, verifikimet paraprake për gjyqtarin Arjan Aliaj, për veprat penale të “Fshehjes së të ardhurave”, “Mosdeklarim të pasurisë”, “Evazion fiskal, “Pastrim parash” dhe “Korrupsion”. Lajmi bëhet i ditur nga Tv Klan që citon burime të sigurta të Policisë së Shtetit. Ky hetim vjen në kulmin e përplasjes së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me gjyqtarin në fjalë për shkak se ai pezulloi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako dhe la në arrest shtëpie dy vartës së tij. Në kohën kur për vetë Tahirin ka një kallëzim penal në Prokurori nga ana e KLD-së ky hetim duket si një hakmarrje e ministrit të brendshëm ndaj gjyqtarit në fjalë.
Hetimet
Sipas të njëjtave burime verifikimet kanë filluar pas denoncimeve të disa qytetarëve dhe deklaratave të pasurisë të bëra nga vetë gjyqtari Aliaj. Në bazë të hetimit të nisur nga Policia, në fakt është banesa e gjyqtarit Aliaj dhe mënyra se si ka përfunduar në pronësinë e tij.
Sipas policisë, vila 3-katëshe e gjyqtarit Aliaj, ka qenë më parë pronë e vëllait të tij, më pas të motrës dhe se fundmi e bashkëshortes së gjyqtarit. Këto kalime pronësish, mes familjarëve të gjyqtarit kanë sjellë dyshime tek oficerët e Policisë së Shtetit, e cila ka nisur dhe hetimet me iniciativën e saj.
Sipas policisë, hetimet janë përqendruar në kontratën e shitjes së vilës, jo vetëm për shkak të çmimit prej 10 milionë lekësh të vjetra, por edhe për faktin se motra e gjyqtarit, Etleva Galanxhi ka deklaruar jo atësinë e vërtetë, por e ka ndryshuar atë, nga Çerçiz në Çezar.
Etleva Galanxhi është bashkëshortja e Gilbert Galanxhit, deri para pak kohësh shef i Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Hetimi i nisur kryesisht, vjen në një kohë kur gjyqtari Arjan Aliaj është akuzuar nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri se ka liruar vrasës, përdhunues dhe kriminelë.
Akuzat
Gjyqtari Arjan Aliaj u vu në qendër të akuzave, pas vendimit që Aliaj dha për pezullimin nga detyra të Drejtorit të Policisë, Haki Çako dhe masës së arrestit në shtëpi, për drejtuesin dhe punonjësin e Njësisë Operacionale Artion Duka dhe Entiol Xhelilaj. Masat e sigurisë ndaj titullarit të Policisë dhe dy vartësve të tij u morën për nevoja të hetimit të Prokurorisë, lidhur me pajisjen e Interforcës, që dyshohet se është përdorur nga policia për përgjime të paligjshme.