Obama: ngjarja në Orlando, sulm kundër vlerave të SHBA
Presidenti amerikan Barack Obama e quajti masakrën e së dielës në një klub nate të Floridës më të përgjakshmen në historinë amerikane.
Presidenti Obama tha se sulmi në klubin e frekuentuar nga komuniteti homoseksual dhe lezbik është një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara dhe vlerave të tyre.
“Ky ishte një akt terrori dhe një akt urrejtjeje. Si amerikanë ne jemi të bashkuar në pikëllimin, zemërimin dhe vendosmërinë për të mbrojtur njerëzit tanë,” tha Presidenti Obama.
Presidenti tha gjithashtu se një veprim i tillë u bë i mundur kryesisht sepse në Shtetet e Bashkuara është e lehtë të blesh armë.
“Ne duhet të vendosim nëse është ky vendi ku duam të jetojmë. Të rrish duarkryq në mënyrë aktive, edhe ky është një vendim,” tha Presidenti.
Personi i armatosur, i identifikuar si Omar Matin, shtetas amerikan me origjinë afgane, hyri me forcë në klubin Pulse rreth orës 2 të natës dhe hapi zjarr ndaj rreth 300 njerëzve që ishin brenda. Disa arritën të largohen nga dera e pasme. Të tjerë u shtrinë në dysheme ose u përpoqën të fshiheshin.
Vrasësi u qëllua për vdekje në konfrontimin me policinë që arriti në vendin e ngjarjes.
Udhëheqësit e organizatave myslimane në Shtetet e Bashkuara e dënuan menjëherë aktin dhe u bënë thirrje mediave të shmangnin sensacionet.
“Ne të gjithë duhet të presim deri sa hetuesit të kenë informacionet dhe faktet dhe atëherë ne do të shohim se çfarë ka ndodhur, do ta kuptojmë atë dhe do të qëndrojmë së bashku, për të punuar së bashku, për ta mbajtur komunitetin tonë të fortë,” tha Imam Muhamed Musri, Kryetar i Shoqatës Myslimane të Floridës Qëndrore.
Grupi terrorist Shteti Islamik mori përgjegjësinë për ngjarjen në Orlando përmes medias së tyre. Sulmi ndodh ndërkohë që myslimanët mbajnë muajin e shenjtë të Ramazanit.