Albspirit

Media/News/Publishing

Partia Sfida për Shqipërinë (PSSH) sfidon Pozitën dhe Opozitën

 

 

PREAMBUL

Vjen një kohë në harkun historik të një vendi, kur më e mira dhe më të mirët që ai vend zotëron, të dalin në pah dhe të bashkohen për të shpallur dhe përkrahur një sfidë të re, një vizion të ri dhe një marrëveshje të re shoqërore.

Pas një çerek shekulli të gjatë e të lodhshëm, të mbizotëruar nga nje shkëmbim i pafund etiketash politike, e ndërkohë të karakterizuar nga shpërfytyrimi dhe shpërdorimi i burimeve njerëzore apo natyrore me të cilat ky vend është bekuar, Shqipëria ka më shumë nevojë se kurdoherë për këtë sfidë, vizion dhe marrëveshje të re.

Kjo nuk është thjesht një thirrje për krijimin e një partie, por për fillimin e një lëvizjeje të hapur qytetare, e cila ka për qëllim angazhimin e çdo qytetari, si pjesë thelbësore dhe e domosdoshme e shoqërisë, për t’i dhënë fund plaçkitjes dhe makinerisë së korruptuar të pushtetit.

Qytetari duhet të rikthehet aty ku atij i takon: Në qendër të arsyes për qeverisje. Çdo qytetar duhet të marrë në dorë fatin e tij dhe të shpalosë vullnetin e tij të lirë politik, duke hedhur poshtë ofertat pretenduese dhe duke u rikthyer në fronin e tij si sovran.

Duke reflektuar mbi domosdoshmërinë dhe detyrimin moral dhe politik që ne kemi ndaj këtij vendi, si edhe brezave pararendës dhe atyre pasardhës, ne propozojmë dhe bëjmë thirrje për një marrëveshje të re midis qytetarëve, për qytetarët, dhe nga qytetarët, që respekton dhe reflekton interesat e tyre mbi ato të klasës politike.

Të vendosur në mbrojtje të të drejtave të individit, të pronësisë dhe të lirisë, ne propozojmë dhe bëhemi flamurtarë të ideve dhe politikave që rishkruajnë marrëveshjen shoqërore të qytetarëve shqiptarë për të sfiduar korrupsionin politik, ekonomik dhe ligjor që vazhdon të zbeh gjallërinë e popullit tonë.

Ne garantojmë se në themel të kësaj sfide të përbashkët qëndron besimi ynë i patundur në barazinë e plotë përpara ligjit të çdo qytetari, respektimi i të drejtave themelore për të gjithë dhe krijimi i një shoqërie të drejtë, të lirë dhe të hapur. Këto nuk jane privilegje që varen nga edikte pushtetare, por janë tonat krejtësisht si rrjedhojë e humanitetit tonë, dinjitetit dhe respektit që na takon ne si qënie njerëzore.

Garantor i kësaj barazie dhe këtyre të drejtave do të jetë një sistem drejtësie i pavarur, i paanshëm dhe i pakorruptuar, si edhe një qeverisje nga një administratë publike profesionale, jomilitante dhe në shërbim të qytetarëve. Zhvillimi ekonomik i vendit, kryesisht përmes inkurajimit të sipërmarrjes private, është i domosdoshëm për të ruajtur sovranitetin e plotë të cdo qytetari dhe për mbrojtjen e interesave kombëtare.

Për të krijuar një shoqëri të tillë, ne synojmë ta mbajmë pushtetin sa më pranë burimit të tij: Qytetarit. Roli i shtetit është për t’i shërbyer qytetarit dhe se ai ekziston që të mbrojë të drejtën e pamohueshme të qytetarëve që të arrijnë këto ideale, të kontribojnë në shoqëri dhe të marrin pjesë në marrjen e vendimeve që prekin jetën e tyre.

Ne ftojmë, nxisim dhe u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen kësaj sfide, vizioni dhe marrëveshjeje të re dhe të hapur qytetare. Së bashku, ne mund t’i sjellim kësaj shoqërie dhe këtij vendi atë liri, drejtësi dhe zhvillim ekonomik që i mungon, por që e meriton.

Qytetari është Sovran.

 

KONCEPTET BAZË

 

TË GJITHA VENDIMET THEMELTORE TË PARTISË MERREN ME 1 ANËTAR 1 VOTË

ANËTARI KA TË DREJTË:

  1. a) Të zgjedhë të gjithë kandidatët për drejtimin dhe përfaqësimin politik për zgjedhje vendore dhe të përgjithshme;
  2. b) Të vendosë me shumicë të thjeshtë dhe me parimin ”një anëtar – një votë” hyrjen në koalicione zgjedhore dhe parlamentare.
  3. c) Të vendosë me 2/3 e votave hyrjen në koalicione qeverisëse;

ZGJEDHJET BRENDA PARTISË:

  1. a) Klubi është njësia bazë e organizimit të anëtarësisë së partisë;
  2. b) Kryesia e Kuvendit Kombëtar organizon dhe mbikqyr procesin e zgjedhjeve të brendshme në Parti;
  3. c) Kryesia e Kuvendit ka të drejtë të organizojë zgjedhje të parakohshme për Drejtuesin Politik dhe Kryetarin Administrativ, me votimin e 2/3 të anëtarëve të saj.

KRYETARI ADMINISTRATIV

Kryetari Administrativ i Partisë zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi Kombëtar. Ai ka këto kompetenca:

  1. a) Kryetari Administrativ është funksionari më i lartë administrativ i Partisë;
  2. b) Kryetari Administrativ i partisë nuk mund të jetë njëkohësisht i zgjedhur në organet politike të Partisë apo të marrë pjesë në pozicione të larta shtetërore;
  3. c) Në rastin e përfundimit të plotë të mandatit, të gjithë funksionarët e lartë administrativ, të kryesisë dhe të kuvendit do të duhet të presin një vit përpara garimit për çdo post politik në Parti. Në rastin e ndërprerjes së parakohshme të mandatit, këta funksionarë do të duhet të presin dy vjet përpara garimit për çdo post politik në parti;

Kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve politik janë:

  1. a) Të ketë arsim të lartë;
  2. b) Te jetë i padënuar. Çdo anëtar me denim penal të formës së prerë, pavarësisht statusit të afatit të parashkrimit nuk mund të kandidojë për asnjë post tjetër partiak. Kandidatët politik zgjidhen nga anëtarësia me parimin 1 anëtar 1 votë.

KOHËZGJATJA E MANDATEVE

  1. a) Të gjithë kandidatët politik do të ushtrojnë maksimumi 2 mandate,
  2. b) Të gjitha funksionet administrative që burojnë nga Kuvendi do të ushtrojnë maksimumi 2 mandate;
  3. c) Deputetët do të ushtrojnë maksimumi 3 mandate te plota;
  4. d) Asnjë anëtar apo organ i Partisë nuk mund të delegojë të drejtat që disponon sipas statutit përvecse në rast që është e parashikuar në statut;

NDRYSHIMET NË STATUT

  1. a) Çdo ndryshim i statutit do të bëhet vetëm në bazë të parimit 1 anëtar 1 votë;
  2. b) Ndryshimet në këtë statut hyjnë në fuqi vetëm nëse marrin pjesë në votim të paktën 50% + 1 e anëtarëve dhe votohet nga të paktën 2/3 e pjesëmarrësve në votim;
  3. c) Propozimet për ndryshimin e statutit nuk mund të hidhen për votim nqs nuk u janë prezantuar anëtarësisë te formuluara si në fletën e votimit të paktën 1 vit më parë, përveç rastit kur ndryshimet e Kushtetutës apo Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë e bëjnë të detyrueshëm hedhjen në votim në afat kohor më të shkurtër;

Ndryshimet për të njëjtën pikë nuk mund të bëhen pa kaluar një periudhë 3 vjeçare, përveç rastit kur ndryshimet e Kushtetutës apo Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë e bëjnë të detyrueshëm hedhjen në votim në afat kohor më të shkurtër.

QËNDRIMET AKTUALE

  1. a) Për zgjedhjet e vitit 2017 nuk do të jemi në koalicion me asnjë nga partitë e sotme parlamentare.
  2. b) Nuk do të marrim pjesë në asnjë koalicion qeverisës qëndror apo lokal si parti minorance. Çdo sukses i zgjedhjeve të vitit 2017 nuk do të përdoret nga kjo parti për të siguruar marrëveshje për vende pune në administratë.
  3. c) Funksionet partiake janë të ndara nga çdo detyrë administrative dhe politike shtetërore. Me marrjen e detyrës shtetërore pozicioni administrativ në Parti shpallet vakant dhe merren masa për plotësimin e tij siç parashikohet në statut.

 

Please follow and like us: