Albspirit

Media/News/Publishing

Perëndesha e Dashurisë

Nga Suzana Tahiri

Përtej të gjitha kohërave, regjimeve, njerëzve të shquar dhe më pak të spikatur, ka pasur gjithherë një ndjenjë që është mbi gjithçka, deri edhe mbi perënditë pagane, hebraike, budiste, kristiane, myslimane.

Ka qenë ajo e heshtura ose e zhurmshmja, e dokumentuara në një letër apo e mbyllur në një shishe që udhëton oqeaneve, Perëndeshë e Dashurisë, që është më sublimja, më hyjnorja, më e përjetueshmja, më e ndijshme nga të gjitha krijesat njerëzore. Është gjithmonë e pranishme pavarësisht se gjenden në një pallat luksoz apo në një kasolle të braktisur, në një manastir apo në një tempull tjetër.

Pse është e tillë, ajo është edhe e papërsëritshme, e pangjashme dhe gjendet në çdo skaj planetar, herë e pabujshme dhe herë e çartur, por frymëzuese dhe që e ka çuar shoqërinë përpara më shumë se çdo zbulim epokal.

Ka sot së paku dhjetë letra të famshme që njihen në këto 21 shekuj kur Çërçilli i shkruante bashkëshortes, Hemnigueji drithërohej për Marlene Dietrich, Bonaparti për Jozefinën, Burton për Tejlor, mbreti Enriku i VIII për Anën, Bethoveni për të dashurën, presidenti Ford për Betin apo Xhimi Hendriks për mikeshën e tij.

Të gjitha bashkë janë kopje të zbehta të dashurive të tjera të përjetuara stuhishëm, por të padokumentuara. Konflikte të mëdha dhe të vogla shpesh kanë pasur në themel të tyre një femër, një grua të hijshme që e bënte gjindjen të heshtte, të mbetej pa frymë dhe pa gojë, të hipnotizohej.

Por më pak se ajo si shkaktar lufte, kanë qenë keqkuptimet e mëdha që kanë shkaktuar qindra mijëra të vrarë. Megjithatë në asnjë rast fajtore nuk ka qenë femra e hijshme dhe jo më kot nuk ka një datë botërore brenda një viti, brenda një epoke, brenda një regjimi, pasi është e gjithpranishme, hyjnore, e pakonkurueshme.

Please follow and like us: