Roth: Duam që BE ta shtojë praninë në vendet e Ballkanit
Michael Roth për DW: Steinmeier do të japë një sinjal të qartë në Shqipëri: nëse bëni detyrat e shtëpisë dhe reforma gjyqësore më në fund do të zbatohet, kjo është një arritje e madhe në rrugën drejt BE-së.
DW: Temat e Global Media Forum – mediat, liria, vlerat – kanë dalë pak nga vëmendja në Evropën Jug-Lindore vitet e fundit në sfondin e krizës së refugjatëve dhe problemeve në Greqi. Në këto vende nuk vihet re kudo një zhvillim për të mirë. Cili është vlerësimi juaj për situatën?
Michael Roth: Unë nuk e ndaj mendimin tuaj se ne nuk e jemi kujdesur në mënyrë adekuate për temat liria e mediave, sundimi i ligjit, demokracia. Përkundrazi. Negociatat e anëtarësimit dhe i tërë procesi i zgjerimit është i fokusuar shumë në çështjet e demokracisë, sundimit të ligjit, forcimit të shoqërisë civile, luftës kundër korrupsionit. Por ju keni plotësisht të drejtë kur thoni se vitet e fundit nuk ka pasur vetëm progres, por pjesërisht edhe hapa të qartë pas. Për këtë është edhe më e rëndësishme që ne të dërgojmë në mënyrë të përsëritur sinjale tek njerëzit e Ballkanit Perëndimor: ne nuk ju harrojmë dhe duam të bëjmë diçka për t’ju ndihmuar në rrugën për në Evropë, e cila është shumë e vështirë.
Kjo strategji e kulaçit dhe e kërbaçit nuk duket të jetë shumë efektive: nga njëra anë kemi forcimin e nacionalizmit në Ballkanin Perëndimor. Në shumë vende ka një frenim të shtypit. Në të njëjtën kohë, perspektiva për në BE është, sipas mendimit të njerëzve aty, disi në ajër. A nuk duhet të rregullojmë diçka në këtë mes?
Nga njëra anë është kulaçi që përmendët ju. Kur mendoj për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën që hyri në fuqi një javë më parë: ky është një sinjal i rëndësishëm. Dua të përmend edhe Konferencën e Berlinit (Konferenca për Ballkanin Perëndimor), ku nuk flasim për gjëra abstrakte, por ku ne fokusohemi konkretisht në projektet e infrastrukturës, në rritjen e shkëmbimit të të rinjve, në mënyrë që në fund qytetarët të ndjejnë që Evropa është nuk ndonjë gjë teknokratike në Brukselin e largët, por një kontribut për të përmirësuar jetën time të përditshme.
Në Maqedoni, njerëzit dalin prej disa javësh në rrugë kundër qeverisë. Në fundjavë pati demonstrata të mëdha në Beograd, dy javë më parë në Kroaci. Kudo shohim protesta të qytetarëve dhe një lodhje jo vetëm ndaj qeverive, por pjesërisht edhe ndaj BE-së. A është kjo një rrezik apo një mundësi?
Një shoqëri civile kritike është absolutisht thelbësore për një demokraci vitale. Dhe më duket mirë që qytetarët të dalin në rrugë dhe të shprehin protestën e tyre. Sepse me këtë gjë politikanët duhet të merren me të në të gjitha vendet demokratike. Ne kemi pas disa javësh konferencën e ardhshme në Paris, ku gjithashtu do të vendosen sinjale të qarta për zhvillimin e infrastrukturës, për shkëmbime rinore. Qendra për Shkëmbimet Rajonale Rinore do ta ketë selinë e saj në Tiranë. Ne vetë jemi shumë të angazhuar. Por ne duam që BE-ja ta shtojë praninë e saj në këto vende, veçanërisht në bisedimet për më shumë demokraci dhe sundimin e ligjit.
Si mund dhe duhet të jetë kjo prani?
Në qoftë se mund të kujtoj bisedimet e vështira me udhëheqësit politikë në Maqedoni: aty Komisioni Evropian zhvilloi bisedime dhe ne e kemi mbështetur këtë me ambasadorin tonë Haindl. BE-ja ka unitet të madh dhe pritshmëri të qarta, por dhe thotë në mënyrë të përsëritur: ne nuk do t’ju lëmë vetëm, por duam t’ju ndihmojmë që në fund të jeni më pranë BE-së.
Serbia është disi e preferuara e Perëndimit, por edhe një fëmijë problematik. Kryeministri Vuçiç kujdeset që të jetë i afërt me Kancelaren edhe në Gjermaninë. Në të njëjtën kohë ai mban edhe miqësi me Lindjen. Në fundjavë ka pasur demonstrata në Beograd, ku 20.000 vetë kanë protestuar kundër një projekti ndërtimi në Beograd si dhe kundër Vuçiçit. Si e vlerësoni situatën në Serbi?
Zoti Vuçiç ka dalë i fortë nga zgjedhjet. Ai ka një mandat për një qeveri të re. Kjo e legjitimon atë një herë. Por sigurisht, një zgjedhje e fituar nuk është një biletë për të bërë si do. Dhe këtu dalim në një pikë shumë të ndjeshme në zhvillimin e brendshëm të shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kemi të bëjmë me një polarizim absolut në sistemet politike. Njerëzit nuk e kuptojnë veten si konkurrentë apo si kundërshtarë, por si armiq. Dhe kjo klimë armiqësie dhe urrejtjeje duhet të tejkalohet. Kjo vlen në veçanti edhe për qeveritë përgjegjëse, që ta kuptojnë se opozita nuk është ndonjë e keqe, opozita është një pjesë themelore e demokracisë dhe me të duhet të bashkëpunohet. Po ashtu duhet të bëhen përpjekje për të bashkur forcat sociale. Dhe ajo që është e pëlqyeshme tek qeveria serbe është që ajo në mënyrë të përsëritur dërgon një sinjal të qartë drejt Evropës. Por ne gjithashtu presim që Serbia në çështjet e politikës së jashtme dhe të brendshme të jetë në një vijë me Bashkimin Evropian. Në qoftë se një shtet punon ngushtë me Bashkimin Evropian dhe do të bëhet anëtar i BE-së, ky nuk është një sinjal kundër askujt.
Serbia e ndjen vetën të penguar në afrimin me BE-në nga ana e bllokadës kroate. Ky është një model që e njohim edhe nga raste të tjera si Greqia, Maqedonia dhe Sllovenia. Si ndikoni në këtë drejtim ndaj Kroacisë – apo i konsideroni rezervat kroate si të justifikuara?
Në fund të ditës ne gjithmonë kemi gjetur një kompromis të realizueshëm. Ajo që është ende shumë paralizuese është mosmarrëveshja e emrit për Maqedoninë, ku unë aktualisht ende nuk shikoj një kompromis të pranueshëm për të dyja palët. Por unë shpresoj se shumë shpejt do bëjmë një hap të rëndësishëm. Serbia e di shumë mirë se çelësi për një përparim të mëtejshëm në negociatat e pranimit në BE është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Ne po zhvillojmë bisedime me Kroacinë, por Kroacia ka edhe vetë probleme të mëdha të brendshme. Nga njëra Kroacia luan rolin e modelit, sepse ish-Republika Jugosllave është prej disa vitesh nëtare e BE-së. Nga ana tjetër, unë gjithashtu shoh në Kroaci edhe probleme të mëdha – kryesisht sociale dhe ekonomike. Me papunësinë e të rinjve në nivelin 40 përqind vërtetë nuk mund të flitet për një gjendje normale. Por edhe këtu unë shpresoj se ne së shpejti do të kthehemi në stabilitetin e nevojshëm. Gjithashtu besoj se edhe në Maqedoni, kriza e qeverisë mund të tejkalohet, kështu që ne të jemi të gjithë në gjendje të punojmë për detyrat e shtëpisë në interes të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.
A guxoni të parashikoni se kur Ballkani Perëndimor të bëjë një hap më tej – apo ndoshta të integrohet madje në BE?
Data të caktuara që pastaj ndoshta nuk respektohen, nuk na sjellin dobi. Por ne gjithmonë duhet t’i premtojmë njëri-tjetrit se do të bëjmë gjithçka që është në mundësitë tona që shtetet por mbi të gjithë njerëzit, të hyjnë sa më shpejt të jetë e mundur në BE. Sigurisht këtë e kanë në duart e tyre qeveritë dhe liderët politikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por unë jam i kënaqur në lidhje me faktin se BE ka arritur, që megjithë shumë kriza që po përballet të mos krijojë përshtypjen se e kemi harruar Ballkanin Perëndimor. Kjo do të ishte gjëja më e keqe sipas mendimit tim. Prandaj jo vetëm Gjermania, por edhe shumë shtete të tjera anëtare, së bashku me Komisionin janë të gatshme që të marrin më tepër përgjegjësi në Ballkanin Perëndimor dhe të tregojnë më shumë prani.
Dhe për të mos hequr vështrimin as nga mediat, që të sigurohet pluralizmi? Polonia është shembulli më i qartë, por edhe në Ballkanin Perëndimor, muajt e fundit është rritur ndjeshëm presioni mbi mediat publike.
Edhe në këtë drejtim nuk ka lëshime. Partnerët duhet të jetë e qartë: në qoftë se duan të bashkohen me BE-në, duhet të luftojnë korrupsionin, duhet të forcojë sundimin e ligjit, duhet të garantojnë pavarësinë e medias dhe natyrisht pluralizmin e medias. Këto nuk janë fjalë boshe, por gjëra thelbësore. Ne si BE jemi në radhë të parë një komunitet vlerash dhe jo një projekt tregu. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë.
Të martën ministri i Jashtëm gjerman shkon në Shqipëri. Çfarë ai ka në bagazhin e tij?
Unë jam i kënaqur për faktin se ky udhëtim tani i ministrit të Jashtëm dokumenton se sa i madh është interesi ynë për Ballkanin Perëndimor. Unë vetë kam përjetuar në udhëtimin tim në Shqipëri herë pas here se aty ka përparime të rëndësishme. Tani është në tryezë një paketë shumë e madhe dhe e rëndësishme, reforma në drejtësi. Dhe unë jam mjaft i sigurt se ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier do të japë një sinjal të qartë: në qoftë se bëni detyrat e shtëpisë në këtë fushë dhe reforma gjyqësore më në fund do të zbatohet, kjo është një arritje e madhe në rrugën drejt BE-së.
Deputeti social-demokrat Michael Roth është ministër shteti për Evropën në Ministrinë e Jashtme.