SHBA: WHCA e kritikon Trumpin lidhur me Washington Postin
Asociacioni i Korrespondentëve në Shtëpinë e Bardhë (WHCA) thotë se qëndron së bashku me gazetën, Washington Post, dhe organizatat e tjera mediale, pasi Donald Trump, i nominuari i supozuar republikan për zgjedhjet presidenciale, tha se do ta tërhiqte akreditimin e gazetës.
Në deklaratën e sotme, WHCA tha se kandidatët që garojnë për presidencë “duhet ta respektojnë rolin e shtypit të lirë dhe kundërshtues” dhe ka tërhequr vërejtjen se dështimi për ta bërë këtë “vetëm për shkak se atij apo asaj nuk i pëlqen toni ose përmbajtja e raportimit” rrezikon shkelje të Amandamentit të Parë, raporton AP nga Uashingtoni.
Donald Trump tha dje se e tërheqë akreditimin e gazetës për shkak të titullit “Donald Trump sugjeron se presidenti Obama ishte i involvuar me të shtënat në Orlando”.
Martin Baron, njëri nga editorët e gazetës, tha dje se vendimi i Trumpit “nuk është asgjë tjetër por mospranim i rolit të shtypit të lirë dhe të pavarur”.