Si u falsifikua firma e gjyqtarit të vrarë për këtë pronë përrallore
Prokuroria e Vlorës sekuestroi 89 hektarë tokë me vlerë 110 milionë euro në Zvërnec, një zonë me potencial të lartë në investime për turizëm. Toka është përfituar në mënyrë të paligjshme nga Raimond Mezi, i njëjti person që përfitoi 220 hektarë toke edhe në Karaburun. Sipas prokurorisë, skema është realizuar në të njëjtën mënyrë dhe nga të njëjtët persona, të cilët kanë regjistruar në mënyrë të paligjshme tokën në Karaburun.
Toka në Zvërnec është regjistruar në Hipotekën e Vlorës në bazë të dokumentave të falsifikuara dhe nëpërmjet një procesi gjyqësor njohjeje prone tërësisht fiktiv. Hetimi gjeti se Raimond Mezi, me vendim gjyqkate përfitoi 89 hektarë, vendimi ky i vitit 2003, dhënë nga gjyqtari Skerdilajd Konomi. Prokuroria e Vlorës e ka konstatuar tërësisht fiktiv këtë vendim, pasi, në kohën e dhënies së vendimit, i ndjeri Konomi nuk ka qenë gjyqtar.
Dosja e falsifikuar më pas është futur në arkivën e gjykatës dhe grupi i falsifikatorëve ka ndërhyrë edhe në regjistrin e vitit 2003. Kjo pronë është regjistruar në hipotekë nga shtetasja Blerina Dhrami, e cila është nën hetim. Kjo është hera e parë që emri i të ndjerit Skerdilajd Konomi përmendet nga hetimi i prokurorisë. Në kohën kur ish-gjyqtari 35-vjeçar u ekzekutua u përmend se shkak mund të ishte një konflikt për pronësi tokash.
Prokuroria nuk e ka sqaruar ende nëse falsifikimi është bërë pas vdekjes së gjyqtarit apo gjatë kohës kur ai ishte në detyrë në Gjykatën e Vlorës dhe çfarë lidhje ka falsifikimi i një vendimi gjyqësor me toka që vlejnë 110 milionë euro me një atentat makabër në mes të qytetit.