Albspirit

Media/News/Publishing

Të jesh i tejndjeshëm (hipersensibël/ i hiperndjeshëm) dhe të ndjehesh krenar për këtë!

Të jesh i tejndjeshëm (hipersensibël/ i hiperndjeshëm) dhe të ndjehesh krenar për këtë!

 

Për disa ata janë të brishtë (vulnerabël), delikatë, apo të pazotë për të marrë vendime. Të tjerë i shohin si artistë të pajisur me një intuitë dhe krijimtari të paparë. Nga se karakterizohet tejndjeshmëria (hiperndjeshmëria)?

Po ju, a jeni të tejndjeshëm (të hiperndjeshëm)?

A jeni ju nga ata që përpiqen t’i shmangin konfliktet? A ju ndodh që një zhurmë, një aromë apo një sensacion (ndijim) shumë i fortë të ju pengojë që të përqendroheni? A keni nevojë që të izoloheni përballë situatave stresuese? E pra, mbase ju jeni të hiperndjeshëm. Dhe nëse jeni të tillë, gëzohuni për këtë: tashmë ka ardhur koha që ju të pranoni dallimin tuaj. Sipas psikologes amerikane Elane Aron, një ndër pesë vetë është i hiperndjeshëm. Që nga botimi i best seller-it të saj në 1996, shumë autorë përpiqen ta përshkruajnë me përpikëri këtë tipar të karakterit njerëzor. Njëri prej tyre është dhe psikoanalisti dhe shkrimtari Saverio Tomasella, i cili ka shkruar librin me titull “Mos vallë individët që janë të hiperndjeshëm rrezikojnë të mos jenë të lumtur ?” ( botimet Eyrolles). Autori bën portretin e hollësishëm të individëve që janë të tillë dhe që për pasojë i ndjejnë më shumë vështirësitë e jetës. Në libër thuhet se të qenit i hiperndjeshëm nënkupton të ndihesh si në distancë në raport me të tjerët. Ky tipar i tyre mund të mendohet sikur është diçka anormale dhe që mund të shkojë deri në çmenduri. Por në saje të metodës që ai përdor, autori arrin t’i çbëjë këto paragjykime dhe ta çlirojë hiperndjeshmërinë nga termi “simptomë” apo “sëmundje”. Sipas tij, ndjeshmëria (sensibiliteti) është tipar karakteristik i shpirtit njerëzor. Nëse ky tipar mund të quhet si i tepërt, kjo varet vetëm nga këndvështrimi që e gjykojmë atë». Por nuk është e thënë që personat me hiperndjeshmëri të jenë të ngjashëm, thotë Saverio Tomasella. Disa syresh janë shumë të impresionueshëm, të tjerë shumë ekspresivë, të tjerë shumë të druajtur a të rezervuar, të tjerë shumë komunikativë dhe fjalëshumë. Por cilët janë në fakt të hiperndjeshmit ?

Emocione shumë të mëdha

Ashtu si në këngën e famshme të Xhon Kashit, ata që janë të hiperndjeshëm ecin mbi një fill. Kjo ndodh sepse, duke i ndjerë emocionet“ njëmijë herë më të forta,          “të hiperndjeshmit nuk u shpëtojnë emocioneve të dhimbshme, si ato të ankthit. Saverio Tomasella sjell dëshminë e njërës prej pacienteve të tij, e cila ndjen ankth edhe kur ajo pret një lajm apo një telefonatë që nuk mbërrin kur ajo e pret, duke e vënë atë në një gjendje ankthi. Për të tjerë ankthi mbërrin në momente të vetmisë si një dhembje përvëluese dhe therëse.

Ndjeshmëri ndaj (përballë?) të tjerëve

Si në këngën e famshme të Xhon Kashit, të hiperndjeshmit ecin mbi fill. Sensacionet që ata perceptojnë i prekin sikur t’u binin me kamxhik, duke turbulluar ekuilibrin e tyre. Të afërmit i shohin sikur i kanë nervat mbi lëkurë dhe mezi i kuptojnë ndryshimet e paparashikueshme të sjelljes së tyre. Individët e hiperndjeshëm kanë një raport të veçantë me njerëzit e tjerë. Ky tipar i tyre mund të shfaqet me një qëndrim të rezervuar, apo  me ndrojtje, me ndjenja të dyshimta apo të paqëndrueshme. Emocioni te këta individë është aq shumë i fuqishëm sa ata  zor se arrijnë  ta shprehin atë. Pra, është ky lloj ndjeshmërie që i bën këta individë të futen në guaskën e tyre, të ndahen nga bota apo turma. Ama, burimi nga ata marrin fuqi është qetësia, heshtja dhe ngadalësia. Po a shkrihen të hiperndjeshmit me dekorin? Jo, sipas psikoanalistit të mësipërm, i cili thekson se ” Individët e ndrojtur ,megjithëse të rezervuar, mund të duken lunatikë (të çmendur) a të çuditshëm nga personat që i rrethojnë dhe kjo për hir të shijeve, zakoneve apo huqeve që mund t’u bien në sy të tjerëve. Por, ama, ku ka një ndjeshmëri të madhe, shpesh ka dhe një origjinalitet të madh”. Por rastis që disa persona të hiperndjeshëm ta shohin  diferencën e tyre si diçka jo të mirë, çka dhe i bën të vuajnë nga një mungesë vlerësimi për vetveten.

Empatikë në ekstrem

Megjithëse e pëlqejnë vetminë, të hiperndjeshmit zakonisht janë mbështetës të çmuar për të afërmit e tyre. Të dashur dhe të kujdesshëm ata ndajnë me ta si gëzimet, ashtu edhe hallet. Miqtë i përshkruajnë si persona të shoqërueshëm, të gëzueshëm dhe entuziastë. Por individëve shumë të ndjeshëm mund t’u ndodhë që, duke dashur vazhdimisht t’u bëjnë qejfin të tjerëve, të mbeten si të harruar. Kjo dhe për faktin se ata as që mund ta imagjinojnë që të mund të rrojnë pa tjetrin. Këta janë tipa që kanë nevojë për shumë dashuri dhe i tremben shume braktisjes apo tradhtisë. Në fjalët e këngës së Jaques Brel-it, ”Ne me quitte pas”, kjo ide del më së qarti hapur.

Si të arrish ta mundësh ndjeshmërinë

Kështu, pra, si mund ta quajmë hiperndjeshmërinë: një shans, apo një kalvar? Sipas Elaine Aron-it, “ndjeshmëria është gjithçka dhe aspak një e metë. Shumë individë të hiperndjeshëm shpesh janë punonjës veçanërisht shumë krijues dhe produktivë, partnerë të vëmendshëm dhe të arsyeshëm,  të pajisur me veti të larta intelektuale”. Tjetër gjë është të njohësh ndjeshmërinë që të karakterizon dhe tjetër gjë është të përpiqesh ta mundësh atë. Në maj të 2012-s, Marion Cotillard-i në një intervistë ka thënë: ”Kam pasur gjithnjë një ndjeshmëri të madhe… Fatmirësisht, ky tipar i theksuar më është kompensuar me një aftësi të re që kam fituar, duke qeshur me veten time dhe me reagimet e mija emocionale që nuk njohin kufi”. Dhe çelësi i suksesit për këtë është të dish t’i largosh këto shfaqje. Por, mos u dashka të jemi të ndjeshëm më shumë sesa duhet, që të jemi të lumtur? Saverio Tomasella përfundon duke thënë se ne mund ta njohim ekzistencën tonë dhe ta jetojmë me të vërtetë realitetin “vetëm atëherë kur vendosim të mos mbajmë gjithçka nën kontroll me anë të mendjes dhe të mos pushtohemi nga fluksi i emocioneve. Është, pra, ky një rast na lejon të guxojmë  të themi që ne jemi “ ajo çka ne ndjejmë, çka ne mendojmë dhe përfytyrojmë. Prandaj, dhe nuk është rastësi shprehja që thuhet ”se sa më shumë të  zhvillojmë ndjeshmërinë tonë, aq më tepër do të ndjehemi të gjallë”.

Po ju, si e jetoni  ndjeshmërinë tuaj?

 

Nga: sante@news.passeportsante.net

Përktheu: Marieta Vinjau, Mars 2016.

 

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: