Alibaba: Imitacionet kineze më shumë cilësore nga… mallrat origjinale!
Jack Ma, pronari dhe themeluesi i gjigantit kinez në tregtinë online Alibaba u shpreh se produktet false kineze janë me një cilësi shumë herë më të lartë sesa modelet origjinale të markave të mëdha, si pjesë e një modeli të ri ekonomik.
“Problemi ështe se produktet e falsifikuara të kohëve të fundit kanë një cilësi shumë më të lartë, një çmim shumë më të favorshëm në krahasim me produktet e vërteta, pra, markat origjinale”, pohoi ai gjatë një fjalimi të mbajtur në Hangzhou, qytet në lindje të Kinës ku ndodhet selia e Alibaba-s.
“Këto produkte janë prodhuar nga të njëjtat fabrika, janë nga të njëjtat lëndë të para, por nuk e përdorim emrin e firmës”, shtoi ai.
Fabrikat kineze tradicionalisht prodhojnë produkte me çmim të ulët për firmat e huaja, por shfaqja e platformave të shitjes online si Alibaba u ofron më shumë mundësi për të shitur artikujt e tyre në rrjet direkt tek konsumatorët.