Elsa Lila dhe udhëtimi i ri në Ballkan
Prej disa 5 vitesh Elsa Lila është bërë nënë e Evitës, dhe që prej asaj kohe, jeta e saj artistike kaloi në plan të dytë.
Megjithatë, asnjëherë nuk ka braktisur pasonin e saj, muzikën: ka studiuar e ka marrë pjesë në projekte të ndryshme, nga një muzikë për film, në nisma të ndryshme në të cilat beson, si koncertet me mikun e saj Olen Cesari, për shembull.
Por, më në fund Elsa kthehet në skenë seriozisht, si protagoniste, në një mënyrë shumë origjinale, edhe pse ajo pohon se kthehet në origjinë. Një muaj më parë, bashkë me Orchestra Notturna Clandestina (Orkestra Klandestine e Natës), dha një koncert, që ishte si një udhëtim në muzikën klasike, “Da Bach ai Balcani”, përmban nga arie të muzikës klasike baroke deri pjesë të muzikës tradicionale shqiptare. “Shqiptari i Italisë” e ka takuar këngëtaren dhe ka bërë një bisedë me të, duke zbuluar më shumë rreth planeve të saj në të ardhmen, por sjell edhe copëza nga kujtimet e fëmijërisë së Elsës…
U bë kohë që nuk kemi të reja prej teje. Na ke munguar.
E vërtetë, u bë kohë që nuk bëj një koncert timin, ku të kem të gjithë kohën në dispozicion për t’u rrëfyer, për t’u shpjeguar, për të pasur kontaktin e drejtpërdrejte e emocionues me publikun që vetëm një koncert live të ofron. Më ka marrë malli për këto.
Studimet e këtyre viteve, muzika e filmave, pjesëmarrjet në projekte, koncerte, nisma të ndryshme më kanë pasuruar me përvoja të mrekullueshme njerëzore e profesionale. Dhe pikërisht në këtë rrugëtim timin të brendshëm kërkimi dhe studimi, larg publikut, kam takuar Enrico Melozzin, ideatorin, dirigjentin dhe “lokomotivën” e “Orchestra Notturna Clandestina”, me të cilin më lidh tashmë një miqësie e bashkëpunim i gjatë.
Enrico Melozzi është violonçelist, kompozitor, arranxhator dhe dirigjent orkestre shumë i talentuar, por kur e njeh nga afër të duket sikur vjen më shumë nga një grup Punk se nga një orkestër klasike.
Orkestra Klandestine e Natës, do të ishte shqip. Për çfarë është fjala?
Enrico para tre muajve ka ngritur këtë orkestër, me muzikantë shumë të zotë, të angazhuar në “përditshmërinë” e tyren në shumë produksione artistike të ndryshme, por të lodhur nga ekzekutimi vetëm i muzikës që u dikton programi i këtij apo atij teatri, i kësaj apo asaj akademie, apo kush për to merr vendim mbi muzikën që duhet luajtur.
Orkestra është “klandestine” pikërisht sepse qëndron jashtë çdo forme të burokracisë kulturore që mbizotëron sot në Itali, nuk aplikon në shtet për të pasur mbështetje financiare apo “kontribute” politike, por është një organizëm shumë më i gjallë e aktiv se të tjerët, të ashtuquajtur “institucionalë” apo “të ligjshëm”, që shpesh u ngjajnë elefantëve në fund të jetës që tërhiqen në shkretëtirë.
“E natës” sepse gjatë ditës, për të siguruar jetesën, përbërësit e saj shkojnë të bërë muzikën e të tjerëve. Por në mbrëmje mblidhen për të bërë muzikën e tyre. Muzikën që ata zgjedhin e që u pëlqen atyre, e i bën të ndihen më pranë tingujve që për shpirtin e tyre është Muzika e vërtetë. Interpretojnë muzikë klasike, të kompozitorëve bashkëkohorë e bëjnë eksperimentime nga më të ndryshmet. U jep forcën pasioni, entuziazmi e dashuria e pastër, e vërtetë, e pakufi për familjen e tyre të bukur që është pikërisht “Orchestra Notturna Clandestina”.
Enrico më propozon të bëjmë një koncert bashkë. Kjo ide më entuziazmon dhe menjëherë i hyjmë punës. Për mua është privilegj i veçantë të kem 22 muzikantë të këtij niveli e Enricon në krah, për t’u shprehur nga ana muzikore. Kalojmë netë të tëra duke dëgjuar muzikë klasike dhe të lashtë. Ai dëgjon muzikën antike për shkak të formimit muzikor të tipit klasik, por edhe sepse i jep kënaqësi muzika e nivelit të lartë; ndërsa unë edhe pse njihem për muzikën pop, jam rritur në korridoret e teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë ku babai im Edmondi punonte si tenor në korin e teatrit…
Kthim në origjinë për ty…
Tamam! Kam kaluar fëmijërinë time mes “problemeve” të Violetës e Toskës, mes realitetit e inskenimit, mes parrukeve të mrekullueshme që mbanin një erë të papërcaktuar mes llakut të flokëve e djersës së kokës, mes kostumesh skene të madhështore për sytë e një fëmije siç isha asokohe. Jam rritur mes instrumentesh muzikore nga të katër anët, mes provash, tensioni, emocionesh, por mbi të gjitha mes muzikës klasike, operave, sinfonive, koncerteve, baleteve, mes orkestrës sinfonike aq të madhe.
Me pak fjalë muzika klasike më lidh ngushtë me Enricon. E duke pasur një orkestër klasike, menjëherë menduam të eksperimentojmë, duke përdorur zërin tim për disa arie klasike. Disa prej atyre që kemi zbuluar e pas të cilave jemi dashuruar në vite.
Nga ky bashkëpunim lindi koncerti që kemi titulluar si të ishte një udhëtim, “Da Bach ai Balcani”, i cili u mbajt për herë të parë në Nuovo Cinema Palazzo të Romës.
Çfarë duhet të presë publiku në koncertet e radhës?
Kemi përgatitur një program shumë të gjerë: dy arie nga Magnificat i Bach-ut, një arie nga Farnace e Vivaldit, një kompozim i Mozartit për piano dhe orkestër, që do të kthehet në një këngë antike (një nga eksperimentet tona ky), një arie të kompozitorit dhe violonçelistit Giovanni Sollima që është mjeshtër i madh e mentor për ne. E qershia mbi tortë, disa pjesë nga muzika jonë tradicionale shqiptare.
Do të shohim Elsa Lilën në petkat e këngëtares lirike?
Jo, jo, unë nuk jam këngëtare lirike. Të gjithë jemi përpjekur t’u qëndrojmë shumë besnikë kompozimeve të autorëve klasikë, të respektojmë origjinalin. Edhe duke përdorur zërin tim natyral po impostim lirik, dhe zbuluam që i jemi afruar origjinalit humë më tepër se interpretime artistësh të famshëm. Ndonjëherë, këngëtarët lirikë vibrojnë kaq shumë sa nuk kuptohet më ç’notë muzikore po marrin, e çfarë fjalësh po thonë.
Do t’i pëlqejë publikut të gjerë?
Rezultati që kemi arritur na pëlqen shumë e nuk është aspak diçka e mërzitshme. Duke kënduar këtë muzikë që duket sikur bota e ka harruar, njeh më nga afër ata gjeni që kanë kthyer në muzikë maksimumin e inteligjencës njerëzore dhe, pasi hyn në botën e tyre, në labirintin e tyre, nuk kthehesh më pas: e lë veten me kënaqësi të magjepsesh nga zbulimi i kombinimeve të mrekullueshme e inteligjente të tingujve.
Në koncertin e parë, zgjodhët Romën, pse?
Po, ajo që mendojmë të bëjmë është një formë e re vetë-menaxhimi e vetë-mbrojtjeje e artistëve që nuk janë pjesë e fabrikës së Hiçit, është një teatër i pandikuar nga politika, nga drejtorët e hierarkitë, nga kontratat e sindikatat. Këtu mbizotëron shpesh edhe rregulli i buzëqeshjes dhe i një shtrëngimi duarsh, nëse ideja, propozimi është artistikisht i bukur. Me një fjalë, është një vend i mrekullueshëm për të luajtur Vivaldin, për të krijuar e për të ëndërruar.
Ndonjë datë tjetër në të ardhmen?
Do të donim të çonim në mbarë botën këtë udhëtimin tonë muzikor “nga Bach në Ballkan”. Pse jo, do të ishte bukur të mund ta vinim në skenë në Teatrin e Operës në Tiranë ku jam rritur, apo në Teatrin e Prishtinës. Ndërkohë, ne e kemi marrë autobusin me qira. Muzikantët që nuk udhëtojnë janë si zogj në një kafaz, duhet të përhapin muzikën në kohë dhe hapësirë.