Albspirit

Media/News/Publishing

Flet sekretarja e Vatres ne Tampa, bamiresja, Zamira Rubjeka, Ekonomiste ne Banken Amerikane

Zamira

Motua e saj eshte – Nënë Tereza thotë “Jep duart për të shërbyer dhe zemrën për të dashuruar”/

 Histori suksesi nga Dr.Liliana PERE/

Zamira Rubjeka  e lindur dhe  e rritur ne Tirane jetoi në Shqipëri deri në vitin 1997. Zamira është me prejardhje nga Tirana me gjenerata.Per shume arësye te njohura per shqiptarët në vitin 1997 prindërit e Zamirës vendosën te largoheshin nga Shqipëria me ndihmën e Konsullatës Polake, ku punonte i ati. U nisën me gjithë  vëllain e saj të madh në rrugët e mërgimit pa ditur se çfarë i priste në Poloni dhe pastaj në Gjermani.Fatmirësisht, po atë vit, Zamirës iu  aprovua kërkesa për Green card dhe emigroi sërish, por tani në SH.B.A. Ky ishte fillimi i një jete të re por të ponjohur, shoqëruar me dhimbje per shqipërinë dhe vështiresi te mëdha momenti më i vështirë, shpjegon Zamira, ishte kur u tha lamtumirën të dy prindërve të saj të shtrenjtë..

Zamira  e  edukuar me dashurinë për kombin, me virtytet më te mira, urtësine , ndjenjën e përgjegjësisë ndaj punës, sinqeritetin, dashurinë për njerezit ,humanizmin,  e brumosen Zamiren  për të bërë  vepra te mira në jetën e saj.

Diplomohet ne fakultetin Ekonomik ne Universitetin e Tiranes .Fillon karierën  e saj në Bankën e Kursimeve të Tiranës duke ju dedikuar totalisht punës, me dashuri e devotshmëri per tu bërë nje bankiere e aftë profesionalisht.

Fillon punë  ne Banken amerikane  ne SHBA  ne vitin 2002  si Këshilltare e operacioneve duke asistuar departamente të ndryshme në dokumentimin e processeve të punës dhe krijimin e procedurave dhe regulloreve të brëndshme në akordim me ligjet shtetërore.

Dëshiradhe objektivi i saj në te ardhemen e saj profesionale është Real Estate që ajo është e licensuar dhe në të ardhmen dëshiron  të kete kompaninë e saj  të investimeve të pronave private dhe komerciale.

Sot ajo eshte sekretare e degës së Vatra Tampa dhe anëtare e Këshillit Drejtues në Vatra NY, iniciatore e bashkëpunimit me Albanian American Women, Organization “Motrat Qiriazi”, me zonjën  e nderuar Ana Kohen.

Zamira Rubjeka është një aktiviste, nje grua me formim te admirueshem, nje atdhetare pateriote  humane, ruan dhe përcon vlerat  me  te mira njerezore  atje ku jeton ne Amerike, ne komunitetin Shqiptaro -Amerikan.

Merret  me  çështje bamirëesie dhe  eshte  anëtare e bordit  të degës së Vatra Tampa chapter në Clearwater, Florida (FL).

Edukata, Bukuria, humanizmi  i  saj shkojnë  sinkron me shpirtin e saj te madh patëriotik, si dhe tradita familjare   e ndihmes dhe bamiresise  së mirë  qe  është ndjekur dhe nga prindërit e Zamirës gjatë luftës së Kosovës, ku në shtëpinë e saj u strehuan 17 vëllezer e motra kosovare me gjithë fëmijet e tyre.

Te gjitha keto jane  jane motive të forta , per Zamiren per të cur përpara

Kjo traditë  familjare po ndiqet dhe nga Zamira, me kurajon, pasionin dhe dëshirën për të kontribuar në komunitetin e Clearwaterit ku ajo punon dhe jeton së bashku me familjen e saj ne SHBA

Zamira është nje qytetare e hershme nga Tirana me gjenerata. Gjyshërit e Zamirës nga ana e babait kanë jetuar në  zonën e Medresesë që tiransit e vjetër e njohin si  Mëhallja e Kukjve. Gjyshërit nga ana e nënës janë nga zona e Ishmit të Durrësit. Një influencë positive ka qenë dhe mbetet gjyshi nga ana e nënës që  ishte i njohur për patriotizëm, pajtime gjakrash dhe si plaku i mencur i asaj zone. Gjyshi (Haxhi Karepi) ka qenë pjesmarrës në mbledhjen e Mukjes.Nje familje që ka bërë  histori ne historinë e kombit Shqiptar.

Familja e gjysherve , oxhaku i kësaj shtëpie i kishte hapur dyert  çdo shqiptari  në kohën e luftës dhe ndihmuar  të vobektit, të semuret  e kohës së luftës  pa marrë  parasysh se cilit krah politik i përkisnin.

Gjate emigrimit  ne Gjermani Zamira  jetoi  me  durim  disa muaj  në kampet e refugjatëve dhe pastaj u punësua në një restorant pranë  Hanoverit ku punonte mbi 12 orë punë të rëndomta për të kursyer të holla për ëndrrën e saj të madhe, Amerikën.

Fatmirësisht, po atë vit, Zamirës ju  aprovua kërkesa për green card dhe emigroi sërish, por tani në SH.B.A.

Ky ishte fillimi i një jete të re por të ponjohur. Zamira njihte në Amerikë vetëm vëllain e shoqes së saj të ngushtë që e priti për herë të parë në aeroportin e  Nju Jorkut.

Shkëputja nga Shqipëria për të dytën herë ishte akoma me e dhimshme dhe renqethëse. Këtë radhë ishte matanë oqeanit në një vend që nuk e kishte shkelur kurrë dhe nuk fliste gjuhën angleze.

Ajo e dinte që nuk kishte kthim mbrapa dhe momenti më i vështirë, shpjegon Zamira, ishte kur u tha lamtumirën të dy prindërve të saj të shtrenjtë.

E kujton si sot atë moment dramatik, kur vendosi të mos kthente kokën pas dhe përtypi lotët nga shkëputja familjare, vendi që e lindi dhe i rriti.

Edhe sot e kësaj dite i mbushen sytë me lot kur e kujton atë moment.

I tërë udhëtimi për në Amerikë ishte  fillimi i një etape të  re me shumë të panjohura.

Zamira arriti në Amerikë vetëm me $2000 që kishte kursyer duke punuar në Gjermani.

Jetoi disa muaj në Cunnecticut dhe lëvizi përsëri në shtetin e Floridës.

Aty me ndihmën e disa shqiptarëve u punësua  në një fabrikë komputerash në Saint Petersburg, ku punonte me orë të zgjatura dhe 7 ditët e javës pa pushim derisa arriti të blinte një makinë të përdorur dhe apartamentin e saj.

Vështirësitë ishin të natyrave të ndryshme, nga mosdija e gjuhës, paragjykimi në komunitet si një  vajzë që kishte emigruar vetëm deri aty ku jetoi si endacake për  disa ditë.

Ajo ishte e bindur që do t’ja dilte mbanë dhe nuk ngurroi të vinte në provë njohuritë që kishte fitur në Shqipëri në fushën e financës.

Tani ajo ka mbi 13 vjet që punon në një ndër bankat më të mëdha në SH.B.A me një eksperiencë të madhe  në huat bankare dhe analiza financiare.

Në vitin 2010, Zamira u trondit shumë nga lajmi që nëna e saj u diagnostikua me kancer. Ajo bëri të pamundurën, për të ndihmuar nënën e saj që vuante nga dhimbjet.

Pasi arriti ta sillte në Amerikë dhe me vite me sakrifica duke luftuar me jetën, nëna e Zamirës i mbijetoi kancerit dhe gëzon shëndet të plotë.

Kjo eksperiencë  e vështirë por me një fund pozitiv  bëri që  Zamira të jetë  më e ndjeshme kundrejt njerëzve me nevoja dhe të sëmurëve.

Për herë të parë në  bashkëpunin me z. Semsedin Yasar nga Shkupi, ajo punoi për të mbledhur fonde per djalin e vogël shqiptar, Andi Cali. Historia e këtij djali të vogël ia rrëmbeu zemrën dhe nuk ngurroi të kërkonte fonde nëpër  biznese të ndryshëm  dhe individë shqiptarë.

Me ndihmën e disa vullnetarëve të tjerë u organizua mbrëmja e bamirërisë ku shumë shqiptarë vunë dorën në zemër dhe kontribuan finaniciarisht me gjithë shpirt për Andin (ëngjëlli me flokë të kuq), që  fatkeqësisht  humbi jetën 3 muaj më pas.

Ndihmesën  në  mbledhjen e këtyre fondeve e dhanë dhe aktivistë që kishin kohë që punonin në komunitet; Z. Ismet Gjeloshi dhe Z. Isuf Spahijaj me informacionet dhe ekpertizën e tyre.

 Ky lloj sensibiliteti e preku Zamirën akoma më shumë dhe  nuk ngurroi të kontribonte në ndihmë të  një vajze fatkeqe në Shqipëri, Ela Mustali që kishte nevojë për implant veshkash.

Ndiqni bashkëbisedimin me Zamirën.

Pyetje:  Zonja Zamira, ju falenderoj për këtë intervistë dhe ju përgëzoj për  aktivitetin tuaj si bamirëse për njerëzit në nevojë ne komunitetin Shqiptaro-amerikan. Jeni larguar shumë e re nga Shqipëria e megjithatë shpirtin duket se e keni lënë në vendlindje. Si janë lidhjet dhe nostalgjia me vëndin e lindjes?

Zamira: Është e vërtetë shprehja popullore “Trupin e kemi këtu po kokën në Shqipëri”. Çdo shqiptar emigrant ka përjetuar vuajtjet dhe varfërinë sikurse mungesën e mundësive, por në të njëjtën kohë vleresimi i gjesteve të vogla, jeta e thjeshtë dhe dashuria për njeri-tjetrin na ka ndihmuar të mbijetojmë si komb. Këto tradita  na kanë mbushur shpirtin me gëzim si ajo rrezja e diellit që depërton në një dhomë të errët.Më mungojnë shumë njerëzit dhe  rrugët e Tiranës, ambjentet ku kalonim kohën me shoqërinë, shëtitja në bulevard etj etj. Gjithmonë kur vij në Shqipëri vizitoj vendet ku kam jetuar dhe kam nostalgji.

Pyetje- A mund të na thoni diçka më shumë mbi prejardhjen tuaj familjare dhe çfarë cilësish trashëguat nga prindërit? A keni pasur mbështetjen e tyre në rrugëtimin tuaj dhe në se po, a ka qenë kostante kjo mbështetje?

– Prindërit e mi dhe familja ime kanë pasur gjithmonë vision per jetën dhe më kanë dëgjuar me vëmendje për pasionet dhe ëndrrat e mia.Ky raport që kam me prindërit , shpjegon faktin që vendimi im për të ikur në Amerikë u mbështet megjithëse ishte  në një kohë kur paragjykimi ishte shumë i theksuar dhe opinioni i të tjerëve akoma ndikonte në jetën tonë.Ata kurrë nuk u bënë pengesë për të ardhmen time, por më dhan  bekimin e tyre edhe pse syri dhe zemra e tyre qau për largimin tim. Ata janë shumë krenarë që ia dola mbanë vetëm por edhe që

Unë kontriboj dhe aderoj në radhët e Vatrës duke shpërndarë gjithmonë vizionin dhe misionin e shenjtë të të parëve tanë, Vatrës shekullore dhe rolin e saj të fuqishëm ne diasporë.Aktualisht jam sekretare e deges ne Tampa.Prindërit e mi janë të kënaqur që traditat tona dhe dashurinë për Shqipërinë po ja kaloj dhe vajzës sime Angelina që lindi ne USA. Ajo pëlqen muzikën por më shumë i tërheq vëmendjen mitologjia Shqiptare dhe me krenari flet për Shqipërinë  dhe u thotë miqve  te saj që edhe ajo është një “Eaglet- Shqipe e Vogël”.

Pyetje: Besoj se do të ishte me interes për lexuesin të na tregoni diçka më  shumë për profesionin tuaj dhe motivet që ju shtynë  për të përzgjedhur profesionin  e ekonomistit, dhe dhe a po e ushtron  profesionin jashtë atdheut, aty ku jeton në Amerike?

-Unë kam lindur dhe u rrita në lagjen Ali Demi në Tiranë dhe jetova në Shqipëri deri në vititn 1997. E fillova karierën time në Bankën e Kursimeve të Tiranës duke ndjekur dhe studimet e financës ne Universitetin e Tiranës . Kjo ishte një periudhë e errët dhe tejet e  vështirë për mua, kur unë po formohesha jo vetëm nga ana profesionale por edhe si femër , por dhe një fatkeqësi kombëtare.Kur ika në Amerikë mendova të mos punoja më në bankë  për të evituar stresin e përgjegjësisë që ky profesion shkakton.Këtu m’u  desh të punoja punë të ndryshme  dhe të rëndomta për të mbuluar shpenzimet e jetesës. Në fillim pastroja tavolina në një kazino dhe më vonë në një manifakturë elektronike, por punët ishin të lodhshme dhe me pagesë të ulët. Me aq sa fitoja nuk mundesha  të krijoja dot familje apo të ndihmoja familjen në Shqipëri.Nuk e gjeja dot vetveten dhe isha gjithmonë në kërkim pune duke u përqendruar në përparimin  e gjuhës së folur por edhe gjuhës së biznesit.Meqenëse këto punë nuk ishin natyra ime, aplikova në Bankën e Amerikës në 1999. Kalova testet por kur më intervistuan nuk pëlqyen theksin tim dhe më refuzuan. Kjo më vrau shumë  shpirtërisht por nuk hoqa dorë duke kërkuar punë.Mbas 3 vjetësh përpjekje dhe me referimin e një vajze shqiptare hyra po tek ajo bankë që u refuzova në fillim. Që nga ajo kohë kanë kaluar  plot 13 vjet që punoj në këtë bankë duke  arritur në pozicione të ndryshme, që nga procesimi i dokumentave dhe aprovimi i huave bankare dhe analiza financiare të kompanive që bëjnë biznes me këtë bankë.Vitet e fundit jam specializuar si Këshilltare e Operacioneve duke asistuar departamente të ndryshme në dokumentimin e processeve të punës dhe krijimin e procedurave dhe regulloreve të brendshme në akordim me ligjet shtetërore.Dëshira ime profesionale është Real Estate që unë jam e licensuar dhe në të ardhmen dëshiroj  të kem kompaninë time të investimeve të pronave private dhe komerciale.

Pyetje:-Jeni një grua me shumë ambicje që keni treguar se vështirësitë kalohen me durim, punë të palodhur dhe në fund rezultatet arrihen. Në punën tuaj,  çfare sadisfraksioni ndjeni, dhe a ndjenheni e realizuar?

-Them se po , arritjet nuk kane fund– Puna me jep sadisfraksion  sepse është profesioni im , por në të njëjtën kohë justifikon dhe mbulon nevojat e mia personale.Ndjej kënaqësi për zhvillimin tim personal në këtë fushë, por kam të njëjtën kënaqësi  edhe kur ndihmoj dhe jap pa pritur të marr dicka mbrapsht.Është një ndjenjë e veçantë dhe gratifikim kur sytë e vujatur të një të varfri dhe pa shtëpi  të shohim me admirim, të uron nga thellësia e shpirtit dhe të falenderon. Kjo më prek në shpirt dhe ma shton  dëshirën  për të kontribuar më shumë.  Ka raste që merzitem  kur  nuk kam mundësi të jap më shumë.Këto  gjëra më ndihmojnë të kujtoj nga erdha dhe ku është origina ime.  Siç thotë nënë Teresa “Jep duart për të shërbyer dhe zemrën për të dashuruar”

Pyetje: Ju beni bamirësi keni  nje shpirt te madh dhe sens pateriotik.A mund të na tregoni si ka lindur tek ju deshira për t’u marrë me bamirësi dhe të na thoni për hapat e parë në këtë drejtim?

Familja ime ka qenë gjithmonë humane dhe e gjindshme tek personat në nevojë, si gjatë Luftës së Dytë Botërore po ashtu gjatë luftës së Kosovës. Këtë humanizëm gjyshërit e prindërit e mi na i kaluan edhe ne fëmijve. Por pika e fillimit tim personal në këtë fushë, ishte diagnostikimi i nënës sime ma kancer ne vitin 2010.U përpoqa shumë duke e sjellë në Amerikë dhe ajo sot gëzon shëndet të plotë. Ishte një luftë e vështirë që nëna ime e fitoi falë forcës së saj por mbi të gjitha mundësisë së kurimit në Amerikë.Nga ai moment kur dëgjoja për persona të sëmurë që s’kishin mundësi mjekimi në Shqipëri, më dhimbte në shpirt dhe fillova të kontaktoj me persona e biznese shqiptare në Amerikë për t’i ndihmuar këta njerëz.

Pyetje: Ju lutem,  një koment tuajin mbi mendimin apo më mire të themi paragjykimin e shoqërisë për gruan dhe profesionin e saj, evolucionin dhe një mesazh për botën e gruas shqiptare. 

-Jam në korent të eventeve në Shqipëri sidomos tani që mediat janë më të fuqishme se kurrë; lajmet e mira apo të këqija shpëndahen shumë shpejt nëpërmjet shkrimeve, fotove apo vidiove. Reagimi im nga media Shqiptare është shokuese, jo edukuese dhe përçon mesazhe shumë negative për brezat e rinj. Përsa i përket gruas shqiptare, ne kemi trashëguar shumë tradita të bukura që na kanë  ndihmuar të jemi femra të veçanta,  mund të thoja.Veti të tilla si, besnikëria, dashuria, ambicja e mirë, sikurse besimi në vetvete, veti të një gruaje të fortë dhe me ndjenja të buta që na veçojnë nga grate e komuniteve të tjera. Këto veti spikatëse kanë ndihmuar në progresin e gruas në Shqipëri dhe në diasporë.Gruaja është boshti i shoqërisë, është edukuesja direkte e brezit të ri dhe të së  ardhmes. Përqëndrimi dhe dhënia e mundësive për mbështetje të grave është  vitale për shoqërinë e sotme sepse trajtimi i gruas është pasqyrimi i një familjeje , i një kombi dhe parashikimi dhe përcaktimi  i  së  ardhmes. Një grua, një nënë e edukuar  me vlera të larta morale nuk do të bëjë  gjë tjetër veçse të prodhojë  një  njeri me karakter të lartë, të sukseshëm me të njëjta vlera morale.Ajo që i bëj thirrje grave shqiptare është që të vazhdojnë të kultivojnë këto vlera për veten e tyre dhe fëmijëve, të jenë krenare për keto vlera që na dallojnë nga gratë e tjera.Vlerat  njerëzore janë më të fuqishme sesa vlerat materiale apo fizike. Lufta e përditshme është distancimi nga jeta fallco e diktuar nga mediat, nga artistët pa talent dhe të pashkolluar që ofrojnë një realitet të rremë duke kopjuar dhe duke dëmtuar origjinalitetin kombëtar.Gruaja dhe vajzat shqiptare duhet te punojne shume te   ndërgjegjësohen, per rolin qe kane.Kjo do t’i beje  të kenë më shumë  respekt për veten e tyre, ambiciet profesionale, trupin e tyre  dhe për personalitetin e tyre  dhe shpresoj që ajo ditë të jetë e afërt.

Pyetje: Zonja Zamira e them me sahume krenari dhe bindje se ju jeni një grua e bukur, fisnike, plot energji e ide zemërgjeresi …A ka ndonjë ide të pa realizuar mirë dhe që i takojnë të ardhmes? Cilat janë projektet tuaja në vazhdim?

-Përmirsimi  personal nuk është vetëm në suksesin professional  por dhe atë shpirtëror.Sa herë që rutina më rrëmben, kthehem në thëniet dhe këshillat e disa grave që  janë kthyer në legjenda dhe janë mësueset më të mira;Idhulli im mbetet nënë Teresa. Nuk besoj se egziston një grua e dytë si ajo, por këshillat e saj janë aq të fuqishme dhe më ndihmojnë në çdo hap. Kam 2 vjet që jap kontributin tim  në një kishë ku  ushqehen të pastrehët  në qytetin e Clearwater, FL. Nj ë ditë lexova këtë thënie nga nënë Teresa:“Njerëzit në park, alkolistët apo të pastrehët po të shikojnë ty. Mos u bëj si  ata që shikojnë,  por nuk shohin. Shiko dhe shih, shiko dhe vepro, mos qendro indiferent. Çdokush shikon me sy por duhet të shikosh më thellë, duhet të shikosh me mendje dhe zemër , më thellë se etiketat, titujt apo diplomat, në thellësi të shpirtit  njerëzor”.

Pyetje: Sigurisht që është një thënie e mrekullueshme e nënë Terezës për të dhënë kontributin personat për njerezit në nevojë. Po komunikimi dhe kontributi juaj për Shqipërinë dhe bashkatdhetarët tanë diçka me teper ju lutem?

-Në çdo moment, kudo që ndodhem gjej mundësine t’u them njerëzve për Shqipërinë dhe shqiptarët.Në ditën e falenderimit në USA, që bëhet në Nëntor, unë dhe mikja ime Helena Shabani  shtruam një drekë për kolektivin e Bankës së Amerikës ku punonim me ushqim special shqiptar si mënyrë falenderimi dhe mundësi për të ekspozuar zakonet dhe traditat tona.Ne bëmë një prezantim të ushqimit, ekspozim të figurave dhe ikonave Shqiptare së bashku me shqiptaro-amerikanët e suksesshem në Amerikë.U veshëm me kostum shqiptar dhe drekën e shoqëruam me muzike shqiptare.Ajo drekë ishte e rallë dhe ne të dyja morëm shumë përshtypje të larta për punën tonë krijuese dhe për Shqipërinë si vend interesant dhe kaq i pasur me tradita.

Impresionet e Zamires per Vatren?

-Pjesëmarrja në radhët e Vatrës më jep një kënaqësi shpirtërore dhe mundësinë për të dhënë  sado pak  kontributin tim, edhe pse fizikisht ndodhem në dhe të huaj.Nëpërmjet Vatrës jam njohur me njerëz shumë të mirë që kanë nostalgji për atdheun dhe kanë të njëjtin pasion dhe dëshirë në  zemër.Patjetër, që puna ime do të ishte shumë e vogël dhe minimale nëse nuk do ishte prania dhe ndihma e shumë patriotëve që aderojnë në bordin dhe radhët  e Vatrës.Ata  dedikojnë kohë nga jeta e tyre, kontribojnë  financiarisht, moralisht dhe shpirtërisht. Ndihmat janë nga më të ndryshmet , ndihmojmë shqiptarët që vijnë për herë të parë në Amerikë, duke sistemuar fëmijët në shkolla, për punësim apo edhe kontribut finaciar për ditë të vështira dhe fatkqësi. Dega e Vatra Tampa është akoma e re por qysh në krijimin e saj nuk ka munguar  ndihma financiare e shumë anëtarëve  të  shoqatës dhe të bordit.Organizimi  i  eventeve me tema të ndryshme ndihmon në bashkimin e shqiptarëve dhe demonstrim të kulturës sonë, sidomos mundësinë për të festuar festat kombëtare së bashku. Vatra Tampa bashkëpunon me organizatat shqiptare në Tampa Bay dhe në të  gjithë  Floridën.   

Pyetje: Zonja Zamira desha te di sa interes e vëmendje u kushtoni zhvillimeve sociale e shoqërore shqiptare si një grua e ndjeshme,  e interesuar per mbarevajtjen e shoqerise , dhe atdheut tuaj?

-Më shqetëson shumë gjendja ekonomike sikurse politike në Shqipëri. Këto probleme ngadalësojnë  realizimin e ëndrrës dhe proçesin e bashkimit të Shipërisë me Kosovën.Unë mendoj se si popull duhet ndërgjegjësohet duke u përqëndruar në zhvillim dhe evituar konfliktet dhe kritikat ekstreme, te pafunda që nuk janë gjë tjetër veçse përcarje dhe varfëri. “ Fjalët e tepërta janë fukarallëk”.  Pse e them këtë?Historikisht njihemi që i vëmë fajin perandorise turke, Zogut, Enver Hoxhës dhe tani krerëve të sotshëm, duke harruar që këto krerë u zgjodhën me votën e këtij populli.Historia përsëritet derisa ne të mësojmë prej saj dhe të ndryshojmë rrugën. Kur ne mësojmë dhe reagojmë nga gabimet tona si komb, kaosi, negativiteti dhe korrupsioni nuk do kenë mundësi të mbizotërojnë dhe lulëzojnë.

Pyetje:- Së fundmi, pas një bisede kaq konstruktive dhe intersante, më thoni diçka edhe  për kontributin tuaj në Vatër nje emer qe na zgjon shume respect dhe emra te nderuar dhe figura te shquara  te kombit Shqiptar?

– Sot jam sekretare e degës së Vatra Tampa dhe anëtare e Këshillit Drejtues në Federatën Panshqiptare të Amerikës”VATRA’ me qendër  në New York dhe degë në shumë shtete të Amerikës dhe në Kanada, iniciatore e bashkëpunimit me Albanian American Women, Organization “Motrat Qiriazi”, me zonjën  e nderuar Ana Kohen.Në të ardhmen do të punojmë më nga afër edhe në organizimin e gruas në Florida.

Zamira:Ishte një kënaqësi komunikimi me ju zonja Liliana duke më dhënë mundësinë të flas e të tregoj për projektet e mia personale në ndihmë të njerëzve në nevojë dhe të punës së madhe  së Vatrës.Punë të mbarë edhe ju për t’i dhënë zë grave shqiptare në çdo cep të botës.

 Liliana:Ju falenderoj shumë në emrin tim  dhe në emër të Organizatës që unë drejtoj,për bisedën e ngrohtë dhe mbresëlënes per mesazhet e cmuara qe jep.  “shpreh kenaqesine dhe vlerësimin tim per arritjet dhe sukseset e tua si dhe shpirtin e madh patëriotik qe keni ne ndihmë te bashkëkombësve tuaj. Ju uroj suksese te mëtejshme . Faleminderit

-Bisedoi për gazetën DIELLI në SHBA Dr. Liliana Pere

President: International Organization.

Albanian Woman in the World

Peace Missionary & Honorary Advisor of DMPP

Please follow and like us: