Albspirit

Media/News/Publishing

Gladiatorët dhe arenat e tmerreve, sipas Senekës

 

Spektakli i luftimeve mes gladiatorëve u nis prej romakëve të pasur afro 250 vjet përpara lindjes së Krishtit, si pjesë e ceremonive që mbaheshin në nder të të afërmve të tyre të vdekur. Më vonë, këto lojëra u shndërruan në aktivitete të veçantë që sponsorizoheshin nga qytetarët kryesorë të Romës, me qëllim që të rrisnin prestigjin e tyre. Me rënien e republikës dhe rritjen e perandorisë, lojërat e gladiatorëve u bënë pronë e perandorit. Qëllimi parësor i këtyre dueleve për jetë a vdekje ishte që të argëtoheshin spektatorët që mbushnin arenën.

Ndonëse disa prej njerëzve të lirë zgjidheshin për të bërë jetën e një gladiatori, shumica e tyre ishin skllevër, të kapur gjatë luftërave të shumta që Roma bënte për të zgjeruar territoret e veta. Gladiatorët e ardhshëm i nënshtroheshin stërvitjes së gjerë dhe më pas ata bëheshin të aftë në një lloj të caktuar luftimi, si dhe në përdorimin e armëve të veçanta si shpata, rrjeta apo shtiza me tre dhëmbë, që njihej si tridenti.

Lojërat nisnin herët, ato zgjasnin gjatë të gjithë ditës dhe zakonisht ndaheshin në tri prezantime.

Mëngjesi i kushtohej shfaqjeve me vrasje kafshësh, shumë prej të cilave ishin bisha ekzotike që kapeshin në hapësirat më të largëta të perandorisë. Luanë, elefantë, xhirafa dhe kafshë të tjera të rralla, të gjitha kishin rol në një shfaqje thertoreje e cila ishte projektuar për t’i bërë sa më shumë reklamë shumëllojshmërisë së së perandorisë së shtrirë kudo, si dhe zotërimit të Mëmës Natyrë prej Romës.

Seanca e mëngjesit shoqërohej nga një pushim dreke, në të cilin padronët largoheshin nga arena për të kënaqur oreksin e tyre. Ata që mbeteshin, argëtoheshin me ekzekutimin e kriminelëve të zakonshëm. Bëhej gjithmonë në përpjekje që vdekja e të dënuarit të përngjasonte sa më shumë me krimin që ai kishte kryer. Ata që kishin kryer vrasje, lëshoheshin të pambrojtur në mes të bishave të egra. Ata që kishin kryer zjarrvënie, digjeshin të gjallë. Të tjerë kryqëzoheshin. Kriminelët shërbenin gjithashtu si ushqim për argëtim, në rivënien në skenë të betejave historike detare, në të cilat arena përmbytej me ujë dhe të dënuarit detyroheshin të luanin rolin e ekuipazheve, të destinuar të mbyteshin, të anijeve armike. Pasditja i kushtohej aktivitetit kryesor – luftimeve mes gladiatorëve. Zakonisht, gladiatorët me specialitete të ndryshëm hidheshin në luftim kundër njëri-tjetrit. Pak a shumë si një ndeshje moderne boksi, duelet zhvilloheshin nën rregulla shumë të rreptë dhe mbikëqyreshin nga një arbitër, për t’u siguruar që këto rregulla zbatoheshin. Gjithashtu, në sfond dëgjohej muzikë, ritmi i së cilës ndryshohej sipas aksionit në arenë. Më në fund, turma vendoste nëse humbësi do të jetonte, apo do të vdiste.

DËSHMIA E SENEKËS

Filozofi romak, Seneka kishte një këndvështrim shumë kritik ndaj ndeshjeve mes gladiatorëve si dhe spektaklit që i shoqëronte ato. Eshtë interesante që, në kritikat e tij, ai nuk bazohet në tmerrin që shkakton kasaphana që sheh me sytë e tij, por sepse shfaqja është shumë e mërzitshme dhe si rrjedhim, ajo nuk e meriton vëmendjen e një njeriu me arsye të shëndoshë. Në një letër dërguar një mikut të tij, Seneka përshkruan atë që ka parë në arenë gjatë sundimit të Perandorit Kaligula:

“Nuk ka asgjë më rrënuese për një karakter të mirë, se sa të harxhojë kohën e tij në një spektakël të tillë. Veset kanë një mënyrë që të nguliten avash-avash brenda teje, për shkak të ndjesisë së kënaqësisë që sjellin me vete. Përse mendon ti që unë them se rikthehem nga këto shfaqje më i babëzitur, më ambicioz dhe më i dhënë pas lukseve, dhe mund të shtoj, me mendime për më shumë mizori dhe më pak njerëzilëk, thjeshtë sepse kam qenë ndërmjet qenieve njerëzore?

Nja dy ditë më parë, ndalova që të shoh lojërat e mesditës, duke pritur sport, mençuri dhe një farë relaksi për të “kullotur” disi sytë, si dhe për t’i qetësuar nga pamja e gjakut të njeriut. Ndodhi krejt e kundërta. Cdo lloj luftimi që kish ndodhur përpara asaj ishte hiçgjë; tashmë të gjithë çikërrimat liheshin mënjanë – ishte kasaphanë.

Burrat nuk kishin asgjë për t’u mbrojtur, pasi të gjithë trupat e tyre ishin të ekspozuar ndaj goditjeve, dhe vetëm goditje merrnin. Njerëzit e zakonshëm preferojnë që të ketë kushte të barabarta. Nuk ka. Shpata nuk shmanget prej helmetës apo mburojës, dhe çfarë është aftësia apo mbrojtja? Të gjitha këto thjeshtë vonojnë edhe pak vdekjen.

Në mëngjes, burra hidhen tek arinjtë apo luanët, ndërsa në mesditë, tek ata që më parë ishin spektatorë e i shihnin. Turma kërkon që vrasësit të çiftohen me ata që vrasin bashkë me ta, dhe e kursen fituesin për të vdekur një tjetër herë. Ky është i vetmi çlirim që kanë gladiatorët. E gjithë kjo gjë ka nevojë për zjarr dhe çelik, për t’u bërë thirrje burrave që të luftojnë. Për ta nuk ka rrugë shpëtimi. Vrasësi vazhdon të luftojë, deri kur vritet.

“Vrite! Rrihe me kamzhik! Digje të gjallë!’ (ulërinin spektatorët) ‘Përse është kaq i ndyrë? Përse nuk vërsulet? Përse ai tjetri bie aq butë? Përse nuk shkon të vdesë me dëshirë?” Aspak i lumtur siç jam, si ka mundësi të kem merituar të bëhem dëshmitar i një skene të tillë? Të lutem, Lusili im, mos shko të shohësh lojëra të tilla. Pasi, ose do të korruptohesh nga turma, ose, nëse tregon që të kallet krupa, do të të urrejnë. Kështu që, rri larg”.

Please follow and like us: