Albspirit

Media/News/Publishing

Kosova dhe BE-ja merren vesh për zgjatjen e mandatit të EULEX-it

Në Kosovë autoritetet po presin një letër konfirmimi nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për zgjatjen e mandatit të Misionit të BE-së për sundimin e ligjit, i cili ka skaduar në mesnatë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha të mërkurën se është arritur pajtimi me BE-në dhe të enjten çështja mund të vihet për votim në parlamentin e Kosovës.

Presim ta marrim këmbimin e letrës nga përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogerini, pastaj do të mbajmë një takim të qeverisë dhe nesër mendojmë t’ia dërgojmë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim“, tha kryeministri Mustafa.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, njëherësh ministër i drejtësisë, tha se negociatat me Bashkimin Evropian ishin përqendruar kryesisht në përgjegjësitë e EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit.

Natyrisht që në negocimin tonë kemi pasur parasysh dy kritere; e para që të shfrytëzohet në maksimum mundësia e institucioneve tona për ta ushtruar sovranitetin e plotë në fushën e gjyqësisë dhe prokurorisë dhe njëkohësisht kemi pasur mundësinë dhe kemi shfrytëzuar autoritetin edhe të EULEX-it për të shfrytëzuar ekspertizën e tyre në dy vitet e ardhshme”, ka thënë Kuçi.

Këshilli i BE-së e miratoi të martën vendimin që mundëson zgjatjen e mandatit të EULEX-it.

Misioni gjatë të mërkurës ka pezulluar të gjitha veprimet, në pritje të ripërtëritjes së mandatit, të cilin parlamenti i Kosovës, duhet ta miratojë me dy të tretat e votave.

EULEX-i u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.

Ai ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton krimet e luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndejshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.

Please follow and like us: