Kremlini Erdoganit: Edhe ne duam marrëdhënie të mira me Turqinë
Kremlini njoftoi sot se Rusia dëshiron që të rivendosë marrëdhënie të mira me Turqinë pas letrës së urimit të Presidentit Recep Tayyip Erdogan ndaj Vladimir Putinit me rastin e Ditës Kombëtare të Rusisë.
Kremlini njoftoi sot se Rusia dëshiron që të rivendosë marrëdhënie të mira me Turqinë pas letrës së urimit të Presidentit Recep Tayyip Erdogan ndaj Vladimir Putinit me rastin e Ditës Kombëtare të Rusisë.
Megjithatë Presidenca e Federatës Ruse shtoi se Ankaraja duhet së pari të ndërmarrë hapa të caktuara për këtë.
“Urojmë dhe shpresojmë që të rivendosen marrëdhëniet e mira me Turqinë”, deklaroi Kremlini pas letrave, që Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe Kryeministri Binali Yildirim u dërguan më 12 qershor homologëve përkatës në lidhje me Ditën e Rusisë.
“Ne do të donim dhe duam një normalizim të marrëdhënieve tona dhe kthimin e tyre në periudhën e bashkëpunimit të mirë dhe reciprokisht të dobishëm”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë me gazetarët.
“Por, në të njëjtën kohë, Presidenti Putin e ka bërë të qartë se pas asaj që ndodhi, një normalizim i marrëdhënieve nuk duket të jetë i mundur para se Ankaraja të ndërmarrë hapat e nevojshëm”, tha ai duke iu referuar këmbënguljes së Rusisë që Turqia të kërkojë falje dhe të paguajë kompensim për rrëzimin e avionit.
Gjatë një darke iftari mbrëmjen e të martës në Ankara, zv/kryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus, deklaroi se urimi i Presidentit Erdogan me rastin e Ditës Kombëtare të Rusisë mund të paraqesë një hap përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Marrëdhëniet Turqi-Rusi u tensionuan menjëherë pas rrëzimit të një avioni luftarak, që dhunoi hapësirën ajrore turke më 24 nëntor të vitit të kaluar.
Vetëm pas ngjarjes u mësua se avioni i rrëzuar ishte një “SU-24” i Forcave Ajrore të Rusisë.