Albspirit

Media/News/Publishing

Ndërtimi i HEC-eve të vegjël hap konflikte të mëdha për kontrollin e ujit

Koncensionet për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël, shpesh të miratuar pa konsultim me komunitetin në përrenj që shërbejnë për vaditje dhe ujë të pijshëm, po krijojnë një numër në rritje përplasjesh të dhunshme midis banorëve vendas dhe ndërtuesve – të cilët gjejnë forcë në mbështetjen e policisë dhe gjykatave.

Autor: Agim Blloshmi BIRN Librazhd

Printo

Protesta e banorëve të fshatit Polis kundër HEC-eve | Foto nga : Agim Blloshmi

Mëngjesin e 31 korrikut 2014, rreth 30 burra, gra dhe fëmijë nga fshati Polis Qendër i Librazhdit bllokuan me gurë dhe me goma të djegura makinash, rrugën që çon në dy hidrocentrale që po ndërtoheshin në përroin e Gurrës, një nga tributarët e vegjël të lumit të Gostimës.

“Erdhi policia dhe menjëherë filloi të ushtronte dhunë ndaj grave, vajzave, burrave dhe  çfarë kishte aty. Madje dhe pleqtë po i rrëzonin,” kujton Marjeta Shata, një nga protestuesit. “Njëri më gjuajti  në krah, ku e kam ende shenjën nga goditja,” shtoi studentja 24-vjeçare.

Përballja e dhunshme e banorëve me policinë vinte pas më shumë se 1-viti protestash prej tyre kundër HEC-eve “Gurshpat 1” dhe “Gurshpat 2,” të cilët sipas tyre, po e lenë fshatin pa ujë – gjë që e bën të pamundur rritjen e prodhimeve bujqësore me të cilat ata sigurojnë një mbijetesë të vështirë.

“Policia tha do e lirojmë rrugën, [ndërsa] ne thamë jo sepse kemi ardhur për të drejtat tona. Më pas, policia filloi të lirojë rrugën … ku më kapën dhe më hodhën poshtë rrugës në një kanal,” tregon 53-vjeçarja Feride Shata.

Konflikti midis banorëve të fshatit Polis, forcave të rendit dhe ndërtuesit të hidrocentraleve nuk është i vetmi në zonën e Librazhdit, ku qeveria e qendrës së djathtë të ish kryeministrit Sali Berisha ka dhënë dhjetra leje koncensionare për ndërtimin e HEC-eve të vegjël – dy të tretat e të cilave ndodhen brenda parkut kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Grupet mjedisore ankohen se lejet e shumta koncensionare për HEC-e, të dhëna brenda territorit të parkut përbëjnë rrezik për florën, faunën dhe ekosistemin e tij; ndërsa banorët vendas protestojnë me forcë kundër ndërtimit të tyre, pasi thonë se hidrocentralet kërcënojnë furnizimin me ujë të fushave, shtëpive dhe kopshteve të tyre.

“Nga vrojtimet që kemi bërë në këto HEC-e në  gjithë rrethin e Librazhdit, por edhe në Polis, kemi vërejtur se i gjithë uji shkon në turbinë  dhe nuk lihet fare uji ekologjik për biodiversitetin  dhe banorët, për gjithë komunitetin, për bujqësinë dhe blegtorinë – dhe ky është një shqetësim shumë i madh,” shprehet Xhemal Mato, drejtor ekzekutiv i grupimit EkoLëvizja.

“Uji është jetë për çdo lloj gjallese dhe bime që ekziston në zonë, dhe ta kufizosh vetëm për HEC duke e futur në tub… do dëmtohet gjithë ekosistemi mjedisor dhe gjithë jetesa e  banorëve,” shtoi ai.

Konfliktet në rritje për ujin

Sistemi energjetik në Shqipëri ka një kapacitet të instaluar prej 1,823 MW, nga të cilat vetëm 98 MW e instaluara në TEC-in e Vlorës nuk janë burim hidrik.  Nga burimet energjetike hidrike të instaluara, 375 MW janë private kurse pjesa tjetër është publike dhe në pronësi të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, KESH.

Prodhimi vjetor i energjisë elektrike gjatë dekadës së fundit ka luhatur nga minimumi 2.918 milion KWh në vitin 2007 e deri në 7,743 milion kWh në vitin 2010 – viti me prodhimin vjetor më të madh.

Shqipëria aktualisht shfrytëzon rreth 35% të kapacitetit të saj hidroenergjetik, i cili vlerësohet afërsisht ne 3,000 MW dhe potencial vjetor gjenerimi në 10 TWh.  Për të shfrytëzuar kapacitetin hidrik të vendit, qeveria gjatë dekakës së fundit ka nënshkruar 173 kontrata koncesionare për ndërtimin e 501 HEC-eve, – kryesisht me një fuqi të instaluar të vogël – të cilët kërkojnë të rrisin prodhimin e energjisë elektrike në vend.

Megjithatë, sipas një studimi të botuar në shtator 2015 nga Qendra Rajonale e Mjedisit, REC, gjatë viti 2014 numri i hidrocentraleve privatë që ka prodhuar energji elektrike ka qenë vetëm 98. Prodhimi i përgjithshëm për vitin 2014 nga këta gjenerues privatë/koncension ishte 919 GWh ose 19.45 % e prodhimit të përgjithshëm neto vendas të vitit 2014.

Përfaqësues të shoqërisë civile, gjatë një proteste para godinës së Kryeministrisë, kundër ndërtimit të hidrocentraleve | Foto nga : Malton Dibra /LSA

Uji si burimi strategjik konsiderohet një element i rëndësishëm i sigurisë kombëtare, por edhe i sigurisë në nivel komunitar. Të dhënat e grumbulluara nga REC tregojnë që hidrocentralet e vegjël por kthehen gjthmonë e më shumë në një burim konflikti midis firmave ndërtuese dhe banorëve vendas.

Në kuadër të studimi të titulluar “Alternativa Mjedisore e HEC-eve të Vegjël,” REC ka bërë një analizë të konflikteve midis banorëve dhe ndërtuesve, duke u bazuar në raportimet e medias së shkruar dhe asaj elektronike.

Sipas REC, gjatë studimit nga analiza e rasteve të grumbulluara në vend vihet re një përshkallëzim i konfliktit për ujin, sidomos në ato zona ku çështja mjedisore është e gërshetuar me fenomene të tjera si punësimi direkt dhe mungesa e përfitimeve komunitare.

“Nga 12 raste konfliktesh të paraqitura për efekt të këtij studimi, 4 raste kanë qenë konflikte të larta ku janë përfshirë përleshjet me policinë ose kompaninë përkatëse,” shkruhet në studim.

Studimi nënvizon që rastet e evidentuara përfshijnë investitorë shqiptarë, turq, italianë dhe austriakë, çfarë nënvizon faktin që investitorët e huaj dhe vendas i janë shmangur praktikave më të mira të të bërit biznes, duke anashkaluar kriteret ligjore, të përgjegjshmërisë sociale të korporatave.

“Rezulton se shumica e shkaqeve të konfliktit lidhen me mënyrën e ndarjes së burimit ujor, sasisë së ujit të devijuar dhe ujit minimal ekologjik,” thotë studimi.

“Por, një element i rëndësishëm që shfaqet është mungesa e konsultimit dhe përfshirjes aktive të komuniteteve në planifikimin, miratimin dhe më pas ndërtimin e HEC-it,” shton ai.

Konflikti arrin në sallën e gjyqit

Në studimin e realizuar nga REC, zona e Librazhdit identifikohet si një nga katër zonat e nxehta ku banorët vendas kanë pasur konflikte të vazhdueshme me kompanitë zhvilluese të HEC-ve.

Një ndër komunitetet më të vendosur kundër ndërtimit të HEC-eve, ai i banorëve të fshatit Polis ka mbajtur qindra protesta paqësore kundër ndërtimi të HEC-eve “Gurshpat 1” dhe “Gurshpat 2,” nën pronësi të kompanisë “Gurshpat Energji” Sh.p.k.

Sipas kryetarit të fshatit Polis, Faik Bufi, banorët nuk janë konsultuar kurrë për ndërtimin e këtyre dy hidrocentraleve dhe as iu është dhënë informacion mbi ndikimin e tyre në mjedis.

“Jam kryetar i fshatit Polis prej shtatë  vjetësh dhe tre vjet anëtar i këshillit të Komunës Polis dhe nuk kam asnjë dijeni për ndërtimin e këtyre HEC-ve,” tha Bufi.

“Kam kërkuar dhe kërkoj ku ekzistojnë këto dokumenta të koncesioneve dhe ku mundet t’i gjejmë; askush nuk të jep përgjigje, gjë e cila prej  vitesh ka vazhduar të ngrihet me të madhe dhe kërkohet zbardhja e së vërtetës,” shtoi ai.

Mungesa e konsultimeve me komunitetin konfirmohet dhe nga ish kryetari i komunës Polis, Veli Terziu.

“Ne si komunë dhe si ish këshill i komunës nuk kemi dhënë asnjë  firmë për ndërtimin e HEC-eve dhe askush nuk na ka pyetur,” tha ai. “Madje, kam kërkuar që të zgjidhen shqetësimet e zonës. Unë kam dërguar dhe shkresë subjektit që të pezullohen punimet deri në sqarimin e situatës,” shtoi Terziu.

Për shkak të protestave të vazhdueshme të banorëve të Polisit kundër HEC-eve në formën e mosbindjes civile, në verën e viti 2014, policia e Librazhdit merr një plan masash për t’i thyer tubimet dhe për të siguruar mbarëvajtjen e punës së kompanisë ndërtuese.

Momenti gjatë protestës kur Nexhmie Guberit (qendër) i bie të fikët | Foto nga : Agim Blloshmi

Ky plan masash u vu në veprim më 31 korrik 2014,  kur një grup prej afro 30 banorësh, i cili përfshinte gra dhe pleq, tentoi të bllokonte kamionët e kompanisë ndërtuese që po transportonin tubat me anë të të cilëve do të devijohej rrjedha e përroit të Gurrës.

“Në grupin e personave që kishin bllokuar rrugën, punonjësit e policisë kanë parë më shumë se 30 persona të moshave dhe gjinive të ndryshme, të cilët qëndronin pa lëvizur duke bllokuar kalimin në rrugë të mjeteve të subjektit që kryen punime në HEC –et Gurshpat 1 dhe Gurshpat 2,” shkruhet në vendimin e nëntorit 2014 të gjykatës së Elabasanit, e cila shpalli 7 prej tyre fajtorë për veprën penale të kundërshtimit të forcave të rendit.

Sipas Prokurorisë, punonjësit e policisë u kanë bërë thirrje banorëve të lironin rrugën në mënyrë vullnetare dhe të shpërndaheshin, por protestuesit u janë përgjigjur negativisht duke u ulur në rrugë në mënyrë që punonjësit e policisë të mos vepronin, dhe duke vendosur përpara gratë dhe fëmijët dhe pas tyre, disa burra dhe të rinj të fshatit.

“Në momenton që shërbimet e policisë po vepronin për zhbllokimin e rrugës, duke larguar pengesat e gurëve dhe gomave të ndezura, një grup prej personave, të cilët qëndronin pas barrikadës të krijuar me gra dhe fëmijë, kanë qëlluar me mjete rrethanore në drejtim të pononjësve të policisë,” thuhet në vendimin e gjykatës.

Por ndryshe se nga pretedon Prokuroria, banorët e Polisit, të cilët morën pjesë në protestën e fund-korrikut të dy viteve më parë ankohen që ka qenë policia e cila ka ushtruar dhunë kundër tyre.

“Edhe atë ditë, si gjithnjë dolëm në protesë, ku kishim mbi 1 vit që protestonim dhe kërkonim të drejtat dhe zbardhjen e koncensionit dhe lejeve, se kush ka firmosur,” thotë Nexhmie Guberi, një nga protestueset nga fshati Polis.

“…dolëm të protestonim në rrugë, kur mbërriti policia e Librazhdit dhe  menjëherë filloi dhunë ndaj të gjithëve ne që ishim aty, burra, gra, fëmijë  e pleq, nuk kursyen asnjë -policia na keqtrajtoi sikur të ishim kriminielë,” shtoi Guberi, e cila u arrestua pasi ishte shtruar në spitalin e Librazhdit për të mjekuar lëndimet e marra.

Guberi tregon se gjatë protestës është goditur nga forcat e rendit me shkop gome, duke shtuar se prej asaj dite vazhdon të vuajë pasojat shëndetësore.

“Nuk mbaj mend fare se kush më gjuajti.. më gjuajtën me shkop gome. Më kishte rënë të fikët, kur hapa sytë  pashë që kisha përfunduar në një kanal dhe më kishin hedhur ujë për t’u përmendur,” tha ajo.

“Që nga  ajo kohë dhe deri më sot  vazhdoj të endem spitaleve të Shqipërisë dhe Maqedonisë, pasi jam dëmtuar nga dhuna e policisë.  Çdo javë shkoj dhe bëj vizita në spital, nuk kam para as për ilaçe…,” shtoi ajo.

Bashkë me Nexhmie Guberin, në spitalin e Librazhdit pas protestës policia ka arrestuar dhe Marjeta dhe Feride Shatën. Të tre gratë janë akuzuar se kanë kryer veprën penale të kundërshtimit me dhunë të forcave të rendit në bashkëpunim dhe janë dënuar nga gjykata me gjobë. Bashkë me tre gratë, me nga 6 muaj burgim janë dënuar dhe katër burra nga fshati.

“Kam qenë e shtruar në spitalin e Librazhdit, së bashku me gocën e motrës, të cilën edhe atë e gjuajtën me shkop gome. Isha shumë e sëmurë, sepse jam me sëmundjen e zemrës dhe kam qenë keq. Siç ishim shtruar në spital, erdhi e na mori policia dhe na futi në furgon, na mori shenjat e gishtave dhe më pas na dërgoi në burgun e Elbasanit,” kujton Ferideja.

“Kemi vite që bëjmë protesa, kërkesa jonë ishte që të mos bëhej  hidrocentrali pasi ne mbetemi pa ujë dhe për një kalli misri jetojmë në fshat. Po na morën ujin, këtu gjithçka ka mbaruar, nuk kemi ujë as për të pirë, as për vaditje dhe as për blegtorinë,” përfundoi ajo.

Agim Blloshmi
RRETH AUTORIT

Agim Blloshmi

Agim Blloshmi është gazetar për ABC News TV.

Please follow and like us: