Promovohet “Valsi i mesnatës” i Ilire Zajmit
Në Prishtinë u promovua libri “Valsi i mesnatës” i autores Ilire Zajmi.
“Valsi i mesnatës” përbëhet nga poezi që i thurin vargje, dashurisë, dilemave jetësore, mallit e çështjeve shoqërore. Ky libër me poezi është i treti në gjuhën shqipe, i botuar në Kosovë.
Në foajenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, poezitë e “Valsit” në gjuhën shqipe, angleze, kroate etj. u lexuan nga aktorët Anisa Ismaili, aktorja e regjisorja Melihate Qena, poeti Shpëtim Selmani dhe aktoret Qëndresa Kajtazi dhe Fitore Broqi.
Aktorja Anisa Ismaili bëri një përmbledhje të aktiviteteve që ushtron Ilire Zajmi, duke iu drejtuar me pyetjen “A lodhesh ndonjëherë”. Ajo iu përgjigjet me “Po”.
Pyetjes se a ushqen shpirtin me shkrime , Zajmi iu përgjigj me “sigurisht”, ndërsa pyetjes së tretë se a do të ndalet ndonjëherë së shkruari ajo u përgjigj me “kurrë”. Në këtë formë të bashkëbisedimit që dukej spontan, u promovua libri i saj i fundit në gjuhën shqipe.
Ky promovim u bë në kuadër të edicionit të katërt të festivalit “FemArt”, ndërsa libri është botuar nga shtëpia botuese “Buzuku”. Zajmi , duke mos dashur të flasë shumë për librin e fundit, ka falënderuar të pranishmit dhe ka treguar për pauzën e saj të gjatë të shkruarit të poezive në gjuhën shqipe.
“Mendoj se poezia foli”, ka thënë ajo fill pas leximit që i bënë aktorët. “Pas një kohe shumë të gjatë, pas 15 vitesh, botova libër në gjuhën shqipe. Gjatë kësaj kohe kam botuar në gjuhë të huaja, dhe në këtë libër janë të përmbledhura edhe disa poezi që janë të shkruara brenda këtyre 15 viteve”, ka thënë Zajmi.
“Kemi kënaqësi ta kemi Iliren, sepse çdo vit mundohemi të bëjmë nga një promovim të librit. Po e prisnim një ditë që të bëjmë promovim të një libri të Ilires”, ka thënë Zana Hoxha-Krasniqi, drejtoresha e “FemArt”.
Ilire Zajmi është autore e përmbledhjeve me poezi “Kambanat e mëngjesit”, “Baladë e bardhë” , “Amnesia” në gjuhën angleze, “C’est la fin” në gjuhën frënge, romanit “Fashitja e ëndrrave rebele”, “Era”, librit publicistik “Un treno per Blace” botuar në Itali në vitin 1999, i përkthyer edhe në gjuhën shqipe e kroate, si dhe librit studimor “Pamjet televizive dhe realiteti”.