Studimi: Islamofobia në rritje në Gjermani
Një studim i kryer nga hulumtues në Universitetin e Lajpcigut, në bashkëpunim me Fondacionin Heinrich Boell, me Fondacionin Rosa-Luxemburg e me Fondacionin Otto-Brenner, ka arritur në përfundimin se islamofobia është në rritje në Gjermani.
Numri i atyre që mendojnë se muslimanët duhet të ndalohen të hyjnë në Gjermani është rritur, e tani është në kufirin e mbi 40 përqindëve.
Çdo një në dy të përgjigjur në studimin e mësipërm ka deklaruar se ndjehet i huaj në vendin e tij për shkak të muslimanëve.
Në rritje është dhe numri i sulmeve mbi strehimet e refugjatëve, kurse vërshimi i emigrantëve e ka shtuar mbështetjen për partinë që është kundër tyre, Alternativa për Gjermaninë (AfD). Kjo parti e quan gjithashtu Islamin si të papajtueshëm me kushtetutën gjermane.
Siç thotë studimi, përkrahësit e AfD-së janë më të prirur ta mbështesin ndalimin e hyrjes së muslimanëve në Gjermani, ndërsa votuesit që u përkasin të gjelbërve priren nga mospajtimi me deklarimin se muslimanët i bëjnë të ndjehen si të huaj.
Vetëm dy ditë më parë, presidenti i vendit, Joachim Gauck, ndërsa u bë pjesë e një iftari në Berlin, u shpreh kundër demonizimit të muslimanëve, si dhe kundër polarizimit në shoqërinë gjermane.
Në Gjermani jetojnë rreth katër milionë muslimanë, një shifër e barabartë me pesë për qind të popullsisë. Muslimanët e ardhur më herët janë më së shumti emigrantë turq, kurse të arriturit gjatë vitit të fundit janë kryesisht nga Siria, Iraku dhe Afganistani.