Albspirit

Media/News/Publishing

Vërmiku i Vlorës në operacionin e qershorit 1944

 

Vërmiku i Vlorës në operacionin e qershorit 1944

 

Mustafa Koçerri

Memush Habili

 

 

 

 

 

Pas dështimit të ushtrisë gjermane në operacionin e dimrit, 1943-1944, ajo po përgatitej për fillimin e një operacioni tjetër. Shtabi i UNÇL që në fillimin e muajit qershor 1944 kishte dijeni për përgatitjet që gjermanët po bënin për filimin e këtij operacioni në shkallë të gjerë. Mësymja e dytë e madhe e ushtrisë gjermane dhe bashkëpunëtorëve të tyre për asgjësimin e LANÇ-it dhe UNÇL u realizua nga 28 maj deri në 24 qershor 1944. Në këtë operacion morën pjesë 40 mijë ushtarë gjermanë dhe 10 mijë trupa bashkëpunëtorë vendas, mercenarë, xhandarë etj. Për t’i paraprirë këtij operacioni Shtabi i UNÇL, qysh më 28 maj 1944, kishte lëshuar urdhrin për kalimin e ushtrisë në kundërmësymje të përgjithshme. Po më 14 qershor 1944, Shtabi i UNÇL u drejtohet përsëri me një urdhër të posaçëm gjithë efektivave të ushtrisë për shkatërrimin e planeve të armikut, për kalimin e saj në kundërmëysmje të përgjithshme, që do të çonte në shpartallimin e plotë të forcave dhe mjeteve të ushtrisë gjermane dhe çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Etapa e parë dhe e dytë e operacionit

Etapa e parë, 28-10 qershor 1944 e këtij operacioni u realizua në zonën Korçë-Berat-Përmet për asgjësimin e forcave partizane dhe për t’i shtytur dhe ngjeshur ato në krahun e majtë të lumit të Vjosës. Etapa e dytë e mësymjes gjermane, 11-24 qershor me rreth 30 mijë forca u realizua në zonën Mesaplik-Kurvelesh-Bregdet. Veprimet luftarake në krahinën e Kurveleshit përbëjnë momentin më të të rëndësishëm dhe më të vështirë të UNÇL. Në zonat e Kurveleshit dhe të Bregdetit komanda gjermane vuri në lëvizje në njërin grupim 22 mijë trupa dhe në grupimin tjetër 8 mijë trupa. Brenda zonës së rrethimit armik, nga UNÇL vepronin forcat e Zonës së Parë Operative të vendosura në Salari dhe Picar, si dhe brigada e 12 S, Brigada 6 S, 2 batalione të vendosura në Luginën e Mesaplikut dhe 2 të tjera në bregdet. Komanda e përgjithshme e UNÇL, përveç përkrahjes së popullit dhe çetave të fshatrave në Shqipërinë e Jugut, në hapësirën ku kryhej operacioni i qershorit, kishte 25 mijë partizanë të inkruaduar në 9 brigada dhe batalione autonome.

Çarja e rrethimit në Grykën e Shurit

Në momentin më kritik kur forcat partizane ishin të rrethuara në Kurveslesh, komanda gjermane tërheq njërin nga divezionet që vepronte në këtë krahinë dhe e kalon në drejtim të Janinës, për të përballuar një zbarkim të mundshëm të forcave anglo-amerikane në bregdetin grek. Ky moment u shfrytëzuar nga forcat partizane, të cilat me një heroizëm të paparë çanë rrethimin në Grykën e Shurit më 20-22 qershor. Forcat gjermane, në pamundësi për asgjësimin e forcave partizane në këtë grykë, të gjendura edhe nën goditjen e befasishme nga shpina gjatë 23-24 qershor u larguan nga krahina e Kurveleshit. Një nga rrugët këmbësore për t’u futur në krahinën e Kurveshlish të Sipërm është ajo që kalon nëpër fshatin e Vërmikut. Për të patur nën kontroll këtë rrugë kalimi, komanda gjermane kishte rrethuar Vërmikun nga të gjitha anët dhe kontrollonte malin e Pleshovicës, Këndervicës, Tartarit, Qafën e Varreve dhe Qafën e Nikos. Pararoja gjermane që po marshonte para reparteve naziste, porsa hyri në territorin e fshatii Vërmik, hasi në rezistencën e Çetës së Vërmikut, e cila kishte zënë pozicion dhe mbështeste forcat e Brigadës 6 S. Pararoja gjermane u asgjësua. Në shenjë hakmarrje gjermanët, kur u futën në fshat, dogjën gjithçka, edhe ato pak kasolle që ata kishin ndërtuar. Në këto kushte të vështira, banorët e fshatit u larguan duke marrë me vete ato pak plaçka dhe ushqime, u hoqën këmborët dhe zilet bagëtive që u kishin mbetur dhe u larguan duke shfrytëzuar terrenin malor për t’u stehuar në malin e Çipinit, të Këndrevicës dhe malet e tjera përreth. Por Vërmikasit nuk e paguan vetëm me djegjen e kasolleve dhe plaçkitjeve që iu bë, por edhe me jetë njerëzish.  Vërmikasit ishin të shpërndarë në disa njësi të UNÇL. Më poshte po përmed vetëm disa prej tyre, ata që kanë marrë pjesë në Brigadën e 6 S, e cila vepronte në krahinën e Kurvelshit dhe më pas deri në Mitrovicë, Prishtinë dhe kthehet fitimtare pas çlirimit të Shqipërisë. Ata ishin  Xhule Çiraku, Seit Çiraku, Xhevahire Braka, Besho Mëzuri, Numan Koçerri, Shorto Alimuçi, Shezai Mëzuri, Dervish Lloi, Myftar Braka, Shefki Alimuçi, Idai Alimuçi, Xhemo Tushi, Bradho Sela, etj.

Vajza vërmikase 18 vjeçare, Xhevahire Braka

Vajza vërmikase 18 vjeçare, Xhevahire Braka doli partizane në çetën “Demo Fejzo” të batalionit “Asim Zeneli”. Ajo nuk iu nda hap pas hapi batalionit duke u cilësuar nga partizanët e tjerë si motra e batalionit. Më 16 qershor 1944, ajo ra heroikisht duke luftuar në malet e Këbuzit- Qafa e Pishës. Skuadra ku bënte pjesë Xhevahirja ishte caktuar në praparojë të batalionit me detyrë të ngadalësonte përparimin e gjermanëve, duke hapur zjarr ndaj tyre dhe të lajmëronte batalionin për afrimin e armikut. Shokët e saj kur e panë se ajo ra, duke u goditur nga një predhë e artilerisë gjermane, iu drejtuan për ta ndihmuar dhe gjendur pranë, por ajo iu thotë, midis të tjerave: “Mos u merrni me mua, por mbroni me këmbëngulje kodrën. Të rrojë Partia”.

Më 20 qershor 1944, u vra nga ushtria gjermane Cano Tushi, në vendin e quajtur Maja e Pishës. Ai ishte caktuar me detyrë, roje në burimin e koritave, ku mbushnin ujë edhe gjermanët, të cilët ishin vendosur në malin e Pleshovicës dhe Majën e Shkurtër, por këtu mbushnin ujë edhe partizanët, të cilët ishin vendosur në Pyllin e Lilos, të Plodave dhe në buzën e Trakos. Ai kapet nga gjermanët, torturohet prej tyre për të treguar se ku ishin strehuar banorët e fshatit dhe partizanët, por ai qëndroi i vendosur, trim dhe nuk u tregoi. Për këtë gjermanët e vranë. Më 22 qershor 1944 ose 22 qershor 1944 është data kur djali vërmikas, Dilaver Mëzuri kapet nga ushtarët gjermanë, të cilat ishin duke u tërhequr në majën e Helmit. Ata i kërkojnë edhe këtij të tregonte se ku ishin stehuar partizanët. Por ai nuk tregoi dhe ata e pushkatuan. Por si është ruajtuar operacioni i qershorit 1944 në kujtesën e banorëve vërmikas? Cilat ishin vështirësitë dhe sakrificat e tyre dhe të partizanëve që luftuan krah për krah së bashku? Më poshtë po përmendin vetëm dy prej tyre:

Rrëfimi i Lala Gjonit

“Duke parë nevojën për ushqim, vendosëm të thernim dy qe. Mishin ua ndamë familjeve, partizanëve dhe njerëzve të tjerë që ndodheshin në këtë zonë. Shumë filluan dhe e hanin mishin të gjallë. Pasi e ndanë mishin shkuam në gërxhe të Çipinit dhe ndezëm një zjarr me dru të thata që nuk bënte shumë tym dhe filluam ta pjekim mishin. Në një shkurre dëgjuam një rënkim. Shkuam dhe pamë të futur në një dëllinj një partizan, i cili doli zvarrë nga dëllinja. Na i bëri me shenjë se nuk fliste dot. Ai kishtë 4 ditë pa ujë dhe pa bukë. Pasi i dhamë ujë për të pirë dhe mish të pjeskur në prush, partizani erdhi në vete dhe na tragoi se nga ishte…”.

Tregimi i Samedije Habili (Ruçi)

“Në kohën e operacionit të qershorit 1944, në shtëpinë tonë që i themi shtëpi, por në fakt ajo ishte nja kasolle, se shtëpia na ishte djegur në operacionin e dimrit. Kishim strehuar një partizane nga Korça të Brigadës 6 S, ajo ishte e shëndetshme dhe e bëshme, kishte filluar të na ndihmonte në punët tona të përditshme, ne e konsideronim si njeriun tonë, si vajzën e shtëpisë. Një ditë në mbrëmje, vjen një partizan i Brigadës 6 S dhe na pyet se ku ndodhen forcat e batalionit që vepronin në këtë fshat se dua të çojë tek ata një letër. Ai ishte i lodhur dhe rraskapitur, për këtë i thashë, rri këtu, në kasolle me këta të shtëpisë se letrën e çoj unë me këtë vajzën partizane që rrinte tek ne. Nisemi për të çuar letrën, afërsisht përshkruam 2 km rrugë (nga vendi i quajtur Nozgë deri në qendër të Vërmikut). Shkuam te shëpia ku ishte vendosur Shtabi i Batalionit të Brigadës së 6 S dhe dorëzuam letrat, ata na pyetën për korrierin. Ne iu përgjigjëm: E lamë tek shtëpia se ishte i lodhur dhe rraskapitur. Partizanët pasi lexuan letrën na u drejtuan: Lajmëroni fshatin se do të vijnë gjermanët për të vrarë dhe plaçkitur. U larguam prej tyre dhe menjëherë morëm masa për të lajmëruar fshatin dhe partizanët e tjerë që ishin strehuar nëpër shtëpitë e Vërmikut. Pasi u ktheva në shtëpi me partizanen, filluam të bënim gati e të merrnin dy plaçka që kishim dhe që mëngjesi të mos na gjente në fshat. Bagëtive të gjithave u hoqëm këmborët që të mos bënin zhurmë. Fshati i gjithë u shpërnda, një pjesë në Malin e Çipinit, në Meva, Zagoi e vene të tjera ku mundën. Nga përpjekjet për të dalë nga Vërmiku, u pa se të gjitha shtigjet dhe rrugët e mundshme ishin zënë nga forcat gjermane. Partizanët vendosën të çanin rrethimin në vendin e quajtur “Gryka e Shkallës” në majën e Këndrevicës, një vend tepër i rrezikshëm ku edhe dhitë kalojnë me vështirësi. Mendohej se këtu nuk do të kishte gjermanë. Udhëheqjen e partizanëve në këtë ndërmarrje të vështirë dhe plot sakrifica e mori përsipër banori i fshatit Vërmik, partizani, Ferik Sela, i cili e njihte vendin në mënyrë të përsosur. Në kushtet e errësirës natën, nisen forcat partizane të udhëhequra nga Ferika Sela drejt malit. Pasi kaluan gryëkn e Shkallës, Feriku i cili printe përpara, shikon një repart gjerman, i vendosur në livadhet alpine të malit të Këndërvicës. Ata kishin ngritur çadra, kishin ndezur zjarre dhe një pjesë e ushtarëve flinin. Pra edhe në këtë shteg ndodheshin forcat gjermane, ku mendohej se nuk do të kishte. Falë mjeshtërisë, njohjes së mirë të terrenit, gjakftohësisë dhe trimërisë së Ferikut, forcat partizane kaluan shumë afër forcave gjermane pa u diktuar nga rojet, të cilët dalloheshin në dritën e zjarreve të ndezura. Kështu u bë e mundur kalimi i këtij rrethimi të hekurt. Partizanët, pasi nisen në drejtim të Gusmarit, e caktojnë me detyrë Ferikun të kthehej në Vërmik të shoqëronte dhe udhëhiqte praparojën e partizanëve në të njëjtën rrugë që përshkuan edhe ata. Feriku, i lodhur dhe i sfilitur, u nis përsëri. Pasi takohet me partizanët u thotë atyre se duhet të nxitojë që të kalojmë rrethimin pa u gdhirë. Në praparojë ishte edhe partizania nga Korça që rrinte në shtëpinë Vërmikase. Para se të dilnin në grykën e Shkallës, u gdhi, doli drita dhe gjermanët ishin ngritur dhe kishin rrethuar të gjithë vendin ku mund të kaloje. Në këto kushte me plot rrezik, gjermanët i favorizonte edhe terreni, të cilët ishin më lart partizanëve. Ata vendosën ta çanin rrethimin me luftë, megjithëse edhe në kushte të pabarabarta numerike”.

Hakmarrja e gjermanëve

Më tej Samedija ka treguar: “Dëgjuam krisma armësh dhe më pas një zë të fuqishëm: Para partizanë. Vendosmëria, guximi dhe trimëria e partizëve bën të çahej rrethimi gjerman dhe të kalonte praparoja. Ne, me disa vërmikas të tjerë, ishim strehuar në vendin e quajtur Shkalla e Krehërit dhe e shihnin betejën e gjermanëve me partizanët. Pamë 3-4 partizanë që u vranë dhe ranë poshtë nëpër shkëmbinj. Megjithëse ne i pamë vetë, por edhe Feriku kur u kthye na tha: Të shkojmë dhe t’i marrim partizanët e vrarë apo ndonjë të plagosur që mund të ketë. Kur shkuam atje, së bashku me disa gra të tjera, pashë të vrarë edhe partizanen nga Korça që unë e kisha mbajtur në shtëpi. Në kushte të vështira, i morëm të vrarët, i çuam në fshat, i qamë me zakonet e Kurveleshit dhe i varrosëm. Zëri i vajit tonë për këta të vrarë oshëtinte nga grykat dhe jehonat e maleve dhe dukej sikur edhe mallet po qanin për ta, për gjakun e derdhur prej tyre për çlirimin e Shqipërisë. Mbas operacionit erdhën familjet e tyre dhe i morën. Në vendin ku gjetëm partizanët e vrarë, gjetëm edhe një çantë oficeri me letra dhe dokumenta Brenda, të cilën më pas ia dhamë Brigadës së 6 S. Për hakmarrje, gjermanët pushkatuan 40 fshatarë nga Mallakastra, të cilët i kishim marrë me vete për të transportuar materialet e tyre. Pushkatimin e bënë ditën për të terrorizuar banorët e Vërmikut, por edhe të fshatrave të tjerë. Pasi i vranë i hodhën nëpër shkëmbinj. Në përfundim të këtij opercaioni erdhën familjet e tyre dhe i morën. Vërmikasit, edhe në këtë rast, tregohen të gatshëm dhe i ndihmojnë familjarët për t’i marrë edhe transportuar të afërmit e tyre. Megjithëse burrat ishin në luftë, me këtë punë u morën gratë të udhëhequra nga Zilfije Lloji, ku më pas ruajtën miqësi të ndërsjellta me njëri-tjetrin”.

Vërmiku i dha LANÇ 16 dëshmorë

Vërmiku i dha luftës Nacional – Çlirimtare 16 dëshmorë. Njëri prej tyre, Bajram Tushi është shpallur Hero i Popullit. Ai pati disa invalidë si Seit Çiraku dhe Bajram Çapo dhe të internuar në kampet e përqëndrimti në Gjermani Naim Gjoni, Subi Hallo, Selma Sela, Hasan Bleta. Në përfundim të LANÇ, Vërmiku doli me humbje të mëdha: u dogjën të 85 shtëpitë që kishte; u asgjësuan dhe u grabitën mbi 2000 krerë bagëti të imëta, 45 qe dhe lopë si dhe u dëmtuan 750 koshere blete e të tjera dëme. Varfëria ekonomike ishte e shoqëruar edhe me numrin e vogël të atyre që dinin të shkruanin dhe të lexonin. Në vitin 1935, nga Vërmiku ndiqnin shkollën fillore 4 vetë në Vlorë. Ndërsa disa të tjerë kishin arritur të mësonin dhe të lexonin vetë.

(Vijon numrin e ardhshëm)

 

 

 

 

Som

Është për t’u përmendur rasti i familjes së Jakup e Kasem Koçerrit, të cilët nuk morën parasysh pasojat që mund të kishin nga strehimi i familjes hebreje, të Mojze e Zhabeta Sollomoni për disa muaj në fshatin Beshisht në shtëpinë e tyre. Ndihma në strehim iu dha pa më të voglin interes. Kjo bëri që miqësia midis tyre familjeve të forcohet edhe më shumë. Për kontributin e dhënë ndaj familjes Sollomoni, shteti i Izraelit, ashtu si shumë qytetarëve të tjerë, edhe këtë familje vërmikase e ka vlerësuar dhe dekoruar, gjë e cila nga shteti shqiptar nuk është bërë dhe mesa duket as ka ndërmend që ta bëj, për këtë njerëz që kanë sakrifikuar dhe kontribuar për forcimin e marrdhënieve dhe miqësisë midis Shqipërisë dhe Izraelit.

 

Me mbarimin e LNÇL, vërmikasit iu përveshën punës për ndërtimin e shtëpive, për shkollimin, jo vetëm të fëmijëve, por edhe të rriturve nëpërmjet disa kurseve disa ditore dhe mujore. Disa nga kuadrot e pas luftës, që kontribuan jo vetëm për Vërmikun, por edhe për gjithë vendin, janë: Xhule Çiraku, Kudret Eveli, Besho Mëzuri, Elmaz Kondi, Servet Tushi, Qemal Çiraku, Xhemo Tushi, Dervish Lloi, Lelo Halla, Ahmet Çiraku, Seit Çiraku, Murat Tushi, Hashim Alimuçi, Shorto Alimuçi,Jonuz Çiraku dhe shumë të tjerë, të cilët tërë jetën e tyre punuan me përshkushtim ndaj atdheut, ku do të theksonim se kuadro të tillë do t’i gjesh rrallë, për të mos thënë nuk i gjen më sot.

Pa bërë dy vjet nga dita e çlirimit, në Vërmik më 1 shtator 1946 u hap shkolla fillore me 51 nxënës. Nga këta 27 ishin vajza dhe më 1 shtator 1968 filloi të funksionojë shkolla 8 – vjeçare. Këtu do të përmendnim banorin e këtij fshati, mësuesin e palodhur Seri Tushi, i cili ka qënë një ndër mësuesit e paktë në këtë kohë, jo vetëm në Vërmik, por edhe në krahinë. Ai ka dhënë një kontribut të veçantë në edukimin e brezit të ri në Vërmik. Si rezultat i kësaj pune, ai edhe sot kujtohet me respekt jo vetmë nga nxënësit e tij por dhe bashkëfshatarët.

Me shumë sakrifica djemtë dhe vajzat vërmikase vazhdonin shkollën e mesme nga Vërmiku në Brataj, Himarë, Vlorë dhe në qytete të tjera duke u ndihmuar edhe nga të afërmit e tyre. Vlen për t’u theksuar se një nga cilësitë e mira të vërmiksave është dëshira, vullneti dhe këmbëngulja për t’u arsimuar. Kjo ka bërë që shumë djem dhe vajza të vazhdojnë universitetet dhe institutet që ishin ngritur dhe funksionin. Këtu do të përmend disa nga kuadrot e para si: inxhinierin mekanik Luan Veshi, i cili ka dhënë një kontribut të veçantë në fushën e industrisë ushtarake; inxhinierin elektrik Hamit Bleta; inxhinierin e ndërtimit Havdul Mëzuri, inxhinierin mekanik Petref Zheku, i cili ka dhënë një kontribut të veçantë në Kombinatin Metalurgjik Elbasan dhe shumë të tjerë. Në fushën e shëndetësisë përfunduan studimet për mjekësi: Kafaz Xhuveli, Memo Boci, Lavdie Anija, Ali Bala e shumë infermierë të tjerë, të cilët edhe sot disa prej tyre shërbejnë me pasion dhe humanizëm. Këtu do të theksonin kontributin e veçantë që doktor Memo Boci, ka dhënë dhe jep jo vetëm për njerëzit e tij, por edhe për bashkëfshatarët. Ai iu është gjendur atyre në çdo kohë e moment duke i kuruar dhe duke bërë të mundur të shpëtoj jetë njerëzish. Ai është organizatori i parë i shërbimit të luftës kundër të HIV-AIDS në Shqipëri. Falë përgatitjes së lartë profesionale, ai edhe si një njëri tepër komunikues dhe i afrueshëm, vazhdon të jetë një njëri shumë dashamirës dhe i respektuar, jo vetëm nga bashkëfshatarët e tij por edhe qytetarë të tjerë. Ai ka kryer detyra të rëndësishme në Ministrinë e Shëndetësisë.

Doktor Kafaz Xhuvelin e njeh gjithë Tepelena, ai shërbeu për shumë vite në detyrën e drejtorit të spitalit në këtë rreth, ku ai është bërë edhe Qytetar Nderi.  Funksionimi i mirë i shëndetësisë bëri që edhe në Vërmik që në vitin 1950 të hapej ambulance dhe t’u shërbente banorëve. Në vitin 1953, djali vërmikas Vero Gjoka filloi punë ndihmës mjek dhe tërë jetën punoi me pasion dhe përkushtim në ndihmë të bashkëfshatarëve të tij. Në vitin 1974, për t’u ardhur në ndihmë nënave të reja të porsalindura, në Vërmik filloi të funksionojë ‘Shtëpia e Lindjes”, me infermiere-mami Dituri Zheku. Më 7 nëntor 1969 në Vërmik përfundon elektrifikimi i fshatit. Për shkak të kushteve të vështira, mungesës së rrugës, shteti e çoi transformatorin e dritave me helikopterin e ushtrisë. Këtë ditë banorët e Vërmikut, pilotët e helikopterit dhe punonjësit e elektrifikimit e kthyen në një ditë feste dhe të paharruar.

Thirrjes për të marrë pjesë në rindërtimin e vendit, banorët e Vërmikut ishin ndër të parët që morën pjesë në ndërtimin e fabrikave të reja, uzinave, hekurudha, duke dhënë shembullin e tyre me punë të palodhur e duke mos kursyer as jetën e tyre. Kështu më 19 tetor 1950, në ndërtimin e Kombinatit të Tekstileve në Tiranë u vra Dervish Anija. Po në vitin 1955, u vra duke punuar në minierën e Selenicës, Dalip Sela. Midis shumë fatkeqësi të ndodhura në familjet vërmikase, do të përmendim atë të dy djemve të Shefo dhe Farfurim Mëzuri. Në lulen e rinisë djali i tyre Kujtimi u vra nga shkëmbinjtë në Zagojë duke ruajtur bagëtitë e kooperativës. Ndërsa djali tjetër, Esati kryente detyrën e brigadierit dhe aksidentalisht duke shirë grurin e kooperativës pëson aksident dhe humbet jetën.

Të gjitha këto, si hapja e shkollës, elektrifikimi, funksionin i vatrës së kulturës, kurset e ndryshme, pjesëmarrja në aksione, bën që të ndryshonte jeta në Vërmik, të hynin elementë të kulturës, të jetuarit, të ushqyerit, të veshurit, të cilat po e bënin jetën e banorëve më të mirë.

Mund të themi se ka qenë një ndër pasionet e djemve të Vërmikut për të shërbyer në mbrojtjen e vendit. Ata janë të shumtë dhe që kanë shërbyer me devotshmëri, atje ku ka patur nevojë atdheu, pa marrë parasysh asnjë vështirësi. Më poshtë po përmendim disa prej tyre:

– Limoz Alimuçi, i diplomuar në akademinë ushtarake me përvojë në ish-Bashkimin Sovjetik. Ishte inxhineri i parë hartograf, i cili vuri në zbatim metodat e përparuara të përgatitjes dhe botimit të hartave ushtarake. Ka dhënë një kontribut të veçantë në ngritjen dhe funksionimin e Institutit të parë të Topografisë Ushtrake në Shqipëri. Limozi ishte një njëri me cilësi e virtyte të rralla, dashamirës dhe i apasionuar i fshatit të tij të lindjes, Vërmikut.

-Reshat Lloi, ashtu si edhe xhaxhai i tij, Dervish Lloi punoi për shumë vite në Gardën e Republikës derisa doli në lirim. Ai kreu detyrën e rëndësishme të Komandatit të Gardës në moment delikate dhe të vështira të vendit në vitin 1997-1998 ku u dallua për korrektësi dhe drejtim preofesional të efektivit të saj.

-Ramadan Anija, piloti i kualifikimit të lartë, tërë jetën e tij është dalluar për korrektësi, rigorozitet dhe përkushtim në detyrën ushtarake. Dashuria për vendlindjen, njerëzit, të afërmit, shokët dhe miqtë bëjnë që ai të jetë një njeri i dashur dhe i respektuar edhe sot.

Por ka dhe shumë të tjerë si: Bendo Alimuçi, Xhevdet Bleta, Sulo Lloi, Dasho Mëzuri, Shkëlqim dhe Përparim Alimuçi, Bandill Mëzuri, Memush Habili inxhinieri kimist i cili ka dhënë një kontribut të veçantë në armën e kimisë në ushtri dhe në fushën e mbrojtes së shëndetit të popullatës nga helmimet e ndryshme. Po ashtu janë edhe Mustafa Koçerri, Kastriot Sela, Perlat Kondi, Hysni Bleta, Malo Gjoni e shumë të tjerë.

Gjurmë kanë lënë edhe ekonomistët e lartë Astrit Sela dhe Bino Koçerri, qëshërbyen jo vetëm në ekonomitë e rrethit të Vlorës, si në Smokthin, Sevaster, Risili, por eksperioencë  e tyre e përhapën dhe kontribuan si në Mirditë dhe atje ku pati nevojë atdhur, duke sakrufikuar dhe punuar me përkushtim dhe në kushtet larg familjeve.

Në fushën e mësuesisë, vërmikasit janë të shumtë, por po përmendim disa:

-Bejkush Bleta, qysh student, por edhe mësues në gjimnazet e Vlorës është dalluar për rezultate të larta, këmbëngulje dhe kërkesë llogarie, ku edhe sot kujtohet,s i një figurë e respektuar e arsimit në Vlorë.

-Buran Çirkau, Satedin Mëzuri dhe Gëzim Tushi, me përvojën e fituar në fushën e mësuesisë, arritën të bëhen pedagogë të denjë në Universitetin e Tiranës.

Një nga virytet e Vërmikasve ishte të gjendurit pranë dhe ndihma për mikun, të afërmin, por edhe për atë që nuk kishin lidhje gjaku, në momente të vështira dhe kritike. Mbas kapitullit të ushtrisë italiane, ashtu si në shumë fshatra dhe qytete të tjera mbetën disa ushtarë dhe oficerë italianë, të cilët u strehuan dhe u mbajtën në shtëpitë të banorëve. Nga tregimet e Samedije Habilit veçojmë: “Në shtëpinë tonë kishim dy italianë, një oficer dhe një ushtar. Ata u mësuan me ne, i trajtonim mirë, madje arritën të mësonin edhe të punonin në mullirin që kishim ne si shtëpi në Vërmik”.

Pushtimi gjerman për hebrenjtë në Vlorë, do të krijonte probleme si për ekzistencën, strehimin dhe fshehjen e tyre. Është për t’u përmendur rasti i familjes së Jakup e Kasem Koçerrit, të cilët nuk morën parasysh pasojat që mund të kishin nga strehimi i familjes hebreje, të Mojze e Zhabeta Sollomoni për disa muaj në fshatin Beshisht në shtëpinë e tyre. Ndihma në strehim iu dha pa më të voglin interes. Kjo bëri që miqësia midis tyre familjeve të forcohet edhe më shumë. Për kontributin e dhënë ndaj familjes Sollomoni, shteti i Izraelit, ashtu si shumë qytetarëve të tjerë, edhe këtë familje vërmikase e ka vlerësuar dhe dekoruar, gjë e cila nga shteti shqiptar nuk është bërë dhe mesa duket as ka ndërmend që ta bëj, për këtë njerëz që kanë sakrifikuar dhe kontribuar për forcimin e marrdhënieve dhe miqësisë midis Shqipërisë dhe Izraelit. Në Vërmik ka patur disa mësues nga fshatra të tjerë, ata janë trajtuar shumë mirë, u janë krijuar kushtet më të mira të mundshme të jetesës, duke qënë pjesë e gëzimeve dhe hidhërimeve të banorëve. Po kështu në fshat ka patur për disa vite, disa qytetarë  të internuar. Megjithëse ata kishin “njollë” por edhe këta mbaheshin dhe trajtoheshin nga vërmikasit, jo si armik dhe kundërshtarë por si banorë të barabartë me ta. Shumë prej tyre, edhe më pas, si mësuesit, edhe të interuarit kanë mbajtur lidhjet me familjet vërmikase.

Nga çlirimi i vendit deri në ndërrmin e sistemit, nga Vërmiku u përgatitën një numër i madh kuadrosh që drejtuan ekonomitë në Vërmik dhe në Babicë. Ata ishin të nivele të ndryshme, si agronomë, brigadierë, financierë, ekonomistë dhe specialsitë të fushave të ndryshme. Ata janë shumë, por po përmendim disa prej tyre: Nimet Anija, Xhemo Tushi, Kasem Koçerri, Difo Braka, Rakip Bleta, Pasho Lloi, Kamber Mëzuri, Gurim Anija, Lala Gjoni, Ciko Habili, Colo Anija, Bajram Koçerri, Bashkim Mëzuri, Cane Sela, Sako Bleta e shumë të tjerë.

Vërmikasit në vitet 1950-1992 qendrën krysore ku grumbulloheshin e kishin në vendin e quajtur “Koshti i Çirakajve”. Këtu veç bisedave me njëri – tjetrin, do të dëgjoje shpesh edhe meloditë e bukura të këngëve labe, të cilat më pas do të vazhdonin në mënyrë të organizuar dhe të programuar në shtëpinë e kulturës që kishte ky fshat. Kënga i ka shoqëruar vërmikasit si në sebepe, dasma, fejesa, aksione, në kohë pushimi gjatë punës dhe në çcdo rast tjetër gëzimi.  Përveç që dalloheshin si këngëtarë, të cilët kanë qenë të shumtë, Vërmiku ka patur edhe shumë valltarë të mirë si: Sinan Mëzuri, Faslli Çiraku, Kojdhel Veshi, Qerim Veshi, Ali Koçerri, Salo Lloi, Liko Zheku, Kalem Bleta, Bajram Koçerri, Qerem Mëzuri, Goxho Çapo, Ramadan Brahimi, etj. Grupi folklorik i Vërmikut ka bërë disa herë inçizime në RTSH, më këngë e valle të ndryshme, ka marrë pjesë në shumë koncerte në qytetin e Vlorës dhe dy herë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Edhe sot, grupi folkorik vazhdon traditat e mëparshme dhe për drejtimin e aktivitetit të tij vlen të përmend vërmikasi, Felek Bleta, i cili vazhdon të drejtojë më pasion këtë grup.

Pas transformive të viteve 90, vërmikasit si gjithë të tjerët, u përfshinë dhe përkrahën proceset demokratike. Ata i gjen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës, si SHBA, Kanada, Itali, Greqi, Gjermani, Angli etj. Numri i familjeve vërmikase në Shqipëri dhe jashtë vendit arrin mbi 600. Me punën e tyre, shumë vërmikas, ngritën biznese të sukseshme si Eduard dhe Leonard Mëzuri, vëllezërit Tushi, Agim Çiraku, Zenel Alimuçi, Krenar Bleta, Zigur dhe Lato Mëzuri, e shumë të tjerë.

Ne dëshirojmë që historia e pasur, traditat, folklori, këngët, kultura, shpirti punëtor dhe arsimdashës, sakrifica të shumta, dëshmorët dhe invalidët e LNÇL, të zënë më shumë vend në familjet vërmikase kudo që janë, të mbahet gjallë kujtimi i tyre dhe të trashëgohet brezi pas brezi, ndër vite.

 

 

 

 

 

Please follow and like us: