Viola Isufaj: Ahtet e Adamah-ut
Përmbledhja poetike Adamah të grish qysh me titullin, i cili vjen si gjetje e ligjërimit poetik të autores dhe shërben si celës për rrokjen e rrafsheve konceptuale, semantike dhe simbolike të poezive. Referuar narrativës biblike (Gjeneza) fjala Adamah në hebraisht ka kuptimin “toka e kuqe” prej pluhurit të së cilës Zoti krijoi Adamin, njeriun e parë
Nga Sadedin Mezuraj
Kur lexon për herë të parë vëllimin poetikAdamah të autores Viola Isufaj, përfshihesh në vorbullën emocionale dhe dallgëzimet e një shpirtit vibrant, por mbetesh disi i turbullt prej “mjegullnajës semantike” që mbështjell rrafshet domethënëse të poezive.
Ky është leximi parë i shkujdesur, sipërfaqësor, pa ndonjë impenjim të veçantë.Në një lexim më të vëmendshëm, pasi ke pikasur disa nga “celësat” e dekodimit të simbolikave dhe kumteve poetike, pas gjithë atij “kaosi” marramendës, me elementët parakë të Krijimit-errësira, drita,toka, uji, dielli, deti etj, befas të shpërfaqet arkitektura e ngrehinës poetike, e mirëmenduar dhe bukur e strukturuar. Përmbledhja poetike Adamah të grish qysh me titullin, i cili vjen si gjetje e ligjërimit poetik të autores dhe shërben si celës për rrokjen e rrafsheve konceptuale, semantik dhe simbolik të poezive. Referuar narrativës biblike (Gjeneza) fjala Adamah në hebraisht ka kuptimin “toka e kuqe” prej pluhurit të së cilës Zoti krijoi Adamin, njeriun e parë. Në rrafshin semantik, lidhja etimologjike ndërmjet dy fjalëve, Adam dhe Adamah, përcjell lidhjen teleologjike të njeriut me Tokën, misionin e tij për ta kultivuar dhe humanizuar atë.
Duke luajtur me kuptimin etimologjik, fjalën Adamah ,të rikonceptuar nga përngjitja e fjalës Adamme prapashtesën ah, autorja e ngre në nivelin e një simboli polisemantik . Adamahnë kontekstin e vëllimit poetik,simbolizon lidhjen e mashkullit me femrën, sinjifikon “mitrën e përgjakur” prej nga del Adami, shënjon Tokën Mëmë të personifikuar me Femrën si burim i jetës. Nxitur nga simbolika e titullit por edhe nga identiteti gjinor i autores, të përftohet ideja e një feminizmi diskret, e një ahti, si dhimbje dhe revoltë për Historinë e cila padrejtësisht është shkruar si Aventura e Adamit-mashkullit luftëtar, lundërtar, sundimtar, profet dhe poet, kurse ajo, Eva pra, qysh prej gjenezës e në vazhdimësi, nuk ka qënë vecse shtojca e mashkullit dhe shtrat i epsheve të tij.Ky do të ishte një “lexim” arbitrar dhe brenda klishesë së viktimizimit të femrës. Në fakt, përmbledhja poetike Adamah prezanton një përqasje tjetër, edhe pse shqetësimet për fatet e femrës dhe perceptimin e saj sipas modelit biblik-robinjë e burrit dhe shërbëtore e Zotit-përbëjnë një nga topikët e cikleve poetikë. Adamah vjen sisintezë e ahteve të ngazëllimit nga dashuria por edhe e klithmës për humbjen e saj, si metaforë e lidhjes esenciale mes mashkullit dhe femrës në rrugëtimin e tyre nga gjeneza në bashkëkohësi.
***
Përmbledhja poetike është strukturur në nëntë cikle të cilat komunikojnë dhe plotësojnë njeri tjetrin. Kalimi nga një cikël në tjetrin të përfton ndjesinë e lëvizjes në një labirinthi me pasqyra, të cilat i përcjellin njëra tjetrës shëmbëllime, imazhe, dritë dhe reflektime. Poemthi me titullin homonim të librit,Adamah, përbën vatrën kuptimore dhe nuklin prej të cilit emetohen valenca kuptimore dhe asosiacione nëpër ciklet e poezive.
Ahti frymon nëpër poezi herë si psherëtimë dhe rënkim i thellë (Lotët e larme, Libri dieg, dielli digjet, Adamah, Kënga e Kripës, Riqueim për zjarrin, hirin dhe ujin e shiut etj.), herë si ngazëllim erotik dhe kremtim i dashurisë pasionante (Si flisni ju për dashurinë? Lëvdatë për një zot të vdekshëm, Në ishullin ku Uliksi s’ndaloi, E qeshura mbi oqean) dhe herë si hakërrimë kundër paudhësive dhe të keqes vrastare në këtë botë(Lutja e Gjonit.., Ekzekutimi,Ti që endesh ferrit, Me sy të mbyllur fort) Dialektika e dashurisë dhe raportet e shumëfishta mashkull femër, metaforizohen përmes metamorfozave të subjektit poetik: femra shpërfaqet si vajza e vogël e lodrave të fëmijërisë , bletëza e tunduar por edhe e trembur nëpër labirinthet plot pjalm të dashurisë, nimfa në ishullin e sirenave, mjelma e liqenit, gërshetëza e përrallës. Mashkulli është shoku i fëmijërisë së kumbullave të kaltra,adoleshenti në stinën e pjalmimit erotik, i dashuri në karusel dhe banditi “me sharm vjeshte”,Uliksi aventurier dhe djaloshi detar mbi kreshtën e dallgëve në oqean. Ata, mashkulli dhe femra, Adami dhe Adamah , janë kurdoherë bashkë në udhëtimin e tyre në Tokën e dashurisë.Së bashku përjetojnë uljet dhe ngritjet në vorbullat e jetës e cila vërtitet si karusel:
Lëvizte lodra e madhe mendjemarrshëm marramendshëm ethshëm/Në mundsh qëndro!(Adamah, f. 58). Tonaliteti poezive reflekton diagramën e gjendjeve shpirtërore të subjektit lirik, në një realitet në lëvizje dhe përshndërrim të vazhdueshëm. Në këtë botë të lëvizshme, ahtet e shpirtit poetik të autores përcillen si përjetime për shqetësimet e njeriut modern, si reflektime për ekzistencën, dashurinë, për zigzaket e zhvillimit të shoqërisë dhe fatet e kombit
Në përmbledhjen poetike Adamah,kalimi nga cikli i parë në të fundit,metaforizon metamorfozat shpirtërore të individit dhe hiqet një paralele për rrugëtimin e njerëzimit nga Gjeneza në modernitet.Ky rrugëtim historik perceptohet si proces i rënies së njeriut. Moderniteti nuk ka arritur të shmangi plojat, shkatërrimin, bjerjen e vlerave dhe humbjen e traditave të mira:
Por hir/në hi/në shkrumb/në duhmë!!! Se ajo blozë/rrënojë ploje/ish pas qenë/Kulm (Poezia Hir, f. 87) Përkundër idesë së zhvillimit linear dhe progresiv, autorja përmes gjuhës poetike, duket se reflekton filozofinë e zhvillimit ciklik mbi kthimin dhe përsëritjen. Rrënjët e së keqes, thotë autorja, janë mihur thellë dhe , për më tepër, e keqja riciklohet :
Ajo që shkoi, ajo rikthehet.Dhunshëm.Emri i saj tmerron-ajo kthehet pa emër
Me shpim djajsh në kafkë. Kafkë (Ekzekutimi f.83)
Ideja e rënies,shëmtimit dhe deformimit moral përforcohet në ciklin Monstrum.Kadencat ku nënvizohet se e keqja është e mberthyer pas shpirtit të njeriut. Përkundër shëmtimit dhe të keqes, Uni poetik, në rrugëtimin e tij, falë frymës përndritëse të brendësuar, e shikon veten të ngritur në pikën më të lartë.Horizonti duket gri por ende ka një shpresë :
Për një kthesë në terr
Një kthesë, Zoti e dashtë
Të bukur (Poemat e thyera f 96). Edhe pse rrotull dëgjohet vajtimi i kukuvajkës, si simbolikë e të keqes , autoria nuk i dorëzohet pesimizmit total, kur thotë:
Por unë…
Ruaj ende të fshehtë në kraharor
Tingujt sekretë të laureshës. (Djepi i kukuvajkës f. 79)
Kur lexon përmbledhjen poetike “Adamah, ndjen impulset e fjalëve, ritmet, tingëllimat, muzikalitetin dhe tonet e ligjërimit poetik. Falë teknikave të kompozimit poetik, disa nga poezitë tingëllojnë si himne madhërimi dhe kangjella pikëllimi për dashurinë, disa si lutje e të tjera me tone funebër, mbartin dhimbjen dhe përpëlitjet e një shpirti të plagosur.
Poezitë më të arrira apo fragmente të veçanta,nëpërmjet ritmeve, rimave, sonoritetit të fjalëvedhe figurave të tjera stilistike, përftohen si partitura muzikore. Madje disa nga poezitë janë kompozuar si copëza muzikore ,(Si flisni ju për dashurinë-në pesë momente muzikore, Adamah-nga kanto tek tera, Remix ) çfarë të kujton stilin poetik të Zef Zorbës ose autorë të tjerë të cilët kanë përqasur fjalën poetike me teknikat muzikore.
Viola Isufaj në këtë përmbledhje prezantohet si një poete e ndjeshmërisë emocionale.Ky profil poetik ka diktuar edhe përdorimin e shpeshtë të pasthirrmave, si mundësi për shprehjen, amplifikimin dhe përcjelljen tek lexuesi të frymës dhe gjëndjeve emocionale që mbartin poezitë. Një tipar tjetër dallues është përdorimi reticencës.Fjala zbulon por edhe heshtja flet.Poezia është thirrur jo vetëm si kremtim i sensualitetit, të të dukshmes por edhe si kërkim metafizik i mistereve të padukshme.Përmes retiçencës krijohet ajo hapsirë ku lexuesi grishet të rroki misteret e të pathënësdhe të “shkruajë” përmbylljen e mendimit të autores.
Stili poetik i V.Isufaj nuk ka vetëm muzikalitet por edhe imazheri. Poezitë shpërfaqin imazhe të gjalla, tablo sensuale plot dritë dhe ajër, si në pikturat impresioniste (kur shpirti këndon) dhe imazhe të zymta, me penelata rembrandiane (kur shpirti lëngon).
Nga cikli i parë (Thonjtë e veckël të butë) në të fundit (Cikli i plojës.Cfarë mbeti) ka një kalim gradual nga ngjyrat e çelura, hovet ngazëlluese dhe tonet lirike, në tablo, imazhe dhe motive ku predominon ngjyra gri,zymtësia dhe ahtet e pikëllimit. Cikli Pjalm dhe Cikli i Plojës, si dy shtyllat e ngrehinës poetike Adamah, mbartin poezi me nota emocionale të larta dhe tone ngjyruese me kontraste të thella. Përmes kontrasteve që mbartin këto dy cikle, përcillet ideja mbi natyrën duale të realitetit dhe shpirtit, ku impulse i erosit përplaset me impulsin e thanatos. Dashuria është ngazëllim por edhe hidhërim, shpirti shpërfaqet si përmasë drite por edhe si frymë demoniake.E gjithë historia universale e njerëzimit, nga Zanafilla në aktualitet, ka në themelet e saj përplasjen e dy shtysave të përkundërta: e Mira dhe e Keqja. Në këtë përballje fizike dhe metafizike mes të mirës dhe të keqes, dashuria mbetet shtegu drejt parajsës tokësore. Nëse toka, ajri, uji dhe zjarri janë katër elementët bazë të Universit, dashuria mbetet “elementi i pestë”, kuitesenca, konstantja ekuilibruese në një botë të papërkryer.Ose e shprehur me fjalët e autores, dashuria është fryma ripërtëritëse e shpresës:
Për të parë më mirë,
Për të puthur sythin e qeshur
Në tokën e djegur (Shakullima, f.95)
***
Ato çfarë u thanë në këtë shkrim nuk janë gjithçka që mund të thuhet rreth vëllimit poetik Adamahtë Viola Isufaj. U rrekëm të përcjellim disa impresione si dashamirës të poezisë, përmes leximit brënda një “konjukture interpretative”, sikurse shprehet Umberto Eco.
Poezia, si arti i fjalëve të organizuara në struktura semantike dhe simbolike, mbetet e hapur për qasje dhe interpretime të shumëfishta. Viola Isufaj nuk gatuan një poezi si “ushqim të gatshëm” për lexuesin por rreshtohet në gjeneratën e re, e cila shpejton të kapi modernitetin e vonuar nga tradita e një poezie deskriptive dhe deklarative, me implikime dhe ndikime jashtëletrare. Parë në përgjithësi, Viola Isufaj në librin e saj prezantues si poete, operon me një stil poetik ku spikat qasja simbolike, me forma hermetike dhe kumte implicite dhe ku lexuesi, përtej dritësimit të imazheve, përballet me sfidën e mbërritjes intuitive në “zonat e errëta”, në rrokjen e misterit që vesh bërthamën e rrafsheve semantike të poezive. Sepse i tillë është misteri i shpirtit poetik, i parrokshëm tërësisht në rrjetën e fjalëve dhe i pa përkufizueshëm në një formulë logjike.