Albspirit

Media/News/Publishing

73 vjetori i lindjes së politikologut të shquar Ukshin Hotit

Mr. Donika Hoti

I lindur me 17 qershor të vitit 1943 në Krushë të Madhe në komunën e Rahovcit, ku për të gjithë afërit e tij u njoh me pseodumin Ukë. Ishte fëmiu më i madh i nënës Fatime dhe babait Nazif. Meqenëse shkolla e fshatit të Krushës së Madhe i kishte ofruar mundësi për të kryer katër vite shkollimin fillor, për këtë arsye baci Ukë edhe katër vite të tjera kishte shkuar t’i kryente në fshatin Rogovë të Hasit në komunën e Prizrenit.

Në moshën 15 vjeçare prindërit e tij e kishin rregjistruar në shkollë të Normales në qytetin e Prizrenit. Pas përfundimit të shkollës së mesme në qytetin e Prizrenit dhe vitit të fundit në shkollën e normales në Prishtinë, kjo përgaditje arsimore i kishte mundësuar z.Ukshin Hotit që nga viti 1963 ta ushtronte fushë veprimtarinë e tij profesionale si mësues i fshtatit në Krushë të Madhe.
Një vit më vonë ai ishte rregjistruar në fakultetin e mjeksisë në Zagreb të Kroacisë, mirëpo me këshillat e disa profesorëve ai shpejtë ishte rioerientuar në drejtimin e shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Zagrebit. Aktiviteti i parë politik i tij ishte në Zagreb ku ishte në përfundim të studimeve, ai kishte organizuar protesta kundër “luftës në Vietnam”.

Pas përfundimit të studimeve në vitin 1968 ai kishte filluar studimet e tij pasuniversitare në Beograd në drejtimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomisë ndërkombëtare. Po në të njejtën kohë ishte në kryerje të shërbimit ushtarak në Beograd. Në vitin 1969 ai kishte filluar të shënonte artikuj të ndryshëm në rubrikën e politikës së jashtme dhe ishte gazetar korespodentë për politikën e jashtme në gazetën shtetërore të Kosovës në “Rilindje”.
Në shkurt të vitit 1970 z.Ukshin Hoti ishte i angazhuar në administratën shtetërore, saktësisht në Komisionin Ndërkombëtar për Bashkëpunim me Lidhjen Socialiste e Popullit Punonjës të Jugsllavisë ku këtu punoi deri në vitin 1972. Ky komision e kishte ngarkuar me punë që ta delegojë një mision paqëruajtës në Angolë për një periudhë 4 mujore. Në prill të vitit 1972 ai ishte emëruar Sekretar i Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë apo Ministër i Punëve të Jashtme në ditët e sotme edhe pse ky emërim ishte i papërshtatshëm për udhëheqshipin e atëhershëm.

Z.Hoti gjatë mandatit të tij ishte bërë njëri ndër arkitektët e marrëveshjeve bilaterale Jugosllavi – Shqipëri. Ku ky ishte hapi i parë i ardhjes së disa profesorëve nga Republika Sociale e Shqipërisë që të vijnë në Kosovë për të ligjeruar në Universitetin e Prishtinës. Njëri ndër ta ishte edhe historiani i çështjes diplomatike shqiptare Arben Puto.
Duke mos pasur mundësi për të reaguar për çështjet e brendshme të Kosovës, ku ishin në fjalë kërkesat e rinisë shqiptare dhe duke e vënë në pikëpytje situatën socio-ekonomike dhe duke pretenduar më shumë të drejta dhe liri, z.Ukshin Hoti jep dorëheqje nga posti i sekretarit për marrëdhënie me jashtë.

Në vitin 1978 z.Hoti e kishte fituar bursën e ashtuquajtur “Fulbright”, me të kishte të drejtë të udhëtonte drejtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai nuk e kishte humbur këtë rast pasi që kishte vazhduar me specializimin në “Universitetin e Washingtonit” në Çikago dhe në Harvard ku kishte punuar edhe si shkencëtar i pavarur në këto universite prestigjoze të botës.

Z.Ukshin Hoti nga ana e rektorit të “Universitetit Harvad” përpos që ishte zgjedhur si hulumtues shkencor i pavarur, ai ishte njeriu i vetëm që i përfaqësoi të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e Evropës dhe të SHBA-së. Në kuadër të cilësisë së përfaqësuesit kishte arritur të merrte pjesë në shumë darka dhe bisedime që ishin të organizuar nga senatorët dhe kongresmenët të caktuar dhe përfaqësues të pushtetit në SHBA.
Gjatë qëndrimit të tij z.Hoti kishte tentuar t’u demonstrojë amerikanëve kompleksitetin e situatës së krijuar në Ballkanin Perëndimor dhe me çfarë situata sfidohen popullata shqiptare në Kosovë. Qysh në vitin 1977 e kishte vënë në theks të veçantë pavarësinë e Kosovës për t’i sjell Ballkanit stabiletet të qëndrueshëm, këtë bisedë e kishte zhvilluar me Stephen Larrabee – anëtarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Karter që e kishte edhe mik. Edhe pse pikëpamja e politikës amerikane ishte se kishin dëshirë ta shikonin të bashkuar Kosovën.
Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1979 z.Hoti vendoset në qytetin e Prishtinës dhe bëhet profesor në Universitetin e Prishtinës në dy fakultete, në atë të Drejtësisë dhe atë të Filozofisë ku kishte ligjeruar “Sociologjinë Politike”dhe “Marrëdhëniet Ndërkombëtare”, njëkohësisht kishte ligjeruar në shkollën politike “Eduard Kardel” në Prishtinë. Në fillim të viteve 80-ta ai kishte hyrë në një rrugëtim tjetër i cili do të bëhet rrugë e pakthyeshme për të. Pas vdekjes së Josip Broz Tito-së, ky i fundit i kishte dhënë mundësi Kosovës për ta poseduar statusin e krahinës autonome.

Sipas mendimit filozofiko-politik të z.Ukshin Hoti për popullin shqiptar nuk ishte e mjaftueshme vetëm të drejtat dhe liritë brenda Jugosllavisë, por mendimi i tij ishte haptazi për një Republikë me të drejtat e plota si çdo Republikë tjetër në shtetet e ndryshme të Ballkanit dhe të Evropës.

Familjarët e tij kishin marrur një inciativë për parashtrimin e një letre rreth lirimit të tij nga burgu në vitin 1983, në kuadër të kërkesës të shënuar në letër atëherë z.Ukshin Hotit do t’i zvogëlohet vuajtja e dënimit të tij e marrur nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës, mirëpo gjykata e Beogradit atij i’a zvogëloi vuajtjen e dënimit nga 8 në 3 vite e gjysmë, arsyeja qëndronte se akti i gjykimit të tij nuk posedonte asnjë bazë ligjore dhe u konsiderua si burgosje politike dhe ideologjike. Me hyrjen e tij në grevë urie që kishte zgjatur gjithsej 12 ditë për t’u transferuar përsëri në burgun slloven, ku kishte qasje nëlexim dhe kushte më të mira për punë, qëllimi i tij nuk ishte arritur.

Pas lirimit të tij nga burgu në vitin 1985 z.Hoti gradualisht ishte detyruar të izolohet në fshatin e tij të lindjes. Ku nga forcat policore dhe shërbimet sekrete rruhet dhe i mirret pasaporta. Në vitin 1990, z.Ukshin Hoti ishte larguar për në Lubljanë, atje ku shtypi nuk ishte ende i censuruar. Ai kishte filluar të shkruante për dy gazetat shqiptare “Alternativa” dhe “Republika” dhe “Demokracia Autenike” të cilën ai i drejtoi vetë si ideator politik dhe kryeredaktor të saj. Pas bllokimit të gazetës nga mjetet finaciare nga qarqet e caktuara të Prishtinës, ai përsëri kthehet në vendlindjen e tij, ku e vazhdojnë veprimtarinë dhe kontributin në politiko-eseistike, si profesorë i “sociologjisë politike” pranë Universitetit tëPrishtinës.

Në vitin 1992 për rrethana të panjohura z.Hoti jep dorëheqje nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ishte anëtarësuar në Partinë e Unikombit, parti e krijuar me 6 maj të vitit 1991 që selia e saj ishte në Tiranë dhe ishte themeluar nga një veprimtar tjetër i shquar i kombit z.Halil Alidema, ku si vjet i është shënuar 80 vjetori i lindjes dhe 20 vjetori i vdekjes së tij, ku z.Hoti bëhet edhe kryetar i këtij subjekti politik që kishte për objektiv të saj Bashkimin Kombëtar. Ideator i këtij subjektit politik ishte Mehdi Frashëri.

Në fillim të vitit 1993 në muajin mars – prill z.Ukshin Hoti dënohet për herë të dytë me motive politike, arsyeja ishte pse një vit më parë e kishte organizuar një homazh masiv për martirët e luftës në fshatin Brestov të komunës së Rahovecit. Në të njejtin vit z.Hoti rrahet për vdekje nga një pritje e planifikuar e njësive speciale serbe në Gllogovc, pas kthimit të tij nga vizita e greviës së urisë në Pallatin e Shtypit në Prishtinë në gazetën ditore “Bujku” e cila ishte organazuar nga “Mandela e Kosovës” Adem Demaçi.

Gjatë këtij vitit përsëri merr pjesë në një tubim të organizaur në Tetovë me përfaqësues mbarëkombëtarë, ai kishte marrur qëndrime politike lidhur me nevojën për bashkimin e kombit shqiptar në një shtet unik. Në këtë aktivitet politik z.Hoti kishte marrur pjesë në cilësinë e kryetarit të UNIKOMB-it, ku planprogrami i tij ishte i rrezikshëm për prishjen e baraspeshave politike dhe marrrëveshjes së heshtur me subjektet e pasivizuara politike shqiptare në Kosovë, ku u burgos sërish vetëm për arsye politike-ideologjike dhe u dënua me 5 vjet burg. Arsye tjetër kryesore për të cilën u borgos z.Ukshin Hoti ishte prektesti i anëtarësimit legal në Lëvizjen për Republikën e Kosovës dhe në UNIKOMB me qëllim të minimit kushtetues e tërësisë territoriale të Jugosllavisë, në fakt ky ishte edhe objektivi i tij politik.

Gjatë qëndrimit të tij në “burgun e Dubravës” nga Parlamenti Evropian ishte shqyrtuar çështja e rastit, pas fillimit të luftës në Kosovë në vitin 1998 ishte përpiluar një kërkesë në Këshillin e Evropës e cila kooperon me të drejta dhe liritë e njeriut, që autoritet e Beogradit ta bëjnë lirimin e tij të parakohshëm. Mendimi qëndronte që nëse miratohet kërkesa e Këshillit Evropian që autoritetet e Beogradit ta lironin z.Ukshin Hoti parakohe këtë e kishin bërë për arsye që të jetë kryenegociator i bisedimeve në “Konferencën e Rambujesë” e thirrur nga faktori ndërkombëtar, mirëpo politika dhe autoritetet e Beogradit nuk e kishin lejuar kurrsesi një gjë të tillë. Atë me 1 mars të vitit 1999 e kishin vizituar përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në “burgun e Dubravës”.
Me 25 mars 1999 fshati i tij i lindjes ishte bombarduar më së shumti nga të gjitha fshatërat e komunës së Rahovecit, Krusha e Madhe kishte humbur gjithsej 241 civilë. Të gjitha këto raste kishin ndodhur me 25 dhe 26 mars të vitit 1999, masakra më e tmerrshme ndonjëherë që kishte ndodhur në Anadri ishte në fshtatin e Krushës së Madhe të Komunës së Rahovcit, ku forcat policore dhe ato ushtarake kishin vrarë 241 persona, në mesin e tyre ishin babai i z.Ukshin Hoti së bashku me vëllaun e tij Ragipin, ndërsa i kishin vrarë të gjithë arsimtarët e fshatit dhe mjekun që ka dhënë një kontribut të veçantë, mjekun dhe humanistin Dr.Fahredin Hotin.

Z.Ukshin Hoti pas burgut të Nishit ishte transferuar në burgun e Dubravës, që nga data 16 maj e vitit 1999 nga dita e lirimit të tij nga burgu dhe pas daljes së tij nga qelia e burgut, mbetet i zhdukur nga forcat policore serbe ku ende nuk dihet asgjë për fatin e tij e cila është çështje e veçantë pasi që njerëzit e kanë parë të gjallë duke dalur nga burgu në një ditë jo të zakonshme për lirimin e të burgosurve.

Ndërsa, në vitin 2013 për hir të 70 vjetorit të lindjes së tij dhe 14 vjetorit të zhdukjes së tij nga “burgu i Dubravës”, kryetari i Komunës së Rahovecit me udhër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shtëpinë e tij ku e kishte kaluar fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë së hershme e kanë shpallur muze dhe përuruan bustin me portetin e tij. Ndërsa, në vitin 2014 për ndër të 20 vjetorit të burgosjes së Mr.Ukshin Hotit, Këshilli i Rinisë Evropiane në Kosovë i’a kishin botuar librin e tij “Çështja Kombëtare Shqiptare-Komponenti religjioz”.

Kur flet rreth personalitetit të z.Ukshin Hoti do të thotë të flasësh shumë dhe ke për kënd të flasësh dhe për kënd të shkruash dhe me kënd të krenohemi si shtet dhe si komb shqiptar, mirëpo do ta përmbylli teksin me një thënie të shkrimtarit të mirënjohur shqiptar z.Dritëro Agolli dedikuaar personalitetit të z.Ukshin Hoti se: “Ukshin Hoti jo që është një patriot librash, por një patriot i madh që i vë supet e Shqipërisë”.

Please follow and like us: