Bllokimi i reformës, PS i përgjigjet Metës me Gjinushin
Përpara se LSI të bëhej pjesë e koalicionit me PS, partia e dytë në këtë koalicion ishte PSD e Skënder Gjinushit, një kundërshtar i vendosur i Ilir Metës. Pas ardhjes në pushtet më 2013, Rama i harroi aleatët tradicionalë të Partisë Socialiste, duke qenë se s’ua kishte më nevojën. Por tani duket se është rikutjuar për ta. Në fakt rreziku i një bllokimi të mundshëm i reformës nga LSI dhe vajtja e mundshme në zgjedhje të parakohshme, e ka detyruar PS që të nisë të marrë masa urgjente. Pas një afrimi të dukshëm me PDIU-në e Shpëtim Idrizit, tani e ka patur radhën riafrimi me Gjinushin. Dje Fatmir Xhafa është parë në shoqërinë e ish-ministrit të arsimit të kohës së komunizmit në mjediset e Kuvendit. Lëvizja Socialiste për Integrim reagi sot duke thënë se vijën e kuqe për reformën e përcakton vetëm Komisioni i Venecias dhe jo BE e SHBA sikurse kishte thënë Rama. Aleanca po luhatet, Rama po merr masa.