Albspirit

Media/News/Publishing

Çelet në QSUT spitali i ri ditor për pacientët me kancer

spitalNjë numër më i madh pacientësh të prekur nga sëmundjet tumorale do të marrin shërbimin e kimioterapisë gjatë një dite, falë investimit të realizuar më së fundmi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pas hapjes së spitalit ditor.

Ky spital do të ofrojë shërbimin e njohur si “Day Hospital”, për të gjithë ata qytetarë, të cilët kryejnë seancat e kimioterapisë, ndërkohë që investimi i bërë garanton edhe përgatitjen e medikamenteve pranë kapave (aparaturave të specializuara), dhe jo më në mënyrë manuale siç kryej disa vite më parë.

 Projekti i financuar nga IADSA, Programi i Konvertimit të Borxhit Italo-Shqitar për Zhvillim, përmirëson shërbimin për rreth 50 pacientë të cilët do të kryejnë kimioterapinë, por sjell edhe një mënyrë të re të ofrimit të këtij shërbimi. Mjekët e këtij institucioni e cilësojnë këtë investim si më të suksesshmit, pasi shkurton kohë në ofrimin e shërbimit, dhe për rrjedhojë, ka më shumë përfitues gjatë një dite.s

Drejtorja e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ogerta Manastirliu, e ka cilësuar këtë si një nga projektet më të rëndësishme që u shërben jo vetëm pacientëve, por edhe stafit të mjekëve dhe infermierëve.

Por, në Shërbimin e Onkologjisë, sipas Manastirliut, përveç përmirësimit të mjediseve, po ofrohet edhe një kulturë e re që integron shërbimin psiko-social, për të qënë sa më afër pacientëve që marrin këto trajtime.

 Ministri i Shëndetësisë, në prani të ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, dhe Ambasadorit Italian, Alberto Cutillo, deklaroi se ky investim do t’u shërbejë sipas të gjitha standardeve pacientëve që duhet të marrin shërbimin e kimioterapisë.

beqaj“Me shërbimin modern të radioterapisë që ka filluar prej disa javësh. Edhe shërbimi i sotëm, rrit cilësinë e shërbimit, rrit numrin e atyre që shërbehen, por shton edhe elementë të rinj psiko-socialë që në këto sëmundje janë të domosdoshme,” ka pohuar ministri Beqaj, i cili përfitoi gjithashtu nga rasti për të falënderuar Qeverinë Italiane për investimin e kryer.

“Padyshim, një falënderim shkon edhe për Qeverinë Italiane dhe nëpërmjet ambasadorit Italian që borxhin e hershëm e ktheu në një program për të mbështetur përsëri Shqipërinë” ka theksuar kreu i shëndetësisë. Ndërkohë që Ambasadori Italian në vendin tonë ka theksuar se Italia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë edhe në projekte të tjera në fushën e shëndetësisë.

Please follow and like us: