Albspirit

Media/News/Publishing

Infrastruktura e transportit dhe projektet e trenave të shpejtë në Turqi

Një vlerësim në lidhje me infrastrukturën e transportit dhe projektet e trenave të shpejtësisë së lartë në Turqi.

 

Previous

yht hızlı tren.jpg
hızlı tren
yht hızlı tren.jpg
hızlı tren

Next

  • 1
  • 2

Koment – Infrastruktura e transportit dhe projektet e trenave të shpejtë në Turqi

Infrastruktura e zhvilluar e transportit vlerësohet si e rëndësishme veçanërisht për vendet në zhvillim duke qenë se garanton një kontribut madhor në progresin e tregtisë brenda vendit dhe e asaj ndërkombëtare. Si një ndër kriteret e para, që llogaritet nga sipërmarrësit e huaj për të ndërtuar fabrika apo për të realizuar investime direkte të tjera të ngjashme me këtë, infrastruktura e transportit renditet edhe në krye të investimeve infrastrukturore bazë, që vendet në zhvillim përpiqen të jetësojnë për të tërhequr më shumë investime. Infrastruktura e zhvilluar e transportit jo vetëm që redukton koston e produkteve dhe e shërbimeve të investitorëve, por edhe rrit fuqinë konkurruese të tyre.

Rrjedhimisht, zhvillimi i investimeve infrastrukturore shton ndjeshëm shumën e investimeve, që realizohen brenda vendit apo që tërhiqen nga jashtë shtetit, duke kontribuuar dukshëm edhe në rritjen ekonomike. Falë investimeve rritet edhe niveli i punësimit brenda vendit, edhe ai i mirëqenies së qytetarëve. Sakaq, investimet në infrastrukturën bazë të transportit ndahen në katër lloje: Transporti rrugor, transporti detar, transporti ajror dhe transporti hekurudhor. Meqenëse të gjitha llojet e investimeve infrastrukturore të lartpërmendura kanë edhe avantazhet, edhe dezavantazhet e tyre, ato duhet të jenë të tëra në zhvillim e sipër ose të zhvilluara, sipas nevojës dhe strukturës së vendit.

Ekonomia turke në zhvillim renditet mes atyre 20 më të mëdhave në botë. Ndërsa për të arritur objektivat e vitit 2023, që përkon me 100-vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë, gjatë 10 viteve të fundit në vend po realizohen transformime strukturore kolosale me synimin e vetëm për t’u klasifikuar në mesin e 10 ekonomive më të fuqishme të globit. Një numër i madh projektesh dhe investimesh për të rritur prodhimin e brendshëm bruto (PBB), nivelin e eksporteve dhe atë të punësimit, po vihen në zbatim jo vetëm nga sektori privat, por edhe nga ai publik.

Si një vend me vëllim tregtar madhor dhe me rëndësi gjeopolitike, që lidh me njëra-tjetrën Azinë dhe Evropën, Turqia ka përshpejtuar hovshëm investimet infrastrukturore. Në këtë kontekst, gjatë dekadës së fundit në vend janë përfunduar shumë projekte në lidhje me transportin rrugor, atë ajror, portet dhe rrjetin hekurudhor; ndërkohë që disa projekte të tjera janë në fazën përfundimtare. Mes tyre, projekti i trenit të shpejtësisë së lartë, që për herë të parë u bë operativ në vitin 2009, është një ndër ato projekte, të cilat Turqia synon t’i ketë në funksion brenda 10 viteve të ardhshme ndërmjet shumë qyteteve të saj.

Treni i shpejtësisë së lartë nisi të funksionojë fillimisht në linjën Ankara-Eskisehir dhe deri në fund të 2015-s ai është shfrytëzuar nga gjithsej 26,5 milionë persona. Krahas kësaj linje, së afërmi pritet të përfundojnë edhe një sërë projektesh të reja. Ndër to ia vlen të përmenden linjat Stamboll-Ankara-Sivas, Ankara-Afyon-Izmit, Ankara-Konya dhe Ankara-Bursa, ku kryeqyteti turk do të jetë qendra. Ndërkohë, qeveria turke ka përveshur krahët gjithashtu për projektin e trenit të shpejtësisë së lartë në linjat Antalya-Burdur dhe Isparta-Afyon-Kutahya-Eskisehir, që kanë për synim lidhjen e Antalyas, e cila është kryeqyteti i turizmit të Turqisë, me Stambollin, metropoli më i madh turk dhe qendër financiare e vendit. Këto investime mendohet se do të ulin kostot e pushuesve dhe e turistëve në veçanti, ndërkohë që njëherësh do të mbështesin gjithashtu sektorin e turizmit.

Përfundimisht, infrastruktura e zhvilluar e transportit është një ndër faktorët mbështetës në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në rritjen ekonomike të vendit. Gjatë viteve të fundit, Turqia ka përshpejtuar hovshëm investimet infrastrukturore për të plotësuar objektivat e saj në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të republikës, që do të shënohet bujshëm në vitin 2023. Mes tyre tërheqin vëmendjen sidomos projektet e trenave të shpejtësisë së lartë, që synojnë lehtësimin e transportit brenda vendit dhe shkurtimin e kohës së udhëtimit. Pasi të bëhen operative linjat e trenave të shpejtësisë së lartë, që pritet të përfundohen deri në vitin 2023, autoritetet turke parashikojnë rënie të numrit të makinave në rrugë dhe lehtësim të trafikut rrugor, që aktualisht është shumë i ngjeshur. Falë kësaj, mendohet se në Turqi do të sigurohet një kursim energjetik me vlerë 161 milionë dollarë në vit dhe kjo është një arritje e konsiderueshme për ekonominë turke, që renditet në mesin e vendeve me import të lartë të energjisë. Një tjetër efekt pozitiv mendohet se do të jetë gjithashtu reduktimi i aksidenteve rrugore, që, përveçse do të ketë një ndikim të mirë direkt në indeksin e jetëgjatësisë në Turqi, planifikohet të mundësojë kursimin e 571 milionë dollarëve. Zhvillimi i mëtejshëm i investimeve infrastrukturore do të vazhdojë të kontribuojë në rritjen ekonomike dhe krijimin e punësimit në Turqi, rrjedhimisht, do të ngrejë lart nivelin e mirëqenies së qytetarëve.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli – Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk”, Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

Please follow and like us: