Albspirit

Media/News/Publishing

Ligjërim i pështirë ose koha të themi: Nuk kam asgjë për të thënë

Ndue UkajNga Ndue Ukaj

Shoqërisë sonë i ka humbur sensi dhe ndjeshmëria për fjalën publike. Kjo ka bërë që debatet, të cilat zhvillohen përbrenda nesh, të jenë të skematizuara dhe të shumtën e herëve të përfundojnë në banalitet. E gjithë kjo ngjet për faktin se e kemi tkurrë hapësirën për komunikim dhe përplasje idesh e pikëpamjesh, dhe e kemi zgjeruar atë për përplasje muskujsh, inatesh e mllefesh. Në këtë mes, nuk bëhet fjalë për përgjegjësi – as ndaj fjalës e as ndaj mendimit publik. Për pasojë, debatet e shumta nisen nga premisa përjashtuese, zhvillohen pa etikë dhe nuk kanë qëllim mirëbërësie. Prandaj, edhe kritika nuk kuptohet si shenjë e mendjes së pjekur, siç është në botën e përparuar. Përkundrazi. Debatet ndër ne fillojnë me tension, zhvillohen nëpërmjet ekstremeve dhe përfundojnë në armiqësi ose banalitet. E në këtë mes, kush pëson më së shumti, është ligjërimi publik, gjuha, ajo çka na bën njerëz dhe që është veshja jonë – identiteti ynë.

Është proverbiale shprehja se gjuha është ma e fuqishme se njëmijë ushtri. Sepse gjuha i paraprin të keqes dhe të mirës, dhe, siç dëfton empiria, ishte në fillim; nga ajo u bë çdo gjë e pa të nuk u bë asgjë.
Ky ligjërim i pështirë, i cili e mbizotëron jetën tonë shoqërore tash e sa kohë; kjo gjuhë publike e pakontrolluar- e përçartë- ndikon në rritjen e mosbesimit, e zvogëlon humanizmin dhe e shton urrejtjen e mosdurimin.
E shoqëria jonë ka nevojë për ligjërim tjetër farë. Ajo ka nevojë për gjuhë humane dhe për më shumë dashuri ndaj njëri-tjetrit e vendit. E mbi të gjitha, për ma shumë kujdes ndaj fjalës publike që ta rrisim besimin sepse shteti dhe kombi janë akt besimi që e bëjnë qytetarët e tij, të cilët kanë tradita dhe synime të përbashkëta.
Ky popull, i cili ka trashëguar plagë të rënda, s’ka kapacitete ta kapërdijë gjithë këtë helm të gjuhës që i vërtitet rreth tij. Gjithë këto lajme negative. Gjithë këtë mllef e propagandë, e cila bëhet me qëllime të pastra denigruese. Gjithë këtë shumësi “informatash” e “lajmesh” të shkruara pa etikë, pa shije dhe me qëllime linçuese.
Shkrimtari i ditur Hose Luis Borgesi pajtohej me pohimin se ta lësh librin në duar të injorantit, është po aq i rrezikshëm sa ta vësh shpatën në duar të fëmijëve. Borgesi, sot, do të pohonte: fjala publike në duar të injorantëve, është po aq e rrezikshme sa bomba në duar të terroristëve.
Ndaj është koha duhet ta vendosim para vetës shenjen sinjalistike të kujdesit, sepse gjuha shëron, por edhe vret.
Përcaktimi për të dytën është fatal dhe me pasoja afatgjata.
Është pohuar vazhdimisht se ky trend i komunikimit publik rrezikon që edhe një brez të ri ta rritë me helmin e gjuhës dhe me neuroza e urrejtje pa fund. Me kontradikta e përplase absurde e pa fund. Ndërsa shoqëria jonë më shumë se kurrë, ka nevojë ta mësojë artin e durimit në funksion të mirëbërësisë, koncept ky që lidhet me Res Publican, me të mirën e përbashkët.

Në vend që të flasim pa pra, në çdo kohë dhe për çdo gjë, është koha të themi: “Nuk kam asgjë për të thënë…”

Para pak ditësh erdhi shkrimtari Ismail Kadare në Kosovë dhe shpërtheu një “debat” qyqar rreth figurës dhe veprës së tij. Pastaj, kur lexon shumësinë e “mendimeve” për të, menjëherë të krijohet përshtypja se shoqëria jonë është kampion leximi. E në fakt, të gjithë e dimë se është e kundërta. Në këtë hallakamë, Kadare apo vepra e tij gjykohen e paragjykohen me lehtësi të paimagjinueshme dhe pa argumente. Kjo shpërfaq ma së miri sterilitetit mendor dhe shpirtngushtësinë e atyre që bëjnë yrysh në debate. Madje, në këtë holli, ndodh të lexosh mendime e vlerësime edhe nga individë që krejt çka dinë për të, e kanë të dëgjuar nëpër ambiente thashethemesh. Kësaj i thuhet marrëzi.

Prandaj, është koha të themi “nuk kam asgjë për të thënë”, qoftë edhe atëherë kur “shpërthejnë” debate të ashpra për tema të nxehta, si ajo për Mavrjan dhe Birrën e Pejës apo për New York Times dhe terrorizmin.

Dhe në vend që të flasim zhurmshëm, është mirë ta thërrasim arsyen e të analizojmë ku jemi.

Ligjërimet tona apologjetike apo akuzuese, të shkruara dhe shtytura gjithnjë sipas premisës: pro dikujt dhe kundër dikujt, janë në thelb mendime stihike dhe të padobishme dhe debatin e mbizotëron tradita tashmë e mirënjohur ndër shqiptarë: lëvdata ose përbuzje pakufi.

Kjo ndodh meqë shoqëria jonë është në konflikt me ndërgjegjen dhe ka probleme serioze me kujtesën historike. Për pasojë, atë e mbizotëron angaria dhe përplaset nga ekstremi në ekstrem. Ashtu siç ngjet debatet karrikaturale, çfarë ishte ai i fundit Mavraj- Birra e Pejës, i cili shpërfaq më së miri krizën tonë identitare, krizë kjo e cila rrënjët i ka te hipokrizia dhe raporti ynë i paqartë me vetën dhe me të tjerët.

Ndaj, është koha t’i themi stop epidemisë së zhurmës, e cila na ka përfshirë kudo dhe e ngulfat jetën tonë. Dhe ta refuzojmë rolin e gjithologëve të gatshëm për të dhënë mendime për çdo gjë e në çdo kohë. Nga politika te historia, nga kultura te feja, nga seksi te ekonomia…Sepse përvoja universale dëfton se njeriu emancipohet atëherë kur është i gatshëm të thotë “nuk kam asgjë për të thënë” ose “e di që nuk di asgjë.” Në të kundërtën, shfaqemi lakuriq si mbreti në përrallën “Rrobat e mbretit.”

Please follow and like us: