“Panama Papers” – Një punonjës i “Mossack Fonseca” ndalohet në Gjenevë
Një ekspert kompjuterësh i kompanisë “Mossack Fonseca”, një nga zyrat më të mëdha në botë të konsulencës ligjore për llogaritë “off-shore” me seli në Panama, është ndaluar në Gjenevë të Zvicrës si i dyshuar për përhapje të shumë dokumenteve sekrete.
Një ekspert kompjuterësh i kompanisë “Mossack Fonseca”, një nga zyrat më të mëdha në botë të konsulencës ligjore për llogaritë “off-shore” me seli në Panama, është ndaluar në Gjenevë të Zvicrës si i dyshuar për përhapje të shumë dokumenteve sekrete.
“Le Temps”, gazetë zvicerane e publikuar në frëngjisht, shkruan në një artikull, që citon një zyrtar nën mbrojtjen e anonimatit, se eksperti kompjuterik i firmës “Mossack Fonseca”, i cili akuzohet për shpërndarje të mjaft dokumenteve konfidenciale, është shoqëruar përkohësisht në polici.
Ndërsa Prokuroria e Kantonit të Gjenevës ka filluar menjëherë një hetim në lidhje me çështjen.
Publikimi nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë (ICIJ) i të ashtuquajturave “Dokumente të Panamasë” (Panama Papers), që hodhën dritë mbi aktivitetet investuese “off-shore” të shumë personave dhe kompanive, provokuan dorëheqje të nivelit të lartë dhe hapjen e hetimeve për korrupsion në mjaft vende të botës.
Në Dokumentet e Panamasë pretendohet se një numër i madh personash dhe kompanish anembanë botës kanë realizuar transaksione financiare përmes llogarive dhe firmave “off-shore” për të bërë evazion fiskal ndërkombëtar, për të pastruar para apo për t’iu shmangur sanksioneve ndërkombëtare.
Asetet financiare aktualisht në botë i fshihen sistemeve tatimore dhe iu kalohen kompanive “off-shore”, që janë themeluar jashtë shtetit dhe në disa vende të njohura si “parajsa tatimore”, përgjithësisht për të paguar më pak taksa apo dhe për t’iu bërë dredhë atyre plotësisht.
Duke qenë se personi i ndaluar në Gjenevë ishte një punonjës i kompanisë “Mossack Fonseca” dhe ekspert kompjuterësh, në mendje solli menjëherë ish-agjentin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA)dhe të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA) në SHBA, Edward Joseph Snowden, i cili mundësoi në vitin 2013 publikimin e dokumenteve sekrete të NSA-së duke shpalosur detajet e skandalit ndërkombëtar të përgjimeve.
Autoritetet amerikane kanë lëshuar një urdhërarrest për ish-agjentin Snowden, i cili jeton në azil të përkohshëm në Federatën Ruse.