Albspirit

Media/News/Publishing

Protesta “dorëhiquni”, në shesh kundër qeverisë greke

Protesta “dorëhiquni”, në shesh kundër qeverisë greke

Mijëra grekë kanë protestuar tek sheshi para Parlamentit në Athinë si dhe në qendër të Selanikut kundër reformave që ka marrë qeveria, duke i bërë thirrje kryeministrit Tsipras të japë dorëheqjen.

Demonstruesit në sheshin “Sintagma”, skenë e përleshjeve të dhunshme në vitet e fundit, kanë mbajtur parulla dhe kanë hedhur thirrje kundër masave shtrënguese që ka votuar parlamenti duke përfshirë edhe reformat e pensioneve dhe tatim-taksave, në këmbim të një kësti prej 7.5 miliardë euro, i cili pritet të disbursohet javën e ardhshme.

Protesta është organizuar përmes mediave sociale nga një lëvizje qytetarësh e quajtur “Dorëhiquni”.

“Ne që jemi sot këtu kemi votuar për qeverinë. Prisnim gjëra të tjera prej saj, por po bën krejt gjëra të tjera. Nëse kishte vendosur të zbatonte të njëjtat politika si qeveria e mëparshme, atëherë përse ndryshuam qeverinë e mëparshme”, shprehet një protestues.

“Për shkak të gjithë kësaj paaftësie për të mos bërë asgjë dhe negociatave të tyre të pafund, ekonomia greke është në hendek dhe njerëzit janë duke vuajtur. Për fat të keq, duket se e kanë marrë pushtetin pa pasur një plan”, thotë një tjetër protestues.

Ndërsa protesta nuk është mbështetur zyrtarisht nga ndonjë parti, zyrtarë qeveritarë kanë akuzuar konservatoret e Demokracisë së Re si organizatore të saj dhe si një forcë që kërkon të shkaktojë paqëndrueshmëri politike në një kohë vendimtare për ekonominë e dobët të vendit.

Megjithëse në sondazhet e fundit Demokracia e Re dhe lideri i saj Kyriakos Mitsotakis kryesojnë, pjesëmarrja në protestën e djeshme nuk u konsiderua e suksesshme, pasi sipas policisë numri i qytetarëve nuk tejkaloi shifrën prej 7000 vetësh.

Please follow and like us: