Albspirit

Media/News/Publishing

Republikë e inkriminuar

Elvis Roshi është akuzuar për përdhunim në grup. Ai dha dorëheqjen nga detyra e kryetarit të Bshkisë së Kavajës, por pastaj e anulloi atë për të pretenduar se duhet të flasë drejtësia. Kryeministri heshti. Heshti për të hapur rrugën e rikthimit të Roshit. Roshi është nga njerëzit e përmendur që në zgjedhjet lokale edhe nga ambasadori amerikan si person që nuk duhet të kandidojë. Si person i papërshtatshëm. Por kryeministri është një fanatik i dëshmisë së penalitetit. A beson ende njeri, përveç tij se Roshi është vetëm një njeri që ka përballur dallgët e jetës?!

Pas Elvis Roshit po hetohet edhe për Artur Bushin e Krujës, pa harruar këtu atë që ndodhi me Grupin Parlamentar të PS-së.

Por Roshi është një episod në përroin kriminalizues të Rilindjes. Droga është një tjetër. Gjatë operacionit në Lazarat, ku u përdorën edhe armë, policia asgjësoi 130 mijë rrënjë kanabis. Vetëm në Sarandë dhe Vlorë për dy ditë, pas shpërthimit të rastit “Balili” u asgjësuan 60 mijë rrënjë. Dhe përditë e më shumë po kuptohet se në Shqipëri Ministria e Bujqësisë është duke humbur territorin. Prokuroria ka shpërndarë një qarkore ku evidenton kombëtarizimin e hashashit, pavarësisht se “policia kap rrënjët e kësja bime, por jo autorët”. Këtu vijmë tek problemi tjetër, për të cilin edhe ambasadori amerikan “ka harruar të flasë”: statusi i Policisë së Shtetit në këtë situatë.

Kemi shkruar për dëshminë e policëve për deputetin Armando Prenga, sesi një komisariat i tërë zbatoi Omerta-në, pavarësisht se ngjarja kishte ndodhur në mes të ditës. Sesi kamerat u prishën e asgjë nuk ishte parë. Kemi dëgjuar po ashtu ministrin e Brendshëm të ndryshojë versione për vrajset e mëdha, nga të cilat asnjë nuk është zbuluar.

Është folur shumë edhe për përgjimet që zbaton policia në shkelje të ligjit, të tilla që kërcënojnë sigurinë e të gjithëve dhe minojnë çdo besim te kjo forcë, e cila do pastruar radikalisht. Nuk u zbardh asnjëherë se cili ishte roli i disa drejtuesve të policisë në ngjarjen ku mbeti i vrarë shtetasi Elton Çiço, sikurse nuk dihet se përse periodikisht nga policia rrjedhin shkresa sekrete, apo nuk zbatohen kërkesa të Interpolit. Rasti “Balili” ku policia shqiptare mbeti jashtë operacionit dhe nuk ka akoma edhe sot një të ndaluar të vetëm, pavarësisht se drejtues të saj bashkë me ministrin që po zverdhet e dridhet shumë këto kohë, u mburrën se ka patur “hetime intensive”, flet shumë qartë nëse kjo “është policia që duam”.

Është një situatë institucionale dhe ligjore e paprecedentë. Një situatë që i lë qytetarët në mëshirën e humorit të një drejtuesi apo një tjetri, në mëshirën e lojës që luan Ilir Meta me prokurorinë apo Edi Rama me Policinë. Por edhe të para kështu, sipas domenit partiak, madje pikërisht pse janë të tilla, formulimet e tyre kanë rëndësi pasi konfirmojnë gjendjen e jashtëzakonshme të kësaj Republike të Krimit ku jetojmë.

Sot u publikua vendimi i prokurorisë për të mos nisur procedim penal për Sali Berishën dhe thirrjen e tij për armatosje të popullsisë. Arsyetimi i Prokurorisë është interesant: “Prokuroria çmon se nuk mund të konsiderohet si vepër penale shfaqja e mendimit e bërë për armatosjen e popullsisë për të mbrojtur veten, familjen, pronën etj, në kushtet kur në vlerësimin e deputetit të kallëzuar, shteti i ka lënë të lirë kriminelët dhe në funksion të saj, sugjeron përgatitjen e një ligji të tillë që justifikon pajisjen e tyre me armë, duke marrë si shembull SH.B.A-të, të cilat e kanë të lejuar mbajtjen e armëve të zjarrit. Pikëpamja, sipas të cilës shteti mund të lejojë pajisjen me armë e popullsisë në mënyrë ligjore, është një këndvështrim politik, i cili nuk është i ri, pasi ka eksperienca të tilla në vende të ndryshme të botës, përfshi këtu edhe SH.B.A-në, por kjo nuk do të thotë që ata politikanë të cilët e përqafojnë këtë kauzë duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore”.

Thirrjet e Berishës i përgjigjen pra sipas prokurorisë, jo vetëm të drejtës për t’u shprehur, por edhe gjykimit mbi gjendjen aktuale të sigurisë, që implikon armatosjen. Duke qenë se prokuroria ka deklaruar zyrtarisht përhapjen nacionale të trafikut të drogës, përmes qarkores së mësipërme, sado përciptaz, ajo jep një mendim zyrtar për objektivitetin e vlerësimeve të deputetit në fjalë, duke ushqyer bindjen se siguria e të gjithëve është e kërcënuar. Edhe duke vlerësuar se organi i akuzës bën lojë politike, ai është sërish një institucion që trajton sigurinë tonë, ndaj duhet marrë në konsideratë seriozisht. Deklarime të tilla konfirmojnë një pikëpamje par paaftësinë dhe mungesën e vullnetit të qeverisë dhe policisë për të luftuar seriozisht krimin, ku në mjaft raste ka rezultuar e implikuar (segmente të saj). Anasjelltas, qëndrimet e qeverisë, kryeministrit për gjyqësorin shqiptar kanë qenë shumë të rënda. “Një korporatë hajdutësh dhe krimi”, e ka quajtur gjyqësorin kryeministri aktual, në simetri të plotë me ato që kundërshtarët e tij thonë për agjencitë qeveritare të zbatimit të ligjit.

Ligjërimi i të dyja palëve po përkufizon pra kriminalizimin definitiv të institucioneve, duke lënë si shteg për sigurinë personale: vetëmbrojtjen. Është një përfundim që rrjedh nga mendimi i Prokurorisë shqiptare, me vlerë formale, por që vendos një standard të ri në raportin me institucionet: Mosbesimin e plotë. /res publica/

Please follow and like us: