Albspirit

Media/News/Publishing

Rreziku ekzistencial i BE-së nuk janë refugjatët

Rreziku ekzistencial i BE-së nuk janë refugjatët

JAN TECHAU

Sa më shumë kohë kalon pa ndonjë veprim, të metat strukturore në eurozonë, një zonë e integruar e monedhës së përbashkët pa një bashkim politik, do të vazhdojnë të bëjë punën e tyre shkatërruese. Kjo është arsyeja pse në fund, refugjatët do ta bëjnë Evropën më të bashkuar, ndërsa euro mund ta përçajë unionin

A është kriza e refugjatëve një kërcënim për ekzistencën e Bashkimit Evropian? Duke dëgjuar komentatorët dhe politikanët, duket sikur ky është mendimi mbizotërues. Kufijtë porozë kanë lënë të hyjnë shumë të huaj, duke shtuar rrezikun e terrorizmit, ushqyer populizmin, dhe dëmtuar identitetin e vendasve. Dhe kështu vazhdon historia.

S’ka asnjë dyshim se kriza e refugjatëve që shpërtheu në vitin 2015, ka nxitur me forcë sistemet politike të Evropës të zgjidhin një problem, që u krijua pjesërisht si pasojë e viteve të tëra të neglizhencës. Por në realitet, nuk ka asgjë veçanërisht ekzistenciale për krizën e refugjatëve. Kërcënimi i vërtetë për BE-në, mbetet në një eurozonë e pareformuar.

Po pse kriza e refugjatëve nuk përbën një kërcënim ekzistencial? Me pak fjalë, pasi është gjerësisht e njohur se çfarë duhet të bëhet, dhe kompromisi është i mundshëm. Bashkimi Evropian duhet të miratojë disa standarde të përbashkëta të azilit, përshpejtojë procedurat e azilit, përmirësojë kontrollin mbi kufirin e jashtëm, gjejë mënyrën për një shpërndarje të drejtë të refugjatëve në mesin e 28 vendeve anëtare, si dhe të përmirësojë marrëdhëniet me vendet e origjinës.

Gjithashtu unioni duhet të rrisë ndihmën ndaj vendeve që mikëpresin ushtritë e refugjatëve, veçanërisht ndaj Greqisë dhe Turqisë. Dhe nuk ka dyshim se këto çështje politike do të kërkojnë negociata të dhimbshme dhe shumë krenari për t’u gëlltitur, që të mund të përmbushen. Disa prej tyre janë madje në fazat e hershme të zbatimit. Gjithashtu ndihmon fakti që emigracioni është një fushë e politikës, në të cilën kompromisi mund të blihet. Vendet që nuk duan të ndajnë barrën, u kërkohet të kryejnë një pagesë të caktuar.

Kjo nuk është popullore, dhe për kundërshtarët do të jetë e mërzitshme. Por monetizitmi i çështjeve, është një nga sekretet e vogla të ndërtimit të kompromisit në Bruksel, dhe nuk ka asnjë arsye pse s’duhet të ndodhë sërish, pasi të ketë përfunduar e gjithë zhurma. Ngjashëm, pasi te ketë kaluar zallamahia, evropianët do të pranojnë se kjo është një nga ato çështje që ata mund ta zgjidhin vetëm duke qenë bashkë.

Ekspertët parashikojnë një rritje të konsiderueshme të numrit të refugjatëve që do të mbërrijnë në Evropë gjatë dekadave të ardhshme, kryesisht nga Afrika. E gjithë BE-ja do të preket nga ky fenomen. Se çfarë do të ndodhë kur Afrika e Jugut të dyfishojë popullsinë e saj deri në vitin 2050 – pa rritjen ekonomike të nevojshme për t’u ofruar këtyre njerëzve të ardhme- është e lehtë të parashikohet.

Ata që kërkojnë një perspektivë më të mirë, nuk do të shkojnë në Rusi. Dhe mbyllja e kufijve kombëtarë do të jetë një veprim i kotë. Ndërkaq pranimi i emigrantëve ose do të kontrollohet nga vendet e BE së bashku, ose nuk do të dalë fare jashtë kontrollit. Përfundimisht, shtetet anëtare të BE-së do të zgjedhin kontrollin, edhe pse me shumë më tepër dhimbje, do të jetë e nevojshme për të arritur atje.

Megjithatë më e rëndësishmja, çështja e ndërlikuar e identitetit, e cila bën që kaq shumë njerëz të besojnë se refugjatët do ta shkatërrojë BE, nuk i përket tek e fundit unionit. Integrimi i emigrantëve nuk mund dhe s’do të bëhet një politikë e përbashkët evropiane. Tingëllon banale, por nuk është e tillë. Në lidhje me çështjen se kush mund të bëhet një qytetar, shtetet anëtare kanë – dhe do të ruajnë – sovranitetin e plotë.

Helmi i politikës së identitetit mund të përdoret dhe madje abuzohet me të, dhe me siguri do të ndodhë, por në fund nuk do të qëndrojë në rrugën e një zgjidhje teknike. Pra, nëse kriza e refugjatëve mund të menaxhohet, pse një eurozonë e pareformuar është shumë më e rrezikshme? Sepse ndryshe nga refugjatët dhe integrimi i tyre, tek eurozona, nuk mund të ndahen kultura të ndryshme të BE-së. Përkundrazi, ato duhet disi të bashkohen. Nëse euro mendohet të mbijetojë, kulturat ekonomike dhe tregtare, si dhe traditat e Jugut dhe Veriut, do të duhet të sillen së bashku në një kompromis. Kjo shkon shumë përtej një zgjidhje teknike, dhe do të kërkojë një kompromis politik në një shkallë të paparë në historinë e integrimit evropian.

Çelësi për mbijetesën e eurozonës, është krijimi i një bashkimi të plotë fiskal në mesin e vendeve që ndajnë monedhën e përbashkët. Në thelb, eurozona do të duhet të shndërrohet në një bashkim politik, në të cilin politikat fiskale, vula e vërtetë e sovranitetit kombëtar, do të duhet të përbashkohen. Për të ndërtuar një bashkim të tillë fiskal, Gjermania dhe Franca, dhe aleatët e tyre përkatës, do të duhet të bien dakord për një sistem unik të transfertave, konvergimin e borxhit, mbikëqyrjen fiskale, dhe kufijtë e shpenzimeve.

Më gjerësisht, ata do të duhet të vendosin se sa e shëndetshme është ndërhyrja shtetërore për kapitalizmin funksional. Sa liberale duhet të jenë tregjet e punës? Sa kohë duhet të punojnë njerëzit në një javë dhe në jetën e tyre? Cili është një regjim i arsyeshëm i taksave për të stimuluar biznesin, dhe pajisur shtetin me fondet e nevojshme për të përmbushur detyrat e tij? Dhe ndoshta ç’është më e rëndësishmja, anëtarët e eurozonës duhet gjithashtu të përcaktojnë se si një qasje e unifikuar fiskale mund të legjitimohet në mënyrë demokratike.

Ata do të duhet të marrin në konsideratë nëse parlamentet kombëtare janë apo të mjaftueshme, apo nëse eurozona ka nevojë për legjislaturat e veta të veçanta. Me fjalë të tjera:që euro të mbijetojë, duhet dramatikisht më shumë Evropë. A mos ndoshta edhe më shumë integrim për ndokënd? Madame Lë Penin? Mijnheer Uildersin? Herr Strahen? Çdo njëra nga këto çështje është politikisht më shumë helmuese sesa çështjet teknike të krizës së refugjatëve.

Gjithashtu, edhe periudha kohore nuk është më e mira. Valët e shokut të referendumit të ardhshëm britanik për qëndrimin ose jo në BE, pa marrë parasysh rezultatin, do të rezonojnë për një kohë të gjatë pas 23 qershorit; dhe pas kësaj, zgjedhjet në Francë dhe Gjermani janë kanosëse në 2017-ën. Nuk do të mund të bëhet shumë, përpara se të ndodhin tronditjet e mëdha.

Dhe ndërsa sa më shumë kohë kalon pa ndonjë veprim, të metat strukturore në eurozonë, një zonë e integruar e monedhës së përbashkët pa një bashkim politik, do të vazhdojnë të bëjë punën e tyre shkatërruese. Kjo është arsyeja pse në fund, refugjatët do ta bëjnë Evropën më të bashkuar, ndërsa euro mund ta përçajë unionin.

/Carnegie Europe

Please follow and like us: