Serbi, Rusia gati për të hapur bazën e dytë ushtarake…
Rusia po planifikon të ndërtojë edhe një bazë të re ushtarake në Serbi të kamufluar me emrin “qendra për ndihma humanitare”, transmeton “Koha.net”.
Ekzistojnë plane që aerodromi Eçka te Zrenjanini, në Vojvodinë, të bëhet baza e dytë ruse në Serbi, pas asaj që Beogradi e Moska e quajnë bazë humanitare në Nish, sipas mediave serbe.
Aerodromi Eçka ka hangarin me tri seksione, sipërfaqen prej 2000 metrash katrorë, lartësinë 7 metra e dyer të gjera 25 metra.
Ideja është që në këtë lokacion, siç thotë gazeta e Beogradit “Blic”, për nevojat e qendrës humanitare serbo-ruse nga Nishi, të ndërtohet qendra trajnuese, përkatësisht poligoni për ushtrime për veprim në situata emergjente dhe Moska është e gatshme që për këtë punë të sjellë shumë mjete e pajisje ushtarake.
Kjo çështje duhet të jetë pjesë e bisedimeve zyrtare mes Beogradit e Moskës gjatë vizitës së kryeministrit rus Dmitrij Medvedev, i cili do të kërkojë që të verifikohet Marrëveshja për privilegjet speciale diplomatike, të qendrës humanitare serbo-ruse në Nish, për të cilin po pritet që nga viti 2014.
Ky medium serb thotë se, për këtë bazë ruse kërkohen të drejta sikur ato për NATO-n.
“BE dhe SHBA nuk do ta shikojnë me sy të mirë bazën e dytë eventuale ruse në Serbi, pasi as bazën e Nishit nuk e kanë për dëshirë”,- kanë thënë qeveritarë serbë.
Lajmin rreth mundësisë së hapjes së kësaj baze të re ruse e ka konfirmuar drejtori i Qendrës në Nish, Bojan Glamoçlija. Ai ka shtuar se, mendimi për Eçkën është vetëm njëra nga idetë, pasi po shqyrtohet opsioni që ta na jepet një nga kazermat në Pançevë ose në Beograd.
Kryeshefi i qarkut të Banatit Qendror, Dushan Shijan, në territorin e të cilit mund të ndërtohet baza e dytë ruse, nuk ka asgjë kundër kësaj ideje, pasi aeroporti prej një kohe të gjatë është i braktisur, por thotë se, tash për tash e gjitha është vetëm në fillim.