Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptarja e gjetur në lumin Po, dyshohet se është vrarë

  • Ladina K, nëna e dy fëmijëve jetonte prej vitesh në Piaçenca. Sot priten rezultatet e autopsisë. Policia: Dyshime që gruaja është vrarë dhe më pas është hedhur në lumë

Nga Nikoleta Kovaçi

Një grua shqiptare e cila është gjetur e vdekur disa ditë më parë në lumin Po, në rrethinat e Piaçencës në Itali, ka bërë që ekspertët vendas të mos e lëshojnë trupin deri në përfundim të të gjitha hetimeve. Gazeta italiane “Il Giorno” shkruan se ngjarja deri tani ishte klasifikuar si vetëvrasje, por hetimet e mëtejshme kanë nxjerrë të tjera pista të reja. 40-vjeçarja, Ladina K. ishte nënë e dy fëmijëve. Nga hetimet e bëra tregohet se sapo kishte blerë një shtëpi në këtë zonë dhe ngrihen dyshime se ajo mund të jetë vrarë. Pritet të bëhet autopsia për të zbuluar shkakun e vdekjes, sakaq policia ka gjetur edhe automjetin e saj pak metra nga bregu i lumit. 40-vjeçarja është zhdukur në datën 29 maj, ndërkohë motra e viktimës e ka bërë denoncimin në datën 31 maj.

Trupi i pajetë i viktimës është gjetur në datën 7 qershor nga policia. Pritet që ditën e sotme ekspertët kriminalistikë dhe ata të mjekësisë ligjore të hedhin dritë mbi dy faktet kryesore; atë të shkakut të vdekjes dhe më pas edhe të përcaktimit të ngjarjes, nëse është vrasje apo ndonjë aksident. Hetimet Autoritetet italiane janë përqendruar tek pista e vrasjes, sa i përket rastit të Ladina K., 40-vjeçares shqiptare, e gjetur e pajetë më 7 Qershor, në ujërat e lumit Po, pranë qytetit të Piaçencës. Janë disa të dhëna që kanë bërë që prokurorët italianë ta hetojnë si vrasje këtë çështje, e cila pak ditë më parë, fill pas gjetjes së trupit, mendohej se ishte një vetëvrasje. Dy të dhënat kryesore janë disa shenja dhune në qafën e gruas, të ngjashme me shenjat e mbytjes. Ndërsa detaji tjetër, që përforcon pistën e vrasjes, janë disa shenja në tokë, shumë pranë makinës së viktimës, që kanë ngjallur dyshimet se shqiptaren mund ta kenë tërhequr zvarrë dhe më pas mund ta kenë hedhur në lumë.

Ladina K. jetonte prej 5 vitesh në “Miradolo Terme”, pranë zonës ku u gjet automjeti i saj dhe punonte si shërbyese në një shtëpi. Ajo ishte e martuar, me dy fëmijë, që sipas medieve italiane janë të moshës 18 e 12 vjeç, dhe sapo kishte blerë një banesë. Personat që e njohin nga afër 40-vjeçaren, e përshkruajnë si një njeri të qetë e pa probleme, një njeri që kurrë sesi nuk mund të mendosh se do të kryejë vetëvrasje. Policia italiane ka marrë në pyetje të gjithë të njohurit e viktimës, më saktë janë rimarrë në pyetje për shkak se ata kanë dëshmuar edhe herë të tjera. Policia e kuesturës së Piaçencës ka nisur verifikimet edhe në terren, madje kanë kërkuar edhe të dhëna në lidhje me të gjitha lidhjet e familjes së viktimës me ndonjë person që ka precedent të mëparshëm penal.

Kërkimet

Policia e qytetit verior të Italisë ka nisur kërkimet në fakt që në momentin që është kryer denoncimi i zhdukjes së gruas. Sinjali i parë është dhënë nga motra e saj mbrëmjen e 29 majit, ndërsa rreth një javë më parë trupi i saj u gjend në ujërat e lumit Po, në zonën e Piaçencës. Të dhënat kanë treguar se ka qenë këmbëngulja e familjarëve të saj dhe e policisë që nuk kanë pranuar idenë se gruaja mund të ishte vetëhedhur në lumë, pasi ajo kishte motiv për të jetuar. Gjithashtu, policia i ka besuar edhe versionit të gruas në shtëpinë e të cilës ishte e punësuar e cila përgjatë dëshmisë së saj ka lënë të kuptohet se viktima nuk ka dhënë asnjë shenjë dëshpërimi.

Please follow and like us: