Urdhri i Farmacistit ankohet tek Konkurrenca
Kriteret që duhet të plotësojnë farmacitë dhe agjencitë farmaceutike për lidhjen e kontratave me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe procedurat për lidhjen e kontratave standarde për vitin 2017 duhet të marrin vlerësimin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës.
Vendimi është marrë nga Komisioni i Konkurrencës pasi Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë i është drejtuar Autoritetit të Konkurrencës për interpretimin e vendimit datë 22 dhjetor 2015, të Këshillit Administrativ të FSDKSH-së (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor).
Sipas Urdhrit të Farmacistit, Këshilli Administrativ i Fondit, ka përcaktuar kritere të cilat mund të sjellin “selektivitet” jo të drejtë të subjekteve farmaceutike që do kontraktojnë Fondin; konkurrencë të pa drejtë ndërmjet subjekteve farmaceutike dhe diskriminim të një numri subjektesh farmaceutike, ndonëse ato e zhvillojnë aktivitetin konform rregullave ligjore në fuqi.
Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës nisur nga kjo kërkesë e Urdhrit të Farmacistit ka ndjekur procedurat ligjore për vlerësimin e kërkesës së Urdhrit të Farmacisteve në lidhje më vendimin objekt-ankese. Autoriteti ka vlerësuar konkurrencën në tregun përkatës, aktet ligjore dhe nënligjore mbi të cilat funksionon ky treg, si dhe ndikimin e tyre në konkurrencë.
Konkurrenca ka vërejtur se, kriteret e vendosura lidhur me distancën që duhet të kenë farmacitë nga kufiri i jashtëm i institucionit Shëndetësor publik është argumentuar FSDKSH-ja, si një masë për shmangien e lidhjes abuzive mes mjekëve dhe farmacistëve. Ky kriter pretendohet se është i motivuar për rregullimin e tregut si dhe shpërndarjen e farmacive në territor për të mënjanuar mbipopullimin me farmaci pranë institucioneve shëndetësorë.
Vlera monetare e rimbursimit të ilaçeve përben rreth 45 % te vlerës totale te tregut farmaceutik. Ky fakt është pohuar si nga përfaqësuesit e ankimuesit ashtu edhe nga FSDKSH-ja.
Autoriteti i konkurrencës vërejti se gjatë realizimit të hartimit dhe të miratimit te këtij vendimi, i cili kushtëzon mirëfunksionimin e tregut, për vetë volumin e tij, nuk është zbatuar detyrimi ligjor “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Konkurrenca pas verifikimit ka vërejtur se, përdorimi i kritereve të distancave për lidhjen e kontratave të rimbursimit nuk përbëjnë kritere që lidhen me performancën e operatoreve në treg, dhe nuk kanë lidhje shkak-pasojë me sjelljen oportunistike të mjekëve-farmacistëve. Në këto kushte lind e nevojshme gjetja e instrumenteve alternativë për kontrollin e tregut objekt-vlerësimi, nëpërmjet akteve nënligjore që do të nxjerrë në vijim Këshilli Administrativ të FSDKSH-së (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor).