9 vjeçarja, që ka lanë ‘pa fjalë’ kompaninë Apple
Nuk ka përfundue ende shkollën fillore, por asht programuesja ma re e “Worldwide Developer Conference”. Anvitha Vijay, nji australiane me origjinë indiane asht ylli i konferencës së organizueme nga Apple, ku takohen çdo vit krijuesit ma të suksesshëm dhe të talentuem të aplikacioneve për sistemin iOS. Anvitha asht vetëm 9 vjeç. Gjuhën e programimit ka nisë me mësue që në moshën 7-vjeçare përmes video-tutorialeve në Youtube. Ka disa muej që ka përfundue aplikacionin e vet, të quejtun “Smartkins animals”, nji aplikacion që ndihmon fmitë me mësue rreth botës së kafshëve tue u argëtue. Talenti i saj ka tërheqë vëmendjen e Apple që e ka përfshi në programin e vet të stimulimit të programuesve të rij, ku jep 350 bursa për ma të suksesshmit.