Kozmogoni shqiptare
Shqipëria njihet si vend blegtoral dhe bujqësor që nuk e ndiente shumë nevojën e hapësirës së lartë për t’u orientuar me ndihmën e tyre, ashtu si popujt që praktikonin detarinë dhe udhëtimet nëpër dete dhe oqeane, prandaj ata as që e dinin ku ndodhej Ylli polar dhe yjësia e tij, po ndërkohë edhe ata kishin njohuri për hapësirën dhe kanë dhënë kontributin e tyre për pasurimin e astronomisë apo të hapësirës së lartë, sidomos për fushat që lidheshin më shumë me jetën e tyre të përditshme si blegtorë dhe si bujq. Atyre u interesonte dinin me saktësi lindjen e ditës së re, apo agimin, ashtu edhe ngrysjen apo afrimin e natës kur bagëtitë duheshin çuar nëpër hauret e tyre, nëpër vatha apo nëpër shtrunga.
Për afrimin e muzgut të mbrëmjes, apo të natës ata orientoheshin me anë të Yllit të Mbrëmjes, sikurse e quanin planetin e kuq të Marsit kur dukej në anën perëndimore të qiellit. Por më shumë atyre u interesonte të dinin afrimin e agimit, ose të ditës së re, kur niste dhe puna tyre për të çuar në kullotë bagëtitë e tyre, dhëntë. dhitë, lopët dhe qetë. Për këtë orientoheshin me anë të Yllit të Mëngjesit, të cilin e quanin me fjalët e tyre shqipe Afërdita.
As që mund të gjendet kompozitë më e bukur në asnjë gjuhë të botës për këtë planet se sa fjala shqipe Afërdita për planetin e shndritshëm që feks herët duke paralajmëruar agimin e një dite të re. Shkencëtarët e thërresin atë edhe me emrin Venus, por emri shqip Afërdita, ose Afërditë është emri më i bukur dhe më i saktë, prandaj u përdor edhe për emërtimin e fëmijëve, sidomos të vajzavet ndër shumë familje shqiptare.
Ishte vërtet një gjë e bukur emërtimi i fëmijëve me emra planetësh të ndryshëm. Po duhet theksuar se kozmogonia shqiptare shtrihet edhe më tej, sepse ne e kemi pasuruar kozmogoninë me emërtimin shqip të disa yjësive të njohura nga bota me emra të tjerë. Unë do të sjell këtu vetëm dy shembuj sikurse Zgjedha dhe Klloçka dy emra thjesht të huajtura nga bota shqiptare.
ZGJEDHA ishte yjësia e Orionit në mos gabohem, një yjësi me katër yje që krijojnë një katror ideal që udhëton çdo natë në kupën e qiellit nga lindja në perëndim dhe pozita e saj në kupën e qiellit rrëfen afrimin e agimit, ose të ditës së re.
Zgjedha ishte kulari (katrori prej druri. që u vihej qeve në qafë kur mbriheshin për të lëruar arat apo livadhet. Të viheshe nën zgjedhë kishte kuptimin të ishe i robëruar dhe jo i lirë, prandaj përdorej edhe me kuptimin figurativ kur skllavëriohej një a disa popuj nga forca ushtarake të huaja, sikurse dëshmon historia e botës gjatë këtyre 2000 viteve.
Një emër tjetër yjësie shumë interesant është Klloçka. Më ngjan se me këtë emër emërtohej yjësia e Arushës së vogël e përbërë nga shtatë yje ku ndodhet edhe ylli Polar. Yjet rrijnë pranë njeri tjetrit, ashtu si zogjtë e Klloçkës, prandaj dhe populli ynë zgjodhi atë emër të bukur të botës fshatare shqiptare.
Një tjetër kontribut shumë interesant për kozmogoninë është përmasa e gjatësisë apo e distancës së hapësirës qiellore që matej me hostenë, një mjet i ndorshëm dhe i përdorur nga çdo bujk, apo fshatar shqiptar. Hosteni ishte një masë e papërcaktuar qartë që ngërthente pesë a gjashtë pëllëmbë të dorës së njeriut nga gishti i madh te i vogli. Edhe për ata njerëz që ngriheshin nga gjumi vonë përdorej se ai apo ajo ngrihet nga jataku kur dielli ngrihet dy hostenë lart.
Besohej se kulmi i qiellit arrihej me katër hostenë gjatësi. Këto të dhëna tregojnë se edhe në kozmogoni populli shqiptar ka traditat e tij të pasura dhe origjinale që dëshmojnë si lashtësinë, ashtu dhe zgjuarësinë e tij mes popujve të tjerë të botës. E kemi për detyrë t’i njohim dhe t’i ruajmë traditat tona të çdo fushe.