Kritika për politikën e migrimit të BE
Marrëveshjet e planifikuara të BE me shtetet afrikane i shërbejnë para së gjithash izolimit – ky është rezultati i një simpoziumi të posaçëm në Berlin.
“Po të rri në atdhe, do të vdes me 100 përqind. Po të emigroj në Evropë probabiliteti që të vdes është vetëm 50 përqind”. Në këtë fjali e përmblodhi qëndrimin e tij një refugjat i ri afrikan. Në një simpozium për politikën gjermane dhe evropiane të migrimit, ai u paraqiti ekspertëve këndvështrimin e tij personal. Këtë këmbim mendimesh e organizoi partia opozitare në Bundestag “E Majta”. Shkaku janë të ashtuquajturat Procese të Khartumit dhe të Rabatit, në të cilat BE ka rregulluar bashkëpunimin për migrimin me shtetet e Afrikës Lindore dhe Perëndimore: për një ndalim me sukses të emigrimit në drejtim të Evropës do të jepen para, për një mosbashkëpunim do të ketë sanksione, deri në kufizime tregtare. Kritikët flasin për një kopje të marrëveshjes së diskutueshme BE- Turqi.
Përgjigje të qarta nuk ka
Pyetja qendrore që u shtrua ishte: a mund të kontrollohen lëvizjet migratore nga Afrika që prej Evropës? Përgjigja qe: edhe po, edhe jo. Stephan Dünnwald nga Organizata “Këshilli Bavarez i refugjatëve” ka koordinuar një studim për këtë temë: “pas përvojave, që kemi mbledhur në procesin e Rabatit (në Afrikën Perëndimore) njëherë ka funksionuar më mirë, njëherë me keq.” Kështu shtete si Mali ose Senegali fitojnë shumë më tepër prej parave, që migrantët përcjellin në atdhe, se sa me paratë e BE për luftimin e migrimit.
Një pikë tjetër që shkakton kritika: trajtimi i të drejtave të njeriut. Mediet gjermane informuan muajin e kaluar për marrëveshje të diskutueshme të GIZ (Shoqëria për Bashkëpunimin Ndërkombëtar): me paratë e BE do të financohen ndër të tjera projekte për sigurimin e kufijve në Sudan ose do të pajisen forcat e armatosura sudaneze. “Për fat të keq na duhet të konstatojmë, se të drejtat e njeriut që propagandohen në Gjermani, sakrifikohen gjithnjë e më shumë në dobi të një bashkëpunimi për gjoja siguri dhe stabilitet”, u shpreh Marina Peter nga shoqata “Forumi Sudan dhe Sudani jugor”. Edhe regjimet autoritare në Eritre dhe në Egjipt po diskutohen si partnerë të projekteve të BE.
Politikanët afrikanë nën presion
Ousmane Diarra, një veprimtar i të drejtave të njeriut nga Mali e plotësoi debatin me perspektivën afrikane: “Ne shoqëria civile në shtetet e Afrikës sub Sahariane kemi konstatuar se ka pasur një presion real ndaj politikanëve afrikanë, në mënyrë që ata të bien dakord me të gjitha proceset dhe përcaktimet e BE”, thotë ai në intervistë me DW. Prandaj marrëveshje midis shteteve të veçanta në Evropë dhe Afrikës nuk janë të dëshirueshme, thotë Diarra. Shumë më tepër do të nevojitej “një konventë globale e menduar mirë midis Bashkimit Evropian dhe Bashkimit Afrikan”.