Albspirit

Media/News/Publishing

Mirela Milori: Lojtarë dhe misionarë

Unë nuk pata kurajë të ndërroj stacionin e TV si çdo ndeshje me kombëtaren, kur skuadra pëson gol.

Jo sepse e dua ekipin kombëtar pa kushte, por sepse kjo ndeshje për mua ishte njësoj si të gjitha ndeshjet e ekipeve të mëdha të zemrës (Gjermania apo Bayerni i Mynihut), që edhe kur munden ua ndjek ndeshjet deri në fund, për lojën, strategjinë, kualitetin e tyre.

Këta djem nuk janë lojtarë, ata janë misionarë; janë misionarë të një ëndrre që ka nisur dekada e dekada më parë, por që kaloi përmes eliminatoreve të Europianit nëpër Beograd, Portugali, Armeni e Danimarkë.

Të rritur me idilin e Shqipërisë, në shumicë nga prindërit e tyre emigrantë, të ikur ose nga Shqipëria e varfër e kaotike, ose nga Kosova e pushtuar, ata kishin një ëndërr: flamuri kombëtar të shkonte në europian.

Na kanë frymëzuar, na kanë bërë të duam flamurin e Shqipërinë ndoshta më shumë seç e kemi dashur, janë treguar dinjitozë edhe në momentet më të përçudnuara futbollistike, dhe e kanë bërë me modesti, sepse kishin vetëm një mision: të nderonin fanellën kuqezi e t’i afroheshin sa më pranë ëndrrës së kampionatit europian.

Jemi në europian, dhe ata djem po tregojnë se dinë jo vetëm të hyjnë në këtë kampionat, por edhe të justifikojnë lojën e Shqipërisë.

Patëm një ndeshje të fortë e të barabartë me Francën dhe një ndeshje qëndrese me Zvicrën, ku luajtëm 10 përballë 11.

Nuk jam specialiste futbolli, jam tifoze e kombëtares, dhe për herë të parë ndihem mirë edhe me humbjen.

Kjo kombëtare fitoi bastin e madh të disa brezave: ekipi i emigrantëve apo bijve të emigrantëve, sot është i barabartë mes të barabartëve në kualitet, klas e lojë me çdo ekip të europianit.

Pragmatizmin, llogaritë dhe kërkesën e pikëve e golave në mënyrë cinike, t’i lëmë jo për këtë kampionat e kombëtare.

Historia e futbollit shqiptar nuk nis me ta, por kjo histori ndryshoi në mënyrë të pakthyeshme prej tyre…! Kjo do të mbetet, të tjerat do të jenë komente rreth faktit…!

Dhe kjo nuk iu ndodh lojtarëve, kjo iu ndodh vetëm misionarëve…!

Please follow and like us: