MPJ: Qëndrimet e Greqisë për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ndërhyrje në punët e brendshme
Ministria e Punëve të Jashtme i konsideron si ndërhyrje në çështjet e brendshme qëndrimet e qeverisë greke për problemet juridike pronësore në Shqipëri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Këshilltari për Komunikim në ministrinë e Jashtme, Glevin Dervishi deklaron se Autoqefalia e Kishës ortodokse shqiptare, përveç se frut i mundimeve të panumërta të besimtarëve shqiptarë në breza, është kanonikisht rezultat i qenësisë së një shteti të pavarur dhe sovran shqiptar, në bazë të parimit të kahershëm “Kishë e lirë në Shtet të lirë”.
Sipas tij, këtë autoqefali, të njohur botërisht, të rikonfirmuar në përkatësinë e saj shqiptare nga Shenjtëria e Tij Patriarku Bartolome I-rë, gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Rama në Fanar, e shohim të shpaloset sot lirshëm karshi kishave simotra në Koncilin Panortodoks të Kretës.
“Për pasojë, sa herë që shteti grek mban qëndrime lidhur me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ortodoksët në territorin e shtetit shqiptar, ndërhyn në punët e brendshme të shtetit shqiptar.
Çështjet juridike pronësore ende të pazgjidhura të Kishës autoqefale shqiptare janë në trajtim të vazhdueshëm dhe do të shqyrtohen në bazë të ligjit dhe në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë. Çështja e rikthimit të pronave në Shqipëri, është një proces që prek shtetasit shqiptarë pa dallim etnie, feje apo kombësie”, shprehet Dervishi.
Republika e Shqipërisë, thekson ai, ka një angazhim të përhershëm për përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, pjesë përbërëse e të cilave janë dhe të drejtat e pakicave. “Vendi ynë është palë në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Minoriteteve, e cila përbën dokumentin më të plotë ligjor në planin ndërkombëtar për garantimin e të gjitha të drejtave të minoriteteve”, nënvizoi Dervishi.
Gjithsesi, thotë ai, Shqipëria mbetet e hapur për t’iu referuar çdo praktike pozitive në funksion të përmirësimit më tej të standardeve në këtë fushë.
Reagimi i z. Dervishi erdhi pasi ministri grek, Nikos Kotzias gjatë një interpelance të thirrur nga deputetit i Demokracisë së Re, Theodoros Karaoglou për pronat e minoritetit grek në Shqipëri theksoi se interesi i Greqisë mbetet të pronat e kishës.